Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit vendosi të hënën që të ndryshojë rregulloren e brendshme të punës pas propozimit të anëtarëve të mazhorancës.
Mbledhja e parë e këtij komisioni nisi me debate për aspekte ligjore të funksionimit të komisionit dhe nuk arriti dot të miratonte të gjitha pikat e rendit të ditës, duke shtyrë miratimin e rregullores dhe zgjedhjen e sekretarit për mbledhjen pasardhëse.
Socialistët kërkuan që rregullorja të tërhiqej nga rendi i ditës pasi sipas tyre është një kopje e rregulloreve standarde të përdorura nga komisionet e mëparshme të komisioneve hetimore dhe ka mangësi.
Kryetari demokrat, Enkelejd Alibeaj, e kundërshtoi këtë kërkesë si një pretekst për të zgjatur punën e komisionit. Sipas tij, “rregulloret e komisioneve hetimore janë standard”. Ai tha se e kishte shpërndarë prej disa ditësh në emailin e anëtarëve dhe ata kanë pasur kohën e mjaftueshme për të sjellë propozimet në mbledhjen e parë.
Por sipas nënkryetarit socialist, Toni Gogu, nuk mund të miratohej një dokument që nuk ishte hartuar nga anëtarët e këtij komisioni. “Komisioni hetimor duhet të zbatojë ligjin ku thuhet se ‘harton dhe miraton rregulloren e brendshme’. Ne nuk mund të miratojmë një rregullore të hartuar nga një anonim”- tha ai.
Pas debatesh u ra dakord që draft-rregullorja të ndryshohej me konsultim mes palëve dhe të miratohej në mbledhjen e ardhshme të datës 20 tetor.
Komisioni nuk arriti të zgjidhte sekretarin e komisionit pavarësisht këmbënguljes së socialistëve. Sipas Alibeajt kjo nuk mund të bëhej pa miratimin e rregullores. “Që t’i hapim rrugë veprimeve të tjera ligjore duhet më parë të miratohet rregullorja”- tha ai.
Alibeaj prezantoi dhe planin e hetimit, ku PD-ja e cila është iniciatore e këtij komisioni, planifikon të thërrasë si dëshmitarë kryeministrin dhe disa ministra, disa deputetë të PS-së dhe zyrtarë të tjerë lokalë në funksion të hetimit për përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste.
Afati ligjor i komisionit hetimor është deri më 14 janar të vitit 2022.