Një delegacion nga Komisioni i Venecias ka mbërritur në Tiranë për t'u konsultuar me palët politike në lidhje me propozimin e opozitës për një proces vetingu në politikë.
Një delegacion i Komisionit të Venecia ka mbërritur në Tiranë në një mision fakt-mbledhës dy ditor, si pjesë përgatitjes së opinionit në lidhje me një projektligj të propozuar nga deputetët e Partisë Demokratike për zbatimin e një procesit të vetingut në politikë.
Delegacioni i përbërë nga Veronika Bilokva, zëvendëspresidente e Komisionit të Venecias; z. Jorgen Steen Sorensen, anëtar i Komisionit; z. James Hamilton, ish-anëtar zëvendësues i Komisioni dhe znj. Artemiza-Tatiana Chisca, shefe e Departamentit për të Drejtat Themelore dhe Institucionet Demokratike në Komisionin e Venecias, u takua të hënën me zëvendës kryetaren e Kuvendit Vasilika Hysi, si dhe deputetë të opozitës.
Gjatë takimit Hysi njoftoi delegacionin e Komisionit të Venecias në lidhje me hapat e ndjekur lidhur me shqyrtimin e nismës në parlament dhe konsultimin e saj me publikun.
“Reporterët e Komisionit të Venecias në takimin me znj. Hysi kërkuan të mësojnë më tepër lidhur me: mekanizmat ligjor ekzsitues, që kanë sferë të njëjtë veprimtarie me mekanizmat e parashikuar në kërkesën ligjore të opozitës; rolin e KQZ-së, Kuvendit e posaçërisht Këshillit të Rregullores dhe Mandatet në Kuvend në rastet e kufizimit ose heqjen e mandateve të deputetëve; precedentët e mëparshëm të procedurave të heqjes së mandatit për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë,” tha Kuvendi me anë të njoftimi për shtyp.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, i cili njihet gjithashtu si ligji i vetingut në politik, synon të presë lidhjet e politikanëve të zgjedhur dhe të emëruar me krimin e organizuar.
“Zbatimi i të njëjtave norma dhe parime të vetingut për vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar edhe për politikanët dhe zyrtarët e tjerë të lartë publikë, do të kontribuojë ne dekriminalizimin e qeverisjes në vend,” shkruajnë deputetët propozuar në relacionin e projektligjit.
“Gjithashtu, kjo do të parandalonte aleancat e fshehta e të drejtpërdrejta, para dhe pas zgjedhjeve, midis politikanëve dhe grupeve kriminale,” shtojnë ata.
Komisioni i Venecia ka dhënë më parë një opinion këshillues mbi paketën e reformës në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë lgjin e rivlerësimit kalimtar të gjykatësve dhe prokurorëve.
Ndryshe nga vetingu në politikë, vetingu në sistemin e drejtësisë përfshin dhe dy kritere të tjera rivlerësimi, kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit.
Përveç Partisë Demokratike, projektligji vetingut në politikë mbështetet edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Të dy këto grupime politike janë shprehur në rritje kundër zbatimit të procesit të vetingut në drejtësi, duke nënvizuar se është kapur nga mazhoranca.
Ndërkohë Partia Socialiste është shprehur se do të presë opinionin e Komisionit të Venecias përpara se të shprehet për projektligjin e propozuar nga deputetët e PD – një mesazh që e tejçoi të hënën edhe nënkryetarja e Kuvendit Hysi.