Kompania DH Albania, e cila dyshohet se ka fituar një tender të Autoritetit Rrugor Shqiptar duke përdorur dokumente të falsifikuara, rezulton se në të njëjtën njëjtën kohë ka fituar një tender tjetër, me vlerë 1.2 miliardë lekë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Autoritetet shqiptare, përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe kryeministrin Edi Rama, kanë pranuar tashmë se një nga tre tenderët e shumëdebatuar të Unazës së Madhe të Tiranës është fituar nga një kompani me dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara.
Por ndërkohë, e njëjta kompani rezulton se ka fituar pak a shumë në të njëjtën kohë, një tender të dytë me vlerë 1.2 miliardë lekë nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, kompania publike që menaxhon linjat e tensionit të lartë në Shqipëri dhe që mbikëqyret nga ministria e Z. Gjiknuri.
Njoftimi nr. 44 i 5 nëntorit 2018 i Prokurimeve Publike [link] përmban njëri pas tjetrit njoftimin e shpalljes fituese të kompanisë DH Albania, degë e kompanisë së huaj “Dunwel Haberman”, të një kontrate për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë elektrike 220 volt që duhet të shërbejë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë.
BIRN nuk arriti të kontaktojë menjëherë Operatorin e Sistemit të Transmetimit për komente mbi këtë çështje.
DH Albania u denoncua nga emisioni të Paekspozuarit në News 24 si një kompani që kishte falsifikuar dokumentacionin e nevojshëm për të fituar tenderin për ndërtimin e mbikalimit “Shqiponja” në Unazën e Re në Tiranë më 6 dhjetor. Një ditë më vonë, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi pezullimin e punimeve deri në verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve, ndërsa Prokuroria njoftoi “nisjen e verifikimit”. Deri më tani autoritetet shqiptare, përfshirë prokurorinë, nuk kanë bërë të ditur nëse kanë arritur të idenfitikojnë personin apo personat e dyshuar për falsifikim.
Që nga e enjtja e kaluar, askush nuk ka dalë publikisht për të folur në emër të kësaj kompanie, e cila është prezantuar nga ARRSH si përfaqësuese e një kompanie gjigande amerikane që ka mbi 3,500 punëtorë.
Një faqe interneti në adresën http://dunwellhaberman.com, e cila më herët ishte funksionale deri pak ditë më parë dhe prezantonte një kompani me aktivitete në Amerikë, Australi e tregje të tjera në ndërtim linjash energjetike dhe rrugësh duket se është pezulluar. Kompania e ka deklaruar këtë domain si pikë kontakti email në aplikimin për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Një numër telefoni celular i paraqitur si kontakt po në QKB rezulton i fikur.
Kompania ka pasur adresë fillestare të regjistruar në rrugën Gjergj Fishta ndërsa e ka ndërruar adresën e regjistruar në QKB më 2 nëntor në ABA Business Center, Kati 14-te, Zyra nr 1402.
Pas publikimit të fakteve në emisionin Të Paekspozuarit, ministri Gjiknuri deklaroi se “i është drejtuar autoriteteve amerikane për verifikim zyrtar”, Pa pritur rezultatin e verifikimit, kryeministri Edi Rama komentoi të hënën mbi çështjen gjatë një fjalimi të gjatë të mbajtur në Facebook.
“Bëmë tek unaza e re projektin dhe del një mashtrues atje. Marrim ne gjithë baltën. “Është kompania e Edi Ramës”, thonë, e unë mërzitem shumë, po çfarë do bëj? Do shtrëngoj dhëmbët e do shkoj përpara,” tha Rama.
Por ndërsa tenderi për unazën e fituar nga kompania të cilës kryeministri iu referua si “mashtrues” është pezulluar zyrtarisht, as Rama, as Gjiknuri dhe as OST nuk janë shprehur se çfarë do të bëjnë me tenderin tjetër, të fituar nga e njëjta kompani.
Pjesëmarrja në tenderë publikë në Shqipëri është një proces i komplikuar, veçanërisht në ndërtim rrugësh. Në kushtet e tenderit të Unazës së Madhe, kompania pjesëmarrëse në tender duhej të kishte “xhiro mesatare vjetore së paku sa gjysma e vlerës së punimeve” për tre vitet e fundit, në rastin konkret të tenderit të Unazës, jo më pak se 10 milionë euro xhiro në vit, duhet të ketë realizuar projektet të ngjashme me përmasa jo më të vogla se 50% e fondit limit në tre vitet e fundit, duhet të ketë jo më pak se 250 punonjës, duhet të ketë të punësuar një numër inxhinierësh si dhe të ketë nën pronësi apo të marra me qira një numër të konsiderueshëm automjetesh ndërtimi.
Kushtet e përcaktuara në tenderin e OST nuk ishin të kërkueshme në faqen e internetit APP.gov.al, që është portali i prokurimeve publike në Shqipëri.
Kompania Dunwel Haberman rezulton se është regjistruar në regjistrin e biznesit të shtetit të Delaëere në vitin 2018, pak kohë para se të hapej tenderi. Si një kompani e saporegjistruar, ajo nuk i plotësonte kriteret e tenderit. Dokumentet e zbuluara si të falsifikuara nga emisioni Të Paekspozuarit janë bilance të audituara të kompanisë, të cilat pretendohen se paraqesin një aktivitet të dendur ekonomik me xhiro prej 900 milionë dollarësh në vitin 2017.