Historia e patreguar e “Firestone”, Charles Taylor dhe tragjedisë së Liberisë
Vrasësit u nisën nga plantacioni nën një hënë të kuqërremtë një mbrëmje në tetor të vitit 1992. Ata vërshonin nga fshatra të mbuluar me çati prej teneqeje dhe vendbanime në xhungël, nëpër rrugët me makadamia dhe shkurre të kuqe. Gjithnjë e më shumë njerëz iu bashkuan radhëve të tyre, derisa me mijëra burra në radhë të gjata u nisën drejt kryeqytetit të largët.
Burra të kamufluar vendosën topa artilerie në kamionët e vjetruar. Adoleshentë të dobët tërhiqnin zvarrë raketahedhëse. Fëmijë mbanin AK-47. Disa mbanin hanxharë të gjatë.
Vrasësit mbanin veshur xhinse të grisura dhe bluza me mëngë të shkurtra, paruke fermash dhe sandale të lira prej gome. Maskat groteske i bënin ata të ngjanin si demonë. Ata mbanin varur talismanë me pendë dhe kockë për t’i mbrojtur ata nga plumbat. Në errësirën para agimit, ata rrethuan Monrovian, kryeqytetin e Liberisë.
Ata i lëshuan sulmet e tyre në qytetin e fjetur. Artileria goditi dyqane dhe shtëpi. Murtajat vërshonin përmes mureve të trasha, ajrit të lagësht që vinte era kalbësirë. Djemtë ushtarë vinin me kanoe nga moçalet. Ndërsa ata dyndeshin, vrasësit detyruan burra, gra dhe fëmijë të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ata vranë civilë dhe ushtarë. Predhat që binin shpëtuan pa prekur Ambasadën e SHBA-ve, e vendosur në një vend të ngritur me pamje nga Oqeani Atlantik.
Kishte filluar një fazë e re e luftës civilë të Liberisë. Ajo do të dilte ashpërsisht nga kontrolli gjatë dekadës së ardhshme. Më shumë se 200,000 njerëz do të vdisnin ose do të pësonin plagë të tmerrshme, shumica prej të cilëve civilë – gjymtyrë të këputur, sy të nxjerrë. Gjysma e popullsisë së vendit do të bëhej refugjatë. Pesë murgesha amerikane do të thereshin, duke u bërë simbole ndërkombëtare të shthurjes së konfliktit.
Anarkinë po e organizonte Charles Taylor, një egomaniak i devotshëm i fiksuar të merrte mbrapsht Liberinë, aleaten më të besueshme të Amerikës në Afrikë. Për sulmin e atij mëngjesi tetori, ai kishte ndërtuar ushtrinë e tij të kasapëve dhe besimtarëve pjesërisht me burimet e një biznesi shumë të njohur amerikan: kompanisë së gomave “Firestone”.
“Firestone” drejtonte plantacionin që Taylori përdori për të drejtuar sulmin e tetorit 1992 në Monrovia. Në gjendje pune që prej 1926, plantacioni i kauçukut konsiderohej si më i madhi i llojit të tij në botë, një grumbull i madh pemësh, lumenjsh me baltë kafe, kodrash të ulëta dhe shkurre të gjelbra që në atë kohë shtriheshin në 570 km katrorë – afërsisht sa sipërfaqja e Çikagos.
“Firestone” e donte Liberinë për kauçukun e saj. Taylor e donte “Firestone” për të ndihmuar në ngritjen e tij në pushtet. Në një takim të rëndësishëm në xhunglat e Liberisë në korrik 1991, kompania ra dakord të bënte biznes me komandantin ushtarak.
Në shqyrtimin e parë të detajuar të marrëdhënies midis “Firestone” dhe Taylor, një hetim nga ‘ProPublica’ dhe ‘Frontline’ tregon rolin e një korporate globale në një konflikt brutal afrikan.
“Firestone” shërbeu si burim ushqimi, karburanti, kamionësh dhe parash të thata të përdorura nga ushtria rebele e Taylor-it, sipas intervistave, dokumenteve të brendshme të korporatës dhe informacionesh diplomatike të deklasifikuara.
Kompania nënshkroi një marrëveshje në vitin 1992 për të paguar taksa ndaj qeverisë rebele të Taylor-it. Gjatë vitit të ardhshëm, kompania mblodhi më shumë se 2.3 milion dollarë në para të thata, çeqe dhe ushqim për Taylor, sipas një dosjeje kontabiliteti në gjykatë. Midis viteve 1990 dhe 1993, kompania investoi 35,3 milionë USD në plantacion.
Në këmbim, forcat e Taylor garantuan siguri për plantacionin që e lejoi “Firestone”-in të prodhonte kauçuku dhe të ruante pasuritë e saj. Qeveria rebele e Taylor ofroi taksat më të ulëta eksporti që i dhanë kompanisë një avantazh financiar për dërgesat e kauçukut.
Për Taylor, marrëdhënia me “Firestone” ishte më shumë sesa për para. Ajo e ndihmoi atë të siguronte një kapital politik dhe njohjen që i duhej atij dhe që ai e kërkonte për të krijuar kredencialet e tij si lideri i ardhshëm i Liberisë.
“Ne kishim nevojë që “Firestone” të na jepte legjitimitet ndërkombëtar,” tha John Toussaint, “J.T.” Richardson, një arkitekt i stërvitur amerikan, i cili u bë një nga këshilltarët kryesorë të Taylor. “Ata na duheshin për besueshmëri.”
Ndërsa “Firestone” e përdorte plantacionin për biznesin e kauçukut, Taylor e përdori atë për biznesin e luftës. Taylor i ktheu magazinat dhe fabrikat e “Firestone” në depo për armë dhe municione. Ai strehoi veten dhe ministrat e tij të lartë në shtëpitë e “Firestone”. Ai përdori gjithashtu pajisje komunikimi në plantacion për të transmetuar mesazhe për mbështetësit e tij, propagandë për masat dhe udhëzime për trupat e tij.
Mesazhet sekrete të diplomatëve amerikanë të asaj kohe kapën mirënjohjen e Taylor për “Firestone”. Plantacioni i “Firestone” “kishte qenë fyti i gjakut” të territorit që ai kontrollonte në Liberi, i tha Taylor një drejtori të “Firestone”, sipas një mesazhi të Departamentit të Shtetit. Taylor më vonë tha në dëshminë e tij të betuar se burimet e “Firestone” kishin qenë burimi “më i rëndësishëm” i valutës së huaj në vitet e para të revoltës së tij.
Në përgjigjet me shkrim ndaj pyetjeve, “Firestone” e pranoi marrëveshjen me Taylor, por tha se nuk e kishte ndihmuar kurrë me dëshirë kryengritjen e tij.
Kompania tha se rebelët e Taylor kishin përdorur kamionët e “Firestone”, ushqim, furnizime mjekësore, karburant dhe mjete të tjera nën “duke kërcënuar me dhunë këdo që mendonte t’i ndalonte ata”.
“Firestone” nuk kishte asnjë rol në ngritjen e Charles Taylor. Ajo nuk kishte asnjë rol në aftësinë e tij për të mbajtur pushtetin në Liberi,” tha kompania.
“Firestone asnjëherë nuk pati një marrëdhënie bashkëpunimi me Charles Taylor,” thuhej në deklaratë. “Aktivitetet e kompanisë ishin të përqendruar në mbrojtjen e punonjësve dhe pronave të saj. Kompania nuk kishte asnjë aftësi për të mos i lejuar forcat e Taylor të përdornin plantacionin për çfarëdolloj qëllimi.”
Në momentin e sulmit të tetorit 1992 që u bë i njohur si Operacioni Oktapodi, Taylor kontrollonte pjesën më të madhe të Liberisë. Ai u përball me një qeveri të përkohshme në Monrovia, e mbështetur nga 7,000 ushtarë kryesisht të pa testuar nga kombet aleate të Afrikës Perëndimore.
Operacioni Oktapodi e zhyti vendin në pesë vite edhe më të turbullta, vite të tmerrshme lufte të përhershme. Taylor e shndërroi një luftë civile midis forcave të tij dhe qeverisë së Liberisë në betej të përgjakshme ndërsa gjithnjë e më shumë grupe rebele i bashkoheshin luftës për plaçka: diamante, drur, pushtet. Ajo u shtri në Guinenë fqinje dhe Sierra Leone, ku forcat rebele aleate me Taylor i prenë gjymtyrë civilëve në një fushatë terrori dhe brutaliteti të pakontrolluar.
Në korrik 1997, Taylor e fitoi luftën e ti, dhe jo në fushën e betejës. Ai u zgjodh president, duke marrë 75 për qind të votave. Për shumë liberianë, një votë për Taylor ishte një votë dorëheqjeje. Shumë besonin se kjo ishte e vetmja mënyrë për të ndalur vrasjet. Pasi Taylor u bë president, u krijuan më shumë grupe, pati më shumë gjakderdhje, më shumë hakmarrje. Liberia dhe populli i saj vuajtën përsëri.
Në vitin 2003, Taylor u padit nga një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte të kryera në Sierra Leone. Ai dha dorëheqjen nga presidenca. Ai u dënua me 50 vjet burg – kreu i parë i shtetit që dënohej për krime kundër njerëzimit që nga epoka naziste.
Rruga drejt bashkëpunimit nuk ishte as e drejtë dhe as e lehtë për “Firestone” dhe drejtuesit e saj, sipas intervistave dhe dokumenteve. Disa zyrtarë të kompanisë kundërshtuan me efikasitet të punonin me Taylor dhe luftëtarët e tij, madje edhe përballë kërcënimeve reale dhe të nënkuptuara për dhunë fizike.
Zyrtarë të tjerë të lartë ndjenë se kompania nuk kishte zgjidhje tjetër veçse t’i dorëzohej kërkesave të Taylor. Ata besuan se puna me të ishte e vetmja mënyrë për të mbrojtur mijëra liberianë të varfër që jetonin dhe punonin në plantacion.
“Firestone” mori gjithashtu një udhëzim konfliktues nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Një ambasador i bëri thirrje kompanisë të punonte me Taylor. Në Uashington, diplomatët paralajmëruan drejtuesit “Firestone” për rreziqet e të bërit biznes me të.
Por në fund, “Firestone” si një korporatë dhe si një grup burrash, mori vendimin të bashkëpunonte me një njeri, forcat e të cilit u denoncuan publikisht si të dhunshme, të egra dhe mizore nga qeveria e SHBA-së dhe grupet e të drejtave të njeriut.
Departamenti Amerikan i Shtetit kishte publikuar një raport ku fajësonte forcat e Taylor për vrasje civilësh, përdhunimin e grave dhe se kishin detyruar me mijëra njerëz të bëheshin refugjatë. Human Rights Watch tha se forcat e Taylor ishin angazhuar në një fushatë vrasjesh që vuri “në rrezik gjenocidi” një grup të caktuar etnik.
Sot “Firestone” pretendon se në kohën që ajo bëri marrëveshjen me Taylor, lideri guerilas “nuk kishte të dhëna të mirë përcaktuara” të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Ajo tha se shumë kompani të tjera dhe liderë botërore e kishin trajtuar Taylorin si një figurë legjitime politike. Kompani të tjera që operonin në Liberi në atë kohë zgjodhën të largoheshin. Por disa ndenjën me dhunë.
“A beson ‘Firestone’ se bëri gjënë e duhur? Po,” tha “Firestone” për vendimet e saj në Liberi. “A pendohemi ne, bashkë me ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, Departamentin Amerikan të Shtetit, Kombet e Bashkuara dhe shumë liderë të tjerë kudo në botë, që punuam me kriminelin e luftës në të cilin u shndërrua ai? Po.”
Vendimi me të cilin u përball “Firestone” përballet me shumë kompani amerikane që operojnë në ditët e sotme në rajonet e shkatërruara nga lufta, në një ekonomi gjithnjë e më të globalizuar. Të gjithë synojnë të fitojnë para. Të gjithë duhet të peshojnë, në një shkallë apo në një tjetër, hierarkinë e tyre të detyrimeve – para aksionerëve të tyre, para punonjësve të tyre të huaj, para vendeve të tyre mikpritëse dhe para ndjenjës së tyre të asaj që është e drejtë dhe e gabuar.
Donald Ensminger ishte drejtor menaxher i plantacionit “Firestone” kur Taylor pushtoi Liberinë. Ai qe dëshmitar i drejtpërdrejtë i dhunës. Rebelët e Taylor vranë dhe burgosën punëtorët e tij. Ata kërcënuan Ensmingerin me vdekje duke i drejtuar një raketahedhëse.
Ensminger u lejua të largohej nga kompania në tetor 1991. Gjatë 23 viteve të ardhshme, ai vazhdoi të heshtte për zgjedhjen e “Firestone” për të bërë një marrëveshje me një komandant ushtarak. Ai tani i tha Frontline dhe ProPublica se donte të shpjegohej.
Ai tha se ai e paralajmëroi “Firestone” se Taylor ishte një vrasës. Ai i tha kompanisë se puna me të mund të ishte një krim. Ai u bëri thirrje atyre të shmangnin marrëveshjet që mund ta legjitimonin liderin guerilas si sundimtar të Liberisë.
Për të, vendimi ishte i qartë. Dhe “Firestone” e kuptoi gabim.
“Sigurisht që në emër të punonjësve tanë, ata që u vranë dhe vuajtën, ishte e domosdoshme që ne tani duhet ta pranojmë se këtë e shkaktoi pikërisht ai njeri,” tha ai në një intervistë.
Gerald Rose, i cili shërbeu si zv/shef i misionit në Liberi në atë kohë, ka një mendim po kaq të pakursyer për gjedhjen që bëri “Firestone”.
“A mendoj se ata kanë gjak në duart e tyre? Po,” tha Rose. “Unë nuk do të kisha marrë vendimet që morën ata. Besoj se ata ndihmuan një komandant ushtarak në kryengritjen e tij dhe në mizoritë që ai shkaktoi.”
Gjatë viteve, Liberia ka hezituar ta analizojë të kaluarën e saj. Për shembull, Taylor u gjykua vetëm për dëmin që shkaktoi në Sierra Leone dhe jo në Liberi. Në vitin 2009, Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit i vendit rekomandoi sanksione për një sërë autorësh krimesh. Ai përmendi “Firestone” se e kishte ndihmuar Taylor për të kryer rebelimin e tij dhe bëri thirrje për më shumë hetim. Qeveria liberiane nuk ka vepruar kurrë bazuar në këto rekomandime.
E vërteta mahnitëse është se askush nuk është ndëshkuar ndonjëherë në Liberi për luftën civile që shkatërroi kombin. Në fakt, disa nga njerëzit që ndihmuan në shkatërrimin e vendit tani janë të njëjtët njerëz përgjegjës për rindërtimin e tij.
Zyrtarë të lartë të ish-grupeve ndërluftuese tani janë politikanë që miratojnë ligje në legjislaturë. Ata janë pastorë që predikojnë nga katedrat e vendit. Ata janë drejtues që drejtojnë disa nga bizneset më të mëdha të vendit.
Dëmtimi që ata i shkaktuan Liberisë e përndjek vendin edhe sot. Infrastruktura e shkatërruar e Liberisë dhe sistemi i dobët shëndetësor janë përpjekur shumë të përballen me përhapjen e virusit Ebola, i cili ka vrarë mijëra liberianë.
Në një intervistë me Frontline dhe ProPublica, presidentja e Liberisë Ellen Johnson Sirleaf pranoi se Liberia nuk kishte arritur ende të trondiste regjimin e Taylor apo demonët e historisë së saj.
“Efekti i atij regjimi dhe i regjimeve të të kaluarës janë ende me ne sot,” tha ajo. “Sot ne kemi një komb të traumatizuar.”
Përpjekjet e bëra gjatë shumë muajve për të kontaktuar me Taylorin nëpërmjet avokatëve dhe familjes së tij nuk ishin të suksesshme.
Johnson Sirleaf dukej e menduar kur u pyet të përshkruante marrëdhënien e Liberisë me “Firestone”. Fituese e çmimit Nobel për Paqen, Johnson Sirleaf tha se kompania i kishte siguruara Liberisë vende pune dhe të ardhura.
Në të vërtetë, gjatë dekadave të saj të punës, kompania “Firestone” kishte ndërtuar një komb brenda një kombi. Kompania garantoi strehim, shkolla, ushqim dhe kujdes shëndetësor për punëtorët dhe familjet e tyre. Rreth 80,000 liberianë jetonin brenda kufijve të saj. “Firestone” paraqiti valutën, ndërtoi rrugë dhe zgjeroi pjesën e brendshme rurale.
Në të njëjtën kohë, tha Johnson Sirleaf, “Firestone” ndonjëherë nuk ka arritur të përmbushë detyrimet e saj ndaj vendit, njerëzit e të cilit i dhanë asaj shumë gjatë shumë viteve. Gjatë dekadave, kompania është përballur me akuza se ka shfrytëzuar punonjësit e saj, ka marrë koncesione të padrejta, ka shkatërruar mjedisin dhe ka përkeqësuar korrupsionin.
Johnson Sirleaf tha: “Është një histori e ngatërruar.”
Ky investigim ëshë ripublikuar nga Propublica