Lajm15 Jul 2021

Kompania koncesionare nën hetim për punime pa leje për rrugën Orikum-Dukat

Kompania koncesionare në pronësi të kompanisë “Gjikuria“ u referua në Prokurorinë e Vlorës për shfrytëzim pa leje të inerteve në zonën e burimit të Çikës, por pavarësisht nisjes së procedimit,  leja iu miratua më pas nga Këshilli i Baseneve të Vjosës.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Gjurma e rrugës Orikum – Dukat, e cila po ndërtohet nga kompania “Gjikuria”.

Në fillim të korrikut, mjetet e kompanisë së ndërtimit “Gjikuria“ u diktuan nga banorë të zonës së Orikumit, ndërsa gërmonin në afërsi të vendburimit të Çikës, pranë parkut kombëtar të Llogarasë. Banorët u alarmuan nga gërmimet në mes të pyllit dhe njoftuan policinë.

Në 3 korrik, oficerë të policisë së Vlorës konstatuan në terren mjetet e rënda që po gërryenin tokë në afërsi të burimit të Çikës, ndërsa punonjësit që u identifikuan si të kompanisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara shpk“ në pronësi të kompanisë „Gjikuria“ nuk kishin asnjë dokument dhe as paraqitën ndonjë leje.

“Deri më tani nuk kanë paraqitur dokumentacion se posedojnë leje për ushtrimin e aktivitetit në këtë zonë,“ i tha BIRN më 8 korrik zv.drejtori i Policisë së Vlorës, Gentjan Berberi. Berberi tha se ndaj kompanisë dhe përgjegjësit të punimeve ishte bërë referim në Prokurorinë e Vlorës në datën 7 korrik dhe se drejtuesi i punimeve ishte marrë në pyetje.

Fillimin e hetimeve për rastin e konfirmoi edhe prokurori i Vlorës, Aurel Zarka.  Zarka i tha BIRN se hetimi tashmë ka nisur në ngarkim të kompanisë “Gjikuria“ dhe se punimet në terren ishin pezulluar.

Administratori i kompanisë, Florenc Gjikuria kundërshtoi pretendimet e policisë dhe prokurorisë dhe i tha BIRN se ata i kishin lejet.

“Po ju them që për projektet në fjalë, jemi të pajisur me leje nga organet kompetente,“ tha Gjikuria në një përgjigje me shkrim, pa specifikuar kohën e marrjes së tyre.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se një ditë pas nisjes së hetimeve, Këshilli i Baseneve të Ujëmbledhësit të Vjosës, i drejtuar nga prefekti Flamur Mama, i dha kompanisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara shpk“ në pronësi të Gjikurisë një leje për shfrytëzimin e shtufit nga mali për projektin koncesionar të rrugës që lidh portin e Jahteve në Orikum me Dukatin.

Kompania Gjikuria ka fituar koncesionin Partneritet Publik Privat për ndërtimin e rrugës Porti i Jahteve-Orikum-Dukat me vlerë 50.5 milion euro në vitin 2018, ndërsa punimet në zonë filluan në vitin 2019.

Në një komunikim me BIRN më 7 korrik, prefekti Mamaj pranoi se kompania nuk kishte pasur deri atë ditë leje shfrytëzimi –por ai shtoi se kompania kishte paraqitur një kërkese që do të shqyrtohej të nesërmen.

“Leja e tyre ka kaluar të gjitha fazat për t‘u miratuar dhe ditën e enjte do të mblidhet  Këshilli i Basenit për ta miruatuar. Duhet theksuar se të gjitha lejet që miratohen janë vetëm për subjektet që ndërtojnë rrugë të rëndësisë kombëtare,“ tha prefekti Mamaj.

I pyetur më 13 korrik nëse ishte marrë parasysh referimi në Prokurori dhe si ishte miratuar leja për një kompani që ishte konstatuar më herët se po kryente shfrytëzim pa leje të zonës afër parkut të Llogarasë, Mamaj pretendoi që nuk kishte dijeni. “Nuk kam njoftim zyrtar“, tha ai duke pasur parasysh referimin e kompanisë në prokurori nga policia.