Pavarësisht shqetësimeve për rrethanat e paradës së përvitshme të pedalimit me biçkleta nga komuniteti LGBTI në Shqipëri, eventi i organizuar të shtunën kaloi pa incidente.
Duke pedaluar si çdo vit në rrugët e kryqytetit, komuniteti LGBTI në Shqipëri i shoqëruar nga mbështetës brenda dhe jashtë vendit përhapi mesazhe të dashurisë, barazisë dhe tolerancës.
Dhjetëra persona që mbanin në duar pankarta kundër homofobisë dhe pro tolerancës së preferencave të ndryshme seksuale pedaluan duke brohoritur dhe duartrokitur për të gjithë ata që treguan kurajon të merrnin pjesë dhe për t’i dhënë shpresë të gjithë atyre që nuk e kishin të mundur zbulimin e homoseksualitetit të tyre.
Këtë vit itinerari ndryshoi, duke u shkurtuar për shkak të një mosdakordësie mes shoqatave LGBTI në Shqipëri dhe opozitës e cila ka ngritur një çadër përpara zyrës së kryeministrit Rama.
I pranishëm në manifestim, Avokati i Popullit Igli Totozani përgëzoi pjesëmarrësit për pedalimin dhe bëri thirrje për më shumë të drejta për komunitetin LGBT në Shqipëri.
Aktivistët gjithashtu i bënë thirrje qeverisë të çojë përpara të drejtën e komunitetit për një familje të njohur ligjërisht.