Reportazh17 Feb 2016

Komuniteti rom lufton të ruajë shtëpitë te unaza e re e Tiranës

Pesë familje të komunitetit rom në zonën e Selitës po luftojnë të ruajnë shtëpitë e tyre të thjeshta dhe të ndërtuara me mundim përgjatë 25 viteve pasi qeveria dhe bashkia i konsiderojnë thjeshtë ndërtime të paligjshme që nuk meritojnë kompensim. E ndërsa banorët luftojnë me morinë e procedurave dhe dokumenteve administrative, rreziku i përditshëm është që ata të mbeten nën qiell të hapur për t’i hapur rrugën një autostrade që kushton miliona euro për pak kilometra.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Sajmir Shaku, 44 vjeç, banor i një shtëpie në zonën e Selitës ku po ndodhin shpërnguljet, Tiranë. 17 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Sajmir Shaku, 44 vjeç, banor i një shtëpie në zonën e Selitës ku po ndodhin shpërnguljet, Tiranë. 17 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Sajmir Shaku, 44 vjeç, ka lidhur nga brenda me zinxhir derën e shtëpisë së tij në zonën e Selitës dhe refuzon të dalë prej saj derisa problemit të tij t’i gjendet zgjidhja. Nga ana tjetër e portës, qëndrojnë një taskforcë e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe disa punonjës të policisë së shtetit, të cilët kanë urdhër të largojnë banorët për të mundësuar shembjen e shtëpive të tyre.

“Jetojmë shtatë persona në këtë shtëpi, kam ardhur në këtë zonë përpara vitit 1991. Nuk do të pranoj të ma shembin pa më dhënë më parë përfitimin që më takon prej saj,” tha për BIRN Sajmir Shaku, i cili e nxjerr jetesën duke mbledhur dhe tregtuar hekurishte.

“Ata mendojnë se ne jemi romë dhe nuk i njohim të drejtat tona,” shton ai.

Shaku është pjesë e tetë familjeve të komunitetit rom të cilët prej 25 vjetësh kanë gjetur strehim në Selitë dhe banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës.

Banorë të zonës së Selitës refuzojnë shoqërimin në polici të një burri që refuzon dëbimin. 17 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Banorë të zonës së Selitës refuzojnë shoqërimin në polici të një burri që refuzon dëbimin. 17 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Anëtarët e familjeve të prekura i thanë BIRN se ata ishin të gatshëm të largoheshin nga zona për të lejuar vazhdimin e punimeve, por do ta bënin këtë vetëm nëse u jepej një strehim i denjë ose dëmshpërblimi që u takon.

“Duan të na nxjerrin nga shtëpitë tona dhe të na lënë në mes të rrugëve pa na treguar asnjë dokument që na kërkon të largohemi. Procedurat e tyre burokratike po shkatërrojnë jetesën tonë,” thotë për BIRN, Ledion Muharremi, baba i dy fëmijëve, i cili e siguron bukën e vajzave të tij, 6-muajshe dhe 2 vjeçe duke mbledhur bidona.

Ai jeton te të afërmit e tij në zonën e Selitës pasi banesa e tij po në këtë vend, u shemb pa asnjë lajmërim dhe me të gjitha sendet brenda kur ky ishte larguar për azil në Gjermani, në kërkim të një jete më të mirë.

Banorët e zonës janë përfshirë në një procedurë të stërzgjatur të fitimit të pronësisë mbi banesat e tyre. Ata ndërtuan shtëpitë e tyre me mundim pjesë-pjesë përgjatë 25 viteve të fundit dhe arritën të stabilizojnë disi jetët e tyre të varfra, por mundi 25 vjeçar po u shkon dëm, për shkak se qeveria nuk ka njohur pronësi të tyre mbi truallin dhe nuk i ka pranuar banesat e tyre si të vlefshme për kompensim, siç vepron zakonisht në rastet kur ndërtimi i rrugëve kërkon shembjen e shtëpive të ndërtuara me leje apo që janë në proces legalizimi.

Ata i kanë kërkuar Bashkisë së Tiranës në respektim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 608 datë 05.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.8.1991, t’i kalojë pronësinë e shtëpive dhe truallit ku kanë jetuar që nga vitet 1990.

Në një shkresë të 18 qershorit 2015, kryetari i atëhershëm i Bashkisë, Lulzim Basha i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor, z. Dashamir Xhika të bëjë të mundur shpronësimin e plotë dhe me vlerën e tregut të banorëve që preken nga Unaza e Madhe e Tiranës.

Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2015, Bashkia e Tiranës drejtuar tashmë nga Erion Veliaj, si autoritet vendor u është përgjigjur kërkesës së banorëve se harta e Arkivit Qendror Teknik deri në vitin 1990 nuk e vërteton ekzistencën e pronësisë së tyre.

“Në pamundësi të sigurimit të kësaj planshete [të azhurnuar deri në 10.08.1991] ju kërkojmë të na e vini në dispozicion ku vërtetohet se ndërtimi ka ekzistuar përpara 10.08.1991”, shkruhet në të.

Banorët janë tashmë në një proces gjyqësor për të vërtetuar faktin e ekzistencës së pronësisë nëpërmjet provës me dëshmitarë dhe me analiza ekspertimi të kryer gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe pretendojnë se hartë e Arkivit Qendror Teknik e vitit 1993, e ka në hartë pronësinë e tyre.

Në mungesë të vërtetimit të pronësisë, Bashkia ka ofruar të paguajë dy vite qira për banorët e prekur, por kjo është joreale për këtë komunitet.

Komuniteti rom te zona e Selitës. 17 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Komuniteti rom te zona e Selitës. 17 shkurt 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

“Askush nuk pranon të na japë shtëpinë me qira. Sapo marrin vesh se jemi romë dhe se jemi një familje e madhe refuzojnë të na strehojnë,” tha për BIRN bashkëshortja e Ledion Muharremit.

Por dy vite qira, nuk janë zgjidhje afatgjatë për familjet e prekura nga shembja e shtëpive. Në një letër nga Komisioneri Europian për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria u kritikua për dëbimet e deritashme dhe mungesën e një strategjie afatgjatë të strehimit të komunitetit rom dhe egjiptian.

“Na vjen shumë keq për mënyrën se si e trajtojnë këtë komunitet, ata kanë rreth 30 vjet në këtë zonë dhe gjithnjë e kanë nxjerrë jetesën me vështirësi. Tani duan t’i lënë pa asnjë çati mbi kokë,” tha për BIRN një nga banoret e pallatit disa metra larg banesave të komunitetit rom.

 

Fotogaleri