Lajm20 Jan 2016

Koncesion i ri, 110 milionë euro te tatimet

Ministria e Financave deklaroi sot se një kompani e quajtur MPOS ka kërkuar koncesion për ndërtimin e një sistemi elektronik për menaxhimin e TVSH-së dhe se qeveria po përgatitet për të dhënë koncesionin që pritet t’i kushtojë shqiptarëve dhjetëramilionë euro përgjatë dekadës së ardhëshme.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

 Ministri i Financave Shkelqim Cani dhe zv/ministrja Irena Beqiraj duke folur në parlament në 5 korrik 2015. Foto: LSA

Ministri i Financave Shkelqim Cani dhe zv/ministrja Irena Beqiraj duke folur në parlament në 5 korrik 2015. Foto: LSA

Duke argumentuar se ky do të jetë një “partneritet publik – privat ndryshe nga ato të shkuarat”, Ministria e Financave shpjegoi sot para gazetarëve nismën më të re të privatizimit të shtetit, një koncesion me terma të përgjithshme që supozohet të krijojë një sistem elektronik komunikimi dhe ballafaqimi mes taksapaguesve dhe tatimeve, sistem që është konceptuar nga një kompani private, me pronar të panjohur, nën premtimin se koncesioni do të ndihmojë qeverinë shqiptare të mbledhë më shumë TVSH të brendshme.

“Unë do të përdor termin ‘partneritet publik – privat’”, tha zëvendësministrja e Financave Irena Beqiraj në një takim me disa gazetarë ekonomie, me dëshirën për të shmangur fjalën ‘koncesion’.

Ministri Shkëlqim Cani u largua pasi bëri prezantimin fillestar me gazetarët.

Sipas Beqirajt, koncesioni i ri pritet të mbartë kosto të investimit fillestar prej 9.57 milionë euro dhe kosto operative vjetore prej 8.2 milionë eurosh dhe kontrata koncesionare do të vijojë për dhjetë vjet. (kliko këtu për të lexuar deklaratën e Beqirajt)

Kërkesa fillestare për koncesion raportohet se është bërë nga një kompani private e panjohur me emrin MPOS, mbi aktivitetin e së cilës nuk dihet asgjë. Sipas shpjegimit të dhënë nga Ministria e Financave, pas marrjes së ofertës së pakërkuar për koncesion në vitin 2014, ministria ngriti një grup pune i cili bëri një studim.

Pyetur për emrin e pronarit të kompanisë, Beqiraj tha se nuk e dinte dhe nuk mund ta jepte për shkak të ruajtjes së privatësisë. Ajo këmbënguli se koncesioni aktual është ndryshe nga koncesionet e shkuara duke argumentuar se termat e referencës i ngarkojnë koncesionmarrësit rrezikun e dështimit dhe ndajnë fitimet vetëm në rast suksesi, “me përjashtim të amortizimit bazë”.

Sipas termave të prezantuara, të cilat qenë gjithsesi të vagullta, koncesionmarrësi do të krijojë një sistem elektronik që do t’i mundësojë tatimeve të grumbullojnë informacion mbi shitjet dhe blerjet mes bizneseve si dhe shitjeve dhe blerjeve finale të konsumatorëve, gjë që do të mundësojë ndjekjen e produktit nga pika e importit apo e prodhimit deri te konsumatori final me presupozimin se një sistem i tillë do të identifikojë mashtrimet me tatimin mbi vlerën e shtuar. Sipas kushteve të përgatitura nga Ministria e Financave, koncesionmarrësi do të marrë një pagesë fikse për koston fillestare prej 9.57 milionë euro, e cila do të jetë amortizimi i sistemit për dhjetë vjet ose 957 mijë euro, si dhe një tarifë suksesi në rast se të ardhurat nga tatimi i vlerës së shtuar që mblidhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të rriten me më shumë se 11 për qind në vit. Sipas teorisë, 11 për qind në vit është rritja e të ardhurave nga TVSH që tatimet e realizojnë në kushtet aktuale ndërsa në rast se kjo rritje do të bëhet, falë kontratës koncesionare, 12 apo 13 për qind, të ardhurat shtesë mbi rritjen fillestare 11 për qind do të ndahen mes qeverisë dhe koncesionmarrësit. Në rast se koncesionmarrësi dështon, atëherë Ministria e Financave do të paguajë një tarifë fikse për koston e investimit.

Program shtesë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpenzoi fillimisht disa milionë euro në vitin 2006 për ndërtimin e një sistemi elektronik. Pastaj këtë vit, përfundoi një program tjetër me vlerë 10 milionë euro si dhe me kosto mirëmbajtjeje prej disa milionësh të tjera, i cili menaxhon vetëdeklarimet tatimore, një sistem që në përgjithësi njihet si COTS.

Bizneset nga ana e tyre, kanë paguar disa dhjetëramilionë euro për t’u pajisur me kasa fiskale, të imponuara nga qeveria.

Disa koncesione të tjera rëndojnë taksapaguesit me dhjetëra milionë euro. Psh. kompania SICPA prodhon pullat fiskale, kompania Rapiscan ofron skanimin e makinave ndërsa kompania GFI ofron markimin e karburanteve, që të gjitha me teorinë se ndihmojnë në mbledhjen e të ardhurave.

Koncesioni i TVSH-së është hallka shtesë që do të rëndojë mbi taksapaguesit.

Sipas Beqirajt, sistemi i ri elektronik do të funksionojë krahas sistemeve aktuale elektronike si Asycuda, apo sistemi COTS.

Pyetur se për çfarë arsyeje tatimet nuk e shohin të arsyeshme të ndërtojnë vetë një sistem të tillë, nëse i nevojitet, Beqiraj deklaroi se tatimet nuk kanë mundësi të punësojnë specialistët e duhur siç i punëson privati. Pyetur nëse e vlerësonte koncesionin e ri si të nevojshëm apo të panevojshëm, Beqiraj tha: “Për herë të parë vendoset një standard tjetër i ndarjes së risqeve në partneritetin publik – privat”.