Presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu për rishqyrtim parlamentar një ligj të propozuar nga Këshilli i Ministrave, i cili lejon drejtorin e metrologjisë të privatizojë pa garë procedurën e verifikimit të saktësisë së instrumenteve matëse duke e shpallur atë antikushtetues.
Një nismë ligjore e Këshillit të Ministrave për të ndryshuar ligjin “Për Metrologjinë” u kthye për rishqyrtim parlamentar nga Presidenti Ilir Meta, i cili e cilësoi atë si një shembull të “korrupsionit legjislativ”. Sipas Metës, synimi i vërtetë i projektligjit, i cili u miratua së fundmi në parlament pa debate, [link], është që të lejojë drejtorin e metrologjisë të “lëshojë autorizime” për kompani private në mënyrë që këto të fundit të verifikojnë saktësinë e instrumenteve matëse në sektorit privat, të tilla si pikat e karburantit apo shërbime të tjera.
Ligji në fjalë “është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”,” shkruan Meta në dekretin për rikthimin e tij për rishqyrtim parlamentar. [Link]
Sipas ligjit, shërbimet e verifikimit të instrumenteve matëse mundet që Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë t’ia kalojë subjekteve juridike private, gjë për të cilën Meta thotë se është antikushtetuese.
“Mbikëqyrja e tregut dhe inspektimi metrologjik janë funksione shtetërore që garantojnë saktësinë e instrumenteve matës. Lënia në dorë të subjekteve private, në mënyrë të pakontrolluar, siç përcaktohet në dispozitat e tjera të ligjit të poshtevidentuara, cenon direkt këtë funksion publik, i cili në mënyrë të pashmangshme do të sjell hapësira për abuzime që sjellin si pasojë dëmtimin e interesave të qytetarëve dhe të interesit publik,” shkruan Meta në arsyetimin e dekretit për rikthimin e ligjit në parlament.
Meta ka kthyer në parlament një numër të lartë ligjesh, të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve, janë rrëzuar nga parlamenti. Sipas Kushtetutës, Meta mund të rikthejë ligjet në parlament vetëm një herë dhe ky i fundit ka autoritetin që të pranojë vërejtjet e presidenti apo t’i rrëzojë ato.