Blog21 Jan 2016

Koncesioni i rradhës

Qeveria ka në plan të japë me koncesion mbledhjen e TVSH-së, në një skemë ku për çdo 10 lekë tatim të mbledhura më shumë në sajë të tij, 9 lekë do të shkojnë për koncesionarin dhe 1 lekë për qeverinë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ka një tregues në menaxhimin fiskal që njihet si kosto e administrimit si përqindje e taksave të mbledhura. Zakonisht thuhet se menaxhimi i mirë fiskal është ai që shpenzon 1 ose 2 dollarë për çdo 100 dollarë të shpenzuar. D.m.th, nëse shpenzimet e administratës tatimore janë 1 lekë dhe të ardhurat e mbledhura prej saj janë 100 lekë, atëherë ky konsiderohet administrim me leverdi.

Qeveria aktuale e ka përdorur më herët këtë logjikë. Në kontratën që nënshkroi me kompaninë Crown Agents, ajo pranoi të paguajë 4.1 milionë euro, nën premtimin se puna e kësaj kompanie do të krijonte 100 milionë euro të ardhura doganore shtesë. Kur çështja e kostos së administrimit të doganave u shtrua për diskutim me përfaqësuesin e Crown Agents në Tiranë në vitin e kaluar, ai e pranoi se me parimin e efikasitet, kontrata e tij me qeverinë qe shumë larg të qenit efikase, pasi menaxhimi në këtë rast teorikisht kushtonte 4.1 euro për çdo 100 euro të arkëtuara, pra qe tepër e shtrenjtë si kosto për menaxhim tatimor.

Kuptohet që ky qe diskutim teorik. Në realitet, Crown Agents vetëm sa mori 8.2 milionë eurot për kontratën e saj dyvjeçare ndërsa të ardhurat e qeverisë, jo vetëm që nuk u rritën, por përkundrazi, pësuan rënie.

Ministria e Financave deklaroi të mërkurën se do të japë një koncesion për menaxhimin e tatimit mbi vlerën e shtuar. Termat e përcaktuara nga ky koncesion e çojnë konceptin e efikasitetit të administrimit tatimor në një nivel krejt të paimagjinueshëm. Sipas Ministrisë së Financave, rritja e  të ardhurave të administratës tatimore nga TVSH ka qenë mesatarisht 11 për qind në vit përgjatë 17 viteve të fundit. Kontrata koncesionare premton që, në rast se ajo krijon të ardhura më të larta se 11 për qind në krahasim me vitin paraardhës, atëherë të ardhurat ekstra do të ndahen mes koncesionmarrësit dhe qeverisë. Dhe me çfarë raporti? Nëse të ardhurat rriten me 15 për qind nga viti paraardhës, tre përqindëshi shtesë do të ndahet në raportin 90 për qind për koncesionmarësin dhe 10 për qind për qeverinë.

D.m.th, kur shqiptarët të paguajnë 100 lekë TVSH shtesë, 90 lekë do t’i marrë kostoja e menaxhimit të mbledhjes së këtyre të ardhurave. Ka gjasa që ky do të jetë një rekord botëror. Për të mbledhur 100 lekë tatim mbi vlerën e shtuar, qeveria do të shpenzojë 90 lekë. Nëse dikush pyet se sa e logjikshme është për shqiptarët që të paguajnë 100 lekë TVSH, nga të cilat, 10 lekë do të shkojnë për shërbime publike si shkolla apo shëndetësi ndërsa 90 lekë do t’i shkojnë një kompanie fantazmë nga Hong Kongu, ai ka gjasa që nuk do të marrë përgjigje. Por nëse shqiptarët paguajnë shumë më tepër TVSH shtesë, d.m.th të ardhurat nga TVSH do të rriten me 15-19 për qind në vit, shifër që gjithsesi vështirë se do të arrihet, atëherë shqiptarët mund të ngushëllohen sepse taksat e tyre do të ndahen 65 për qind për kompaninë dhe 35 për qind të qeverisë.

Por, ka gjasa që koncesioni të mos krijojë rritje kaq të madhe të të ardhurave dhe shqiptarëve t’u kursehet kjo ndarja e paimagjinueshme e taksave 90 me 10 në disfavor të taksapaguesve. Në këtë rast, sipas Ministrisë së Financave, kompania koncesionmarrëse do të marrë 10 për qind të investimit të vet prej 9.57 milionë eurosh. D.m.th, rriten apo nuk rriten të ardhurat, taksapaguesit do të paguajnë gati 1 milionë euro në vit në këmbim të asgjëje.

Tani vijmë te ky 1 milionëshi, i cili duket se është pika më e sigurt e koncesionit. Ministria e Financave, thotë se duhen 9.57 milionë euro për të ndërtuar një sistem elektonik, i cili do të ketë për funksion bazë, të marrë deklaratat fiskale nga doganat dhe t’i sjellë te tatimet. Pastaj të marrë deklaratën e një biznesi që ka importuar një mall dhe ta kryqëzojë atë me deklaratën tatimore të një blerësi me shumicë. Pastaj të marrë deklaratën e blerësit me shumicë dhe ta ballafaqojë me faturën me kasë fiskale të blerësit final. Kjo duket si një shkencë e madhe, por në fakt nuk është. Në fakt, administratat fiskale kanë dy sisteme për të kryer këtë punë: Asycuda është një sistem i tregtisë ndërkombëtare. Nëse një sasi malli niset nga Italia në Shqipëri, deklarata e eksportit në Itali mund të verifikohet dhe ballafaqohet me deklaratën e importit në Shqipëri. Pavarësisht se sistemi është elektronik dhe në kohë reale, të duhet gjithsesi inspektori që të lexojë faturat apo të lexojë kompjuterin. Nëse inspektori nuk e bën punën e vet sepse është i paaftë apo i korruptuar, atëherë teknologjia nuk funksionon. Nuk ka asnjë lloj sistemi kompjuterik që mund t funksionojë në kushtet kur nuk ka administratë për ta përdorur këtë teknologji. Këtu nuk duhet të harrojmë se ASYCUDA është një teknologji që është krijuar në vitin 2004, pa koncesion.

Kostoja e propozuar për krijimin e këtij sistemi me koncesion me funksionet minimale të kërkuar, duket paksa e fryrë. E para, megjithëse prezantohet si një teknologji me fuqi magjike, sistemi i propozuar është qesharak. Bota ka sisteme shumë më të komplikuara se kaq në punë të cilat kanë kushtuar krahasimisht më pak. P.sh, tatimet kanë aktualisht një sistem kompjuterik që quhet COTS dhe që ka kushtuar 10 milionë euro me kosto mirëmbajtjeje prej rreth 1 milionë euro. Sistemi ka për detyrë të menaxhojë deklarimet e të gjithë qytetarëve për plot 12 taksa, përfshirë Tatimin Vlerën e Shtuar.

E vetmja gjë që mungon është inspektori tatimor që duhet të analizojë të dhënat, të gjejë dhe të evazorët.

Dhe ndërsa sistemi aktual ka kushtuar 10 milionë euro me kosto mirëmbajtjeje 1 milionë euro, sistemi i propozuar për t’u ndërtuar me koncesion aludohet se do të kushtojë gati 10 milionë euro për t’u ndërtuar dhe plot 8.2 milionë euro kosto operative çdo vit. Dhe ky sistem do të kryejë vetëm një numër minimal funksionesh në krahasim me COTS.

Qeveria duket se ka vetëm një interes në këtë çështje: të japë një koncesion. Asgjë tjetër nuk bën sens. Nëse qeveria ka identifikuar një problem në menaxhimin fiskal që mund të zgjidhet përmes një programi kompjuterik me disa funksione të caktuara, nuk ka nevojë për koncesion. Mund të hapë një tender dhe të gjejë një kompani programimi që ta ndërtojë këtë program. Asgjë tjetër nuk bën sens. Kemi të bëjmë thjesht me një koncesion të kushtueshëm që në rast se dështon, do ta paguajnë taksapaguesit dhe në rast se ka sukses, do ta paguajnë sërish taksapaguesit, e gjitha në përfitim të asgjëje.