Lajm31 Jul 2018

Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit Bici mbyll vetingun e Gjykatës së Lartë

Gjyqtari Medi Bici është anëtari i katërt i Gjykatës së Lartë që i mbijetoi procesit të rivlerësimit në shkallë të parë. Pesë anëtarë të kësaj gjykate u shkarkuan për mosjustifikim pasurie, përfshirje në korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Medi Bici duke folur me mediat | Foto : BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbylli të martën procesin e rivlerësimit për Gjykatën e Lartë me vendimin e rikonfirmimit në detyrë të gjyqtarit Medi Bici. Pas seancës së shkurtër të shpalljes së vendimit, gjyqtari Bici i cilësoi të drejta vendimet e KPK-së.

“Leksioni më i madh i vetingut është ata që e meritojnë do të rrinë në sistem. Për kolegët [e shkarkuar] ka edhe shkallë tjetër gjykimi. Nëse ka gabime do të ndreqen,” tha Bici për mediat menjëherë pas rikonfirmimit.

Bici është njëri nga katër gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që i mbijetuan procesit të vetingut në shkallë të parë, së bashku me kryetarin Xhezair Zaganjori dhe anëtarët Ardian Dvorani dhe Edmond Islamaj. Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi për pasuri të pajustifikuara, korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar pesë anëtarët e tjerë; Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi dhe Artan Broci.

Përpara startimit të procesit, në vitin 2016, Gjykata e Lartë kishte 17 anëtarë. Por gjashtë prej tyre dhanë dorëheqjen në të njëjtën kohë me mbarimin e mandatit, njëra dha dorëheqjen para mbarimit të mandatit dhe një gjyqtare tjetër u shkarkua për shkak të akuzave për korrupsion.

Konfirmimi i Medi Bicit në detyrë erdhi pas një hetimi të thellë administrativ të KPK-së, gjatë së cilit u rrëzuan edhe konstatimet negative të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Hetimi i pavarur mori në shqyrtim një shtëpi 4-katëshe të ndërtuar në Shkozë gjatë viteve 1993-1996 me vlerë 6 milion, një tokë 2 mijë m2  të përfituar me ligjin 7501, një makinë Chrysler me vlerë 10,000 euro, 10,000 euro shpenzime për shkollimin e fëmijëve në vitet 2008-2011, dhe një likuditet bankar prej 1.8 milionë lekë.

Sipas KPK-së për shtëpinë katër katëshe me sipërfaqe fillestare prej 130 m2, të ndërtuar midis viteve 1993 dhe 1996, gjyqtari ka mospërputhje midis deklaratave veting dhe atyre periodike 2003 dhe 2010, për sa i përket kateve. Ndërkohë, Komisioni ka kërkuar nga Bici dokumente shtesë për të ardhurat e të vëllait, i cili ka mbuluar 10,000 euro shpenzime shkollimi për fëmijët e tij.

Në fjalën e tij përpara Komisionit gjyqtari Bici hodhi poshtë raportin e ILDKPKI, duke nënvizuar që ky institucion nuk i kishte raportuar drejt dokumentet dhe provat që ai i kishte vënë në dispozicion – prova të cilat ai kërkoi të administroheshin nga KPK. Ai nënvizoj se kishte pasur një stil modest jetese, që nuk përfshinte udhëtime jashtë shtetit dhe fëmijët i kishte shkolluar në shkolla publike.