Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi vazhdimin e karrierës në sistemin e drejtësisë nga Enkel Peza, kandidat për magjistrat dhe ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative të Tiranës.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i hapi dritën jeshile karrierës së mëtejshme të Enkel Pezës, kandidat për magjistrat dhe ndihmës ligjor në Gjykatën Administrative të Tiranës. Trupa gjyqësore e kryesuar nga Suela Zhegu shpalli të premten konfirmimin në detyrë të Pezës, pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit.
Juristi Peza mori vlerësim pozitiv nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Vetë Komisioni evidentoi disa mospërputhje në deklarimet e të ardhurave dhe ngriti dyshime për çmimin e blerjes së disa autoveturave, por arriti në fund në përfundimin se subjekti dhe babai i tij kishin të ardhura të ligjshme për blerjen e tyre.
Si DSIK, ashtu edhe Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit nuk kanë konstatuar probleme për pastërtinë e fiugurës. Edhe për aspektin profesional nuk u evidentuan problematika, ndërkohë që relatorja pohoi se Peza rezulton të ketë njohuri të përgjithshme, njeh dhe përdor vendimet e Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave ndërkombëtare.
Në testimin e Magjistraturës, Peza ka siguruar 62 pikë, duke e kaluar kufirin 60%.