Analize9 Feb 2019

Konflikt interesi e deklarime të rreme, KPK “kapi” Alltun Çelën me fjalët e tij

Kryegjykatësi i Sarandës Alltun Çela u penalizua për shkak të qëndrimeve të ndryshme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit rreth pasurive. Çela u gjet nga KPK i papërshtatshëm dhe i paaftë.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine, gjatë seancës dëgjimore të kreut te gjykatws Sarandë, Alltun Çela | Foto : BIRN

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se kryetari i shkarkuar i Gjykatës së Sarandës Alltun Çela, u penalizua gjatë procesit të rivlerësimit nga fjalët e tij. Të paktën tre herë, vëren në vendim KPK, Çela bëri “deklarim të rremë përpara Komisionit”.

Megjithatë, sipas vendimit, shkarkimi i gjykatësit u vendos pasi ai u gjet me shkelje në të tre kriteret. KPK shprehet se Çela bëri deklarim “të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë”, ishte i “papërshtatshëm në kriterin e pastërtisë së figurës” dhe po ashtu u konsiderua me “cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët dhe nuk është efektiv”. KPK thotë se këto probleme nuk mund të ndryshoheshin nga “ritrajnimi për një vit në Shkollën e Magjistraturës”.

Trupa gjykuese që hetoi Çelën u kryesua nga Pamela Qirko, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Xhensila Pine, vendosi shkarkimin e tij për “deklarim të pamjaftueshëm” në kriterin e pasurisë dhe “cënim të besimit të publikut te drejtësia”

Çela u shortua si subjekt i procesit të rivlerësimit në 15 janar 2018, për shkak të funksionit të tij në krye të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë. Gjatë seancës dëgjimore ai kundërshtori gjetjet e KPK në lidhje me pasurinë e tij dhe po ashtu ka kundërshtuar raportin e DSIK-së mbi pastërtinë e figurës, duke nënvizuar se ai nuk përmban prova.  Ai ngriti pretendim se KPK kishte bërë një lapsus, pasi sipas tij KLD e kishte vlerësuar me notë mesatare – për sa i përket aftësive profesionale dhe jo nën mesatare.

Pasuritë me vendim gjykatave që drejtonte

Dy prej pasurive që përmenden në vendim dhe që u cilësuan si problematike nga Komisioni, janë përfituar përmes vendimeve gjyqësore në gjykatat ku Çela ishte anëtar dhe më pas kryetar.

Vendimi i zbardhur i KPK-së zbulon se shtëpia e trashëguar nga babai ishte rregjistruar pas një padie në Gjykatën e Delvinës në kohën kur Çela ishte kryetar i kësaj gjykate. Po ashtu një shtëpi në Sarandë, me sipërfaqe 220 metra katrorë, u përfitua ligjërisht pas një vendimi të Gjykatës së Sarandës në kohën kur Çela ishte kryetar i saj.

Vendimi i zbardhur thotë se në të dyja rastet Çela ishte në konflikt interesi dhe se vendimet ishin marrë mjaft shpejt përndryshe nga sa bëhej në raste të ngjashme.

Sa i përket shtëpisë në një fshat në Delvinë Komisioni thotë se mbetej e paqartë mënyra e përfitimit të pronësisë, ndërsa kishte ndryshime mes deklarimeve të Çelës, vendimit të Gjykatës Delvinë në vitin 1995 dhe Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).

Në vendim rezulton se para Komisioni Çela pretendoi se shtëpia ishte “historike e ndërtuar në breza nga struktura e familjes time. Këtu nuk kemi fitim prone, por vetëm një formalitet teknik, juridik dhe ekonomik të pronës të trashëguar dhe për më tepër nuk kemi përdorim të burimeve financiare.”.

Por vendimi i gjykatës, që në këtë kohë kryesohej nga Çela është i ndryshëm aty thuhet se K. Ç, babai i ndjerë i gjykatësit të shkarkuar, e kishte ndërtuar me forcat e tij një shtëpi banimi që prej vitit 1956. “Paditësi K.Ç. shtëpinë në fjalë e ka ndërtuar konform rregullave, me leje të organeve shtetërore të asaj kohe, pas daljes nga burgu, mbasi para burgosjes së tij nuk ka patur shtëpi.”, citohet prej Komisionit vendimi i gjykatës Delvinë.

Këto qëndrime të Çelës u cilësuan nga KPK si “deklarim i rremë”. Komisioni po ashtu vuri në dyshim sipërfaqen e përfituar pasi nga hetimi rezultoi se ajo ishte 500 metra në AMTP dhe rezultonte 600 metra në vendimin e Gjykatës Delvinë. “Me gjithë shpjegimet e subjektit, për Komisionin mbetet e paqartë se si shtëpia e përcaktuar prej 500 m² në AMTP, u regjistrua me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Delvinë me sipërfaqen prej 600 m²”, thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK thotë se mospërputhja u gjet në dokumentet e dorëzuara nga vetë Çela, por ky i fundit nuk qe në gjendje të shpjegonte se pse vendimi i gjykatës kishte 100 metra të tjera plus.  Në të njëjtën pikë Komisioni thotë se nuk mori shpjegim të arsyeshëm për konfliktin e interesit, ndërsa Çela edhe pse gjyqtar që prej muajit mars, “për të arsyetuar marrëdhëniet juridike të ndodhura në vitin 1995, i referohet legjislacionit të vitit 1996”.

Çela u mbrojt duke pretenduar se “pavarësisht se unë isha në detyrën e drejtuesit të gjykatës nuk kishte pengesë ligjore që babai im të mos ushtronte një të drejtë në gjykatë”. KPK pranoi pjesërisht këtë arsyetim.

Në vendim pranohet se babai i gjyqtarit kishte të drejtë dhe legjitimohej të padiste për fitimin e pronësisë në Gjykatën e Delvinës, por sipas KPK gjykatësi njëkohësisht kryetar gjykate duhej të merrte masa për të shmangur konfliktin e mundshëm të interesit.

KPK ngriti dyshime për faktin se vendimi i gjykatës në këtë rast ishte marrë  për 6 ditë nga padia.   “Duke shkaktuar kështu një konflikt interesi të paktën në dukje, të nxitur edhe më shumë nga shpejtësia me të cilën u vendos ky rast dhe u vendos në favor të babait të subjektit”, thuhet në vendimin e KPK.

Nga vendimi i zbardhur rezulton se një situatë e ngjashme u përsërit 18 vjet më vonë në Gjykatën e Sarandës. Çela, i cili ishte në këtë kohë kryetar i kësaj gjykate, ngriti padi ndaj Bashkisë Sarandë për njohje të pronësisë mbi një godinë 220 metra katrorë, e pasqyruar 110 metra në vendimin e gjykatës. Gjykata doli me vendim në favor të kryetarit të saj vetëm 20 ditë pas rregjistrimit të padisë. “Komisioni konstaton përsëri shpejtësi jo të zakonshme në procedurat gjyqësore të ndjekura në këtë rast”, thuhet në vendim.

Nisur nga situata Komisioni ngriti dyshime për konflikt interesi. “Këto dyshime bazohen në faktin që është kryetari i gjykatës ai që shorton çështjet e ardhura në gjykatë, si dhe në faktin që gjyqtari i çështjes është i njëjti që ka marrë pjesë si ndihmësgjyqtar në vendimin nr. ***, datë 12.10.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Delvinë, që ka njohur si pronar të shtëpisë në fshatin *** babain e subjektit”, thuhet në vendimin e KPK.

Çela e kundërshtoi këtë gjetje duke pretenduar se të gjithat rast “ku palë kanë qenë gjyqtarët e kësaj gjykate, proceset janë zhvilluar në këtë gjykatë”.  Ai po ashtu solli në vëmendje një vendim të KLD-së të nëntorit 2018, sipas të cilit edhe kur palë ishte gjykatësi çështja mund të gjykohej nga ajo gjykatë. Gjithashtu ai vendosi në dispozicion edhe tre vendime të ngjashme me palë kolegë të tij në Gjykatën e Sarandës.

Megjithatë KPK aryestoi se qëndrimi ishte i pabazuar. Duke u nisur nga vendimi i KLD-së Komisioni bëri të qartë se rasti i nëntorit 2018 ishte një përjashtim nga rregulli.  “KLD-ja deri më sot ka mbajtur qëndrimin që ka deleguar gjyqtarë nga gjykatat e tjera në situata të tilla të procedurës civile”, citohet vendimi i KLD-së në të cilin pranohet ndryshimi për situatën aktuale, por rekomandohet që vendimi “duhet të jetë shumë mirë i arsyetuar”.

“Kjo do të thotë se justifikimi i subjektit me qëndrimin e KLD-së në raste të ngjashme, nuk është i vërtetë, sepse praktika ka ndryshuar në vitin 2018, ndërsa vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë është i vitit 2013”, thuhet më tej në vendimin e zbardhur, në të cilin arsyetohet se kjo vendimarrje është “në kushtet e konfliktit të interesit”.

“Për më tepër, në kushtet kur pala kërkuese/paditësi është kryetar i Gjykatës që shqyrton kërkesën/padinë e tij, si dhe epror i gjyqtarit të çështjes, për sytë e publikut, por dhe për të garantuar paanshmërinë në gjykim, duhej të ishte kërkuar delegimi i një gjyqtari nga një rreth tjetër gjyqësor”, thuhet në vendim.

Komisioni në këtë rast konstatoi edhe një mori paqartësish sa i përket sipërfaqes së banesës. Sipas vendimit të zbardhur sipërfaqja e deklaruar nga Alltun Çela në “Deklaratën Veting”  “110 dhe 48.9 metra , ishte e ndryshme nga ajo e njohur në vendimin e Gjykatës dhe e ndryshme nga ajo e deklaruar prej Çelës gjatë pyetjeve të KPK-së.

Vendimi bën me dije se paqartësitë u shtuan prej deklarimit të Çelës se kishte dhënë me qira nipit sipërfaqen prej 48.9 metra katrorë t֝ë shtëpisë, e cila praktikisht nuk ekzistonte më në vitin kur ishte dhënë me qira 2008, pasi subjekti kishte ndërtuar katin shtesë dhe zgjeruar katin e parë në 110 metra në vitin 2005.

Sipas vendimit pasuria është vënë në vitin 1995 dhe ka pasur 8 bashkëpronar që kanë blerë një objekt ekzistues dhe kanë pjesëtuar secili nga  48.9 metra katrorë. Ndërkohë hetimi i Komisionit zbuloi se mbi sipërfaqen 48.9 metra Çela kishte ndërtuar një kat të dytë 110 metra katrorë.

Çela shpjegoi se në fakt në pronësinë e tij që në fillim kishte pasur më shumë metra, por një pjesë kishte qenë ballkon që nuk ishte rregjistruar në pronësi të tij fillimisht pasi ballkonet nuk rregjistroheshin. Një pjesë truall ai pretendoi se edhe pse i përkiste atij edhe pse nuk ishte pjesëtuar dhe ishte shënuar si pasuri e përbashkët.  Të treja bashkë këto sipas tij ishin 110 metra.

Pretendimit të KPK-së se kishte fshehur sipërfaqen prej rreth 61 metra katrorë në katin e parë dhe përshtatjen e saj për banim Çela e kundërshtoi duke pretenduar se  sipas planvendosjes qartësohet sipërfaqja e banesës, për të dy katet e pandryshuar si në vitin 1995. “Qartësisht nuk ka fshehje dhe mosdeklarim të sipërfaqes 61.1 m². Kjo sipërfaqe që është brenda sipërfaqes së katit të parë prej 110 m².”, u shpreh ai.

Komisioni nuk i gjeti fort bindëse këto argumente. KPK shprehet në vendim se ndër të tjera as në deklaratat periodike dhe as në “Deklarimin Veting” gjykatësi nuk kishte përmendur pronësi mbi 110 metra, por vetëm atë mbi 48.9 metra. Po ashtu KPK thotë se edhe në vendimin e Gjykatës së Sarandës përmendej vetëm pronësia mbi shtesën 110 metra. As Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë nuk kishte sjellë vërtetim për pasuri shtesë.

“Për herë të parë, subjekti ka deklaruar sipërfaqen e plotë prej 220 m² vetëm në përgjigje të pyetësorit të bërë nga ana e Komisionit, më datë 05.11.2018. Madje për herë të parë Komisionit i është vënë në dispozicion kartela e pasurisë për këtë pronë, ku tek kuadrati “përshkrim i veçantë” pasqyrohet në mënyrë të detajuar “sipërfaqe trualli 110 m² dhe banesë dykatëshe me sipërfaqe ndërtimi dhe trualli 110 m² për kat”, thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK gjetoi po ashtu probleme me lejen e ndërtimit për shtesën e bërë. Sipas vendimit Çela kishte marë leje për rikonstruksion por kishte bërë ndërtim të ri. Gjykatësi i shkarkuar pretendoi se kjo ishte vetëm një gabim i institucioneve. KPK megjithatë doli në përfundimin se në këtë rast gjykatësi kishte bërë deklarim të rremë, ka cënuar figurën e gjyqtarit duke bërë ndërtim pa leje, ka kryer fshehje të 61 metrave dhe ka ushtruar funksionin e krye gjyqtarit në konflikt intersi.

Njohje pronash në Parkun Kombëtar të Butrintit

Deklarimet e Alltun Çelës u përdorën kundër tij edhe në dy kriteret e tjera të rivlerësimit. Kur iu kalua barra e provës rreth një denoncimi të përmendur në raportin e DSIK-së, Komisioni thotë se pavarësisht se informacioni nuk përmende emra Çela u përgjigj dhe identifikoi pikërisht çështjen për të cilën ishte i dyshuar.

“Komisioni konstaton se subjekti, megjithëse është ndodhur përpara një informacioni të klasifikuar, arrin të diferencojë nga moria e çështjeve që ka shqyrtuar, vetëm një prej tyre, me këtë objekt. Pasi ka sqaruar në shpjegimet e tij procedurat që ka ndjekur, subjekti e ka vlerësuar këtë informacion të klasifikuar si shpifje dhe ofendim për të. Por ai nuk arrin të sqarojë përse ka përzgjedhur këtë rast për të sqaruar”, thuhet në vendimin e zbardhur.

Sipas KPK-së ky ishte vetëm një nga vendimet për të cilat Çela akuzohej. Sipas raportit të DSIK në këtë rast “A. Çela ka marrë një shumë të caktuar parash për ndryshimin e masës së sigurisë së një shtetasi të akuzuar për ndërtim pa leje, shkatërrim prone, mospagim taksash dhe fshehje të ardhurash”.

KPK thotë se gjeti që pasi kishte vendosur një masë sigurie me burg për të akuzuarin, Çela e kishte ndryshuar këtë masë pesë ditë më vonë. Informacioni në këtë rast përfshin edhe një person të dytë, i cili sipas KPK rezultoi po ashtu si denoncues i gjyqtarit dhe i përfshirë në raportet e DSIK-së. Sipas KPK bëhej fjalë për një funksionar të urbanistikës të dënuar për “shpërdorim detyre”.

KPK shprehet se gjyqtari e kishte dënuar personin H.M me 3 vjet burg, një vit më shumë se sa kishte kërkuar prokuroria. Çështja ishte prishur në Apel. Ndërkohë megjithëse e kishte dënuar dhe shprehej se do ta dënonte sërish se “Saranda është bërë një katrahurë e vërtetë”, Çela e kishte thirrur të dënuarin si ekspert në disa raste, përfshi edhe rastin e mësipërm kur ndryshimi i masës së sigurisë u bë bazuar mbi një ekspertizë të këtij personi.

KPK vuri në dyshim arsyetimin e gjykatësit në këtë rast, i cili nga një anë e gjykonte eksperti e urbanistikës fajtorë për katrahurën në Sarandë dhe në anën tjetër e thërriste atë si ekspert në vendime që u gjetën problematike.

Komisioni po ashtu vuri në dukje se në një rast, pas një akuze në raportin e DSIK-së se Çela kishte favorizuar dy të akuzuar për trafik klandestinësh, Gjykata e Sarandës që drejtohej prej tij nuk vuri në dispozicion vendimet. Çela i mohoi akuzat. Ai tha se nuk kishte favorizuar askënd dhe se kishet zbatuar vetëm ligjin.

DSIK po ashtu në raport paraqiti një sërë vendimesh të marra nga gjykatësi i shkarkuar për njohje pronësie në Parkun Kombëtar të Butrintit. Në raport rezulton se vendimet ishin marrë pa praninë e zyrave që mbronin interesin publik. Çela mohoi të kishte dhënë vendime për njohje pronësie në Parkun Kombëtar. Ai pretendoi se “në rast se toka do të ishte brenda zonës së mbrojtur, institucionet shtetërore duhet të njoftonin gjykatën në rast se kishin prova për këtë pretendim”. Por në vendim thuhet se këto gjyqe ishin zhvilluar pa praninë e institucioneve shtetërore të paditura dhe pa praninë e Avokatit të Shtetit.

Një tjetër pikë në të cilën KPK duket se ka bazuar vendimin për shkakrim janë një sërë vendimesh gjyqësore me palë një shqiptar që jeton në Kanada dhe motrën e tij. Një denoncim pranë KPK kishte vënë këtë të fundit në dijeni për mundësinë e konfliktit të interesit.

Në vendimin e zbardhur rezulton se gjyqtari ka mohuar njohjen paraprake mes tij dhe personit që jeton në Kanada, por sipas Komisionit u zbulua një komunik mes tyre në rrjete sociale në vitin 2012, që provon se ata kishin njohje. Gjykatësi dha një sërë vendimesh në favor të këtij personi dhe motrës së tij që sipas KPK-së ishin pas këtij momenti të provuar të njohjes mes tyre.

Një rast tjetër konflikti interesi u zbulua sipas KPK për një pronë 30 metra katrorë të blerë nga një person i cili një vit para këtij transaksioni kishte pasur çështje në gjykatë që ishte gjykuar nga Çela. Gjykatësi pretendoi se vendimi që kishte marrë nuk kishte lidhje me këtë pronë dhe për këtë nuk kishte konflikt interesi. Ai tha se nuk kishte dhënë vendim përfundimtar për këtë çështje, Por KPK u shpreh se vendimarrja dhe më pas transaksioni cënonin besimin e publikut te drejtësia dhe etikën e gjykatësit.

Po ashtu probleme rezultuan pas një denoncimi se pasuritë e vjehrrit të gjyqtarit ishin pasuri të këtij të fundit. KPK nuk mundi ta provonte këtë lidhje, megjithatë në vendim u ngritën dyshime për një apartament të blerë në Tiranë dhe një sipërfaqe 30 metra në Sarandë.

Për të parën KPK tha se dyshimit kishin të bënin me faktin se apartamenti ishte paguar nga të dy pakët, por ishte rregjistruar vetëm në emër të subjektit. Ndërkohë që në rastin e dytë dyshimet u lidhën me një adresë të punës si avokat të dhëndërit të gjyqtarit.

Çela i mohoi problemet. Ai i dha KPK-së se dhëndëri nuk kishte atë adresë të zyrës së avokatisë, por një tjetër. Komisioni e cilësoi këtë deklarim të rremë para tij, pasi sipas vendimit një verifikim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) zbuloi se adresa e zyrës së avokatisë ishte në hapësirën 30 metra.

Në fund KPK doli në përfundimin se raporti i DSIK-së ishte i vërtetë dhe gjykatësi Alltun Çela i papërshtatshëm në kriterin e figurës. Komisioni vendosi se gjetja e Çelës në disa raste të konfliktit të interesit e bënte atë po ashtu të papranueshëm edhe në kriterin profesional. Sipas komisionit në këtë kriter u gjetën edhe një mori problemesh të tjera, përfshi keqmenaxhimin e mënyrës si publikoheshin online vendime. Sipas KPK-së vetëm vendimet e gjyqtarit nuk kishin emrin e tij në sistemin online, por ishin me inicialet A.Ç.