Lajm21 Sep 2021

Kontratat mbi dy apartamente vënë në vështirësi gjyqtarin Izet Dushaj

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Izet Dushaj u përball në KPK me barrë prove mbi kontratat për shit-blerjen e dy apartamenteve, ndërsa u gjet me një bilanc negativ prej 11 milionë lekësh. Dushaj mohoi problemet dhe kërkoi hetim në dy kriteret e tjera.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Izet Dushaj (djathtas) dhe avokati i tij, Eridan Shehu pas seancës në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Izet Dushaj, gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Durrësit u përball me një mori pyetjesh të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në lidhje me shitjen e një apartamenti në Bajram Curri dhe për blerjen e një apartamenti në kryeqytet. Nga hetimi administrativ, Dushajt i ishin gjetur edhe një sërë problemesh të tjera dhe rezultonte sipas Komisionit me një bilanc negativ prej rreth 11 milionë lekësh.

Avokati i Dushajt, Eridan Shehu dhe ai vetë gjatë pyetjeve nga Komisioni i mohuan problemet dhe këmbëngulën se problemet që dilnin nga një sërë kontratash që dëshmonin transaksione kontradiktore me njëri-tjetrin nuk duheshin parë si penalizuese.

Kryesuesja e trupës që hetoi Dushajn, Firdes Shuli vuri në dukje që në fillim të seancës se gjyqtari, me një karrierë të filluar si ndihmës gjyqtar në vitit 1993 në Tropojë, ishte hetuar vetëm në kriterin e pasurisë. Trupa kishte në përbërje edhe Olsi Komicin si anëtar dhe Pamela Qirkon si relatore.  Branko Hrvatin ishte vëzhgues ndërkombëtar.

Kontratat për apartamentin në Tiranë

Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, e kishte gjetur pa probleme gjyqtarin Dushaj. Ky i fundit, siç doli në seancë, veç kursimeve dhe të ardhurave kishte deklaruar vetëm dy pasuri të paluajtshme dhe dy makina.

Por hetimet e KPK gjetën siç relatoi Qirko një mori problemesh në transaksionet me dy pasuritë. Qirko tha se Dushaj kishte nënshkruar një kontratë porosie për një apartament në Tiranë në vitin 2007, por nuk e kishte deklaruar atë. Kontrata noteriale, siç vuri në dukje relatorja bënte me dije se në të njëjtën kohë ishte bërë edhe pagesa e çmimit prej 60 mijë euro, për një apartament 98 metra dhe një shtesë 60 metra.

Dushaj e kishte deklaruar apartamentin në vitin 2008. Ai pretendonte në deklarime se kishte paguar vetëm 50 mijë euro në këtë kohë dhe 10 mijë euro ishin dhënë në vitin 2011, kur ishte bërë edhe kontrata përfundimtare.

Komisioni megjithatë iu referua kontratës së parë si kontratë me vlerë provuese. Qirko tha gjatë relatimit se gjyqtarit i kishin munguar në këtë vit burimet për shumën 60 mijë euro. Qirko tha se burimet e deklaruara i përkisnin vitit 2008 dhe se ato nuk mund të konsideroheshin për këtë objekt.

Relatorja po ashtu vuri në dukje ndër të tjera se edhe burimet më vete kishin probleme. Dushaj kishte referuar një dhuratë nga vëllai në Britani prej 5 mijë paund, por nuk kishte sjellë sipas KPK prova të të ardhurave të tij dhe qëndrimet në vite rreth kësaj dhurate ishin kontradiktore. Komisioni referoi se në vitin 2014, vëllai kishte pretenduar në një deklarim noterial se çdo vit i kishte dërguar 5 mijë paund dhuratë atij, por kjo ishte mohuar më vonë nga Dushaj.

Njësoj me probleme rezultuan edhe kursimet e deklaruara si të shpenzuara për mbulimin e vlerës së apartamentit. Komisioni vuri në dukje se Dushaj rezultonte me bilance negative në vitet para blerjes dhe se kjo pamundësonte krijimin e kursimeve në blerjen e apartamentit.

Eridan Shehu, mbrojtësi i gjyqtarit në seancë tha se kishte sjellë prova shtesë në lidhje me dhuratën. Ai po ashtu pretendoi se KPK kishte llogaritur gabim të ardhurat e gjyqtarit. Shehu këmbënguli se KPK kishte marrë referencë të gabuar minimumin jetik. Ai tha se referimi duhej të bëhej mbi minimumin për rrethin e Tropojës, ndërsa kundërshtoi në teori mënyrën si KPK bënte llogaritë bazuar mbi sondazhet e INSTAT duke thënë se nuk kishte asnjë vendim, ligj apo akt nënligjor që përcaktonte këtë vlerë.

Shitja e shtëpisë në Bajram Curri

Siç doli nga referimi i KPK-së, problemi kryesor i gjyqtarit që rezultonte vetëm për apartamentin në Tiranë me një bilanc negativ prej 7.1 milionë lekësh, ishte kontrata e shitjes së një apartamenti në Tropojë.

Gjyqtari kishte deklaruar shitjen në vitin 2008 për çmimin 30 mijë euro. KPK tha se në parim këto të ardhura nuk mund të konsideroheshin se kishin shërbyer për apartamentin në Tiranë duke iu referuar kontratës që thoshte se ai ishte blerë një vit më herët dhe paratë ishin paguar menjëherë.

Shehu në mbrojtje të klientit të tij pretendoi se KPK duhej t’i referohej kontratës së dytë të bërë në vitin 2011 dhe jo asaj të 2007. Ai tha se subjekti dhe shitësja në këtë rast në mirëbesim për shkak të njohjes nuk i kishin “kushtuar vëmendje” pikës dy të kontratës në të cilën thuhej se pagesat ishin kryer në ditën e nënshkrimit. Ai tha se kontrata e vitit 2011 ishte më e vlefshme dhe detajet e saj përputheshin me faturat e pagesave të kryera.

Por KPK vuri në dukje se në shitje e apartamentit në Tropojë kishte edhe një sërë problemesh shtesë. Në vitin 2011, gjyqtari Dushaj kishte lëshuar prokurë në emër të të vëllait i cili me kontratë noteriale ia kishte shitur këtë apartament, një tjetër blerësi për 2.2 milionë lekë.

Një kontratë e ngjashme ishte bërë në vitin 2018, kur kontrata e vitit 2011 ishte prishur dhe apartamenti i ishte shitur sërish blerësit të vitit 2008.

Qirjako pyeti subjektin në lidhje me këto kontrata, që në fakt tregonin se apartamenti kishte qenë nën zotërimin e tij deri vonë. Dusha pretendoi se këto kontrata ishin bërë për faktin se blerësi i parë nuk kishte bërë regjistrimin dhe kishte tentuar të shmangte pagesat e gjobave që rridhnin prej kësaj.

Ai tha se vëllai nuk kishte pasur tagër për të rishitur apartamentin dhe se kontrata e bërë prej tij nuk kishte vlerë. Dushaj pretendoi padijeni për sa kishte ndodhur, ndërsa këmbënguli se shitja në vitin 2011 prej 2.2 milionë lekësh ishte bërë nga blerësi i parë te i dyti dhe ai ishte përfshirë përmes vëllait vetëm për shkak të mungesës së regjistrimit në hipotekë prej blerësit të parë.

Konflikti i interesit

Dushaj po ashtu dha vetë shpjegime mbi këmbënguljen e relatores sa i përket përdorimit të një makine në pronësi fillimisht të një personi që ishte gjykuar nga Dushaj pesë vjet para marrjes së makinës në përdorim.

KPK vuri në dukje se dyshohej për konflikt interesi. Relatorja vuri po ashtu në dukje se gjyqtari kishte deklaruar se nuk kishte pasur çështje me këtë person me inicialet L.A, por që KPK kishte gjetur se ai kishte shqyrtuar një vendim rivendosje në afat në vitin 2006.

Nga të dhënat e përmendura nga relatorja rezultonte se L.A ishte i dënuar për vrasje. Ai kishte kërkuar rivendosje në afat të apelimit, pasi ishte gjykuar në mungesë dhe një trupë pjesë e të cilës ishte Dushaj i kishte dhënë të drejtë. Komisioni tha se 5 vjet më vonë, Dushaj kishte marrë në përdorim makinën që ishte në pronësi të L.A.

Dushaj dhe mbrojtësi pretenduan se ai nuk kishte pasur dijeni për pronësinë e makinës, sepse atë e kishte marrë nga dikush tjetër. Gjatë përgjigjeve të pyetjeve të relatores, Dushaj që e kishte përdorur makinën për të udhëtuar në Tropojë nga Kosova tha se asnjëherë nuk kishte parë dokumentet e makinës dhe as i kishte ndodhur të kontrollohej. Ai tha se nuk mbante mend të kishte bërë akt përdorimi.

Ai dhe avokati pretenduan po ashtu se duke qenë se kishte ndodhur pesë vjet pas dhënies së vendimit, që sipas mbrojtësit ishte thjesht administrativ, nuk mund të kishte konflikt interesi.

Në seancë, KPK vuri në dukje edhe një sërë problemesh të tjera financiare, në lidheshin me të ardhurat e bashkëshortes, disa dhurata për djalin në shuma 3 mijë paund dhe 3 mijë euro nga të afërm dhe transaksionet në lidhje me një makinë të blerë.

Qirko tha se nga hetimi Dushaj rezultoi me një bilanc negativ prej 11 milionë lekësh. Avokati i gjyqtarit kundërshtoi përfundimet dhe këmbënguli në rillogaritje. Dushaj kërkoi në fund riçelje të hetimit dhe konfirmim në detyrë. Seanca u caktua në 23 shtator, në orën 9.30.