Analize30 Nov 2016

Korça, Kukësi dhe Berati mund të humbasin deputetë

Të dhënat e popullsisë sugjerojnë se tre qarqe të vendit mund të pësojnë rënie të mandateve të deputetëve, ndërsa Tirana do të shtojë dy mandate dhe Durrësi një, por llogaritjet matematike të KQZ po përballen me kundërshti politike.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Komisionerë, gjatë numërimit të fletëve të votimit | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Komisionerë, gjatë numërimit të fletëve të votimit | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Tri qarqe të vendit pritet të humbasin nga procesi i ndarjes së numrit të deputetëve sipas qarqeve, një llogari aritmetike që bazohet mbi statistikat e popullsisë, por që në zgjedhjet e vitit 2013 u bë njëçështje kyçe e debatit politik dhe kështu pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori në shqyrtim  më22 tetor projektvendimin “Për Përcaktimin e Numrit të Mandateve për Çdo Zonë Zgjedhore”, por vendosi që ta shtyjë vendimmarrjen më vonë pas kundërshtive të opozitës. Një shtyrje e dytë u vendos të mërkurën (30 nëntor) dhe mbledhja tjetër e KQZ-së për këtëçështje pritet të zhvillohet të shtunën.

Sipas nenit 75 të kodit zgjedhor, të dhënat e popullsisë sipas regjistrit civil duhet të shërbejnë për të llogaritur numrin e popullsisë për çdo deputet si dhe për të ndarë numrin e deputetëve nëpër qarqe në përputhje me popullsinë e secilit qark.

Aktualisht, Shqipëria ka 4,4 milionë njerëz në regjistrin civil, ndonëse një pjesë e madhe e tyre jetojnë realisht në emigrim, sipas të dhënave të siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi te Ministria e Brendshme. (Të dhënat i përkasin 1 janarit 2016). Sipas kodit të zgjedhjeve, fillimisht KQZ duhet të pjesëtojë shifrën prej 4,4 milionë banorësh me numrin e deputetëve 140 për të përcaktuar numrin mesatar të popullsisë për deputet, që në rastin konkret është 31 mijë. Pas kësaj, popullsia e secilit qark duhet të pjesëtohet me 31 mijë për të nxjerrë se sa deputetë duhet të përcaktohen nëçdo qark. Për pjesëtimet që dalin me presje dhjetore, deputetin e merr qarku që ka shifrën më të përafërt me numrin e plotë.

Në bazë të të dhënave të gjendjes civile, zbatimi i nenit 75 të kodit zgjedhor përmes llogaritjessënumrit të deputetëve për qark sugjeron se Korça, Berati dhe Kukësi do të humbasin nga një deputet, ndërsa Tirana do të fitojë dy deputetë dhe Durrësi do të fitojë një deputet.

Në vitin 2013, një vendim i ngjashëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikonte uljen e numrit të deputetëve për qarqet Berat dhe Korçë si dhe shtimin e deputetëve në Tiranë dhe Durrës. Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë, e kundërshtoi me argumentimin se në qarkun e Kukësit, ku numri i deputetëve nuk u ul, qe shënuar një rritje e pazakontë e regjistrimeve të reja të popullsisë banuese në regjistrin civil.

Në vendimin final, KQZ u nda në votim sipas përkatësisë partiake të anëtarëve dhe vendimi për ndarjen e mandateve nuk mori fuqi. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimi për ndarjen e mandateve sipas qarqeve duhet të marrë pesë vota nga shtatë anëtarët e KQZ-së.

Në mungesë të vendimit nga ana e KQZ, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të lërë të pandryshuar numrin e mandateve, siç qe caktuar për zgjedhjet e vitit 2009. Misioni i Vëzhgimit OSBE/ODIHR e konsideroi mosshpërndarjen e mandateve sipas kodit shkelje të Paragrafit 7.3 të Dokumentit të Kopenhagës, dokumenti që shërben si referencë ndërkombëtare për standardet zgjedhore. Paragrafi 7.3 thotë se se vendet anëtare të OSBE-së duhet të garantojnë barazinë e votës.

Qarqet Popullsia 2016 Mandate 2013 Mandate 2017
Berat 231,154 8 7
Dibër 177,880 6 6
Durrës 434,452 13 14
Elbasan 441,229 14 14
Fier 499,973 15 15
Gjirokastër 152,043 5 5
Korçë 351,876 12 11
Kukës 108,897 4 3
Lezhë 219,092 7 7
Shkodër 335,940 11 11
Tiranë 1,070,273 32 34
Vlorë 381,691 12 12
Totali 4,404,509 140 140