Pas infektimit të një juristi dhe dy punonjësve të tjerë, 14 pjestarë të stafit në burgun e Rrogozhinës janë futur tashmë në karantinë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme thotë se asnjë prej të dënuarve nuk raporton shenja të sëmundjes.
Epidemia e koronavirusit ka prekur edhe burgun e Rrogozhinës, pasi tre pjestarë të stafit rezultuan pozitivë me COVID-19, ndërsa 14 punonjës të tjerë janë vetëkarantinuar deri të hënën.
Nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Femi Sufaj i tha BIRN se një jurist kishte shfaqur simptoma të sëmundjes disa ditë më parë dhe së bashku me mjekun e institucionit kishin shkuar për t’u testuar. Nga ky testim kishte rezultuar i infektuar vetëm juristi, por hetimi epidemiologjik i kryer ka zbuluar edhe dy raste të tjera brenda stafit.
“Është kryer një hetim epidemiologjik, prej nga është kryer vetëkarantinimi i 12 pjesëtarëve të tjerë të stafit që kanë pasur kontakte me juristin dhe mjekun. Nga testimet e kryera kanë rezultuar edhe dy të tjerë pozitivë, ndërkohë që nuk kanë rezultuar probleme tek pjesa tjetër e stafit të vetëkarantinuar,” tha Sufaj, i cili shtoi se në karantinë është edhe drejtuesi i burgut të Rrogozhinës.
Në shkurt 2020, burgu i Rrogozhinës numëronte 306 të dënuar për vepra të ndryshme penale, por sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, asnjë prej tyre nuk rezulton të jetë prekur nga COVID-19.
Nëndrejtori Sufaj i tha BIRN se mjekja e burgut dhe një specialist infeksionist kanë kryer intervista me të burgosurit dhe asnjëri prej tyre nuk ka raportuar shenja të sëmundjes.
“Nga vizitat dhe intervistat e kryera me të dënuarit, deri tani nuk janë evidentuar probleme tek të gjithë ata që vuajnë dënimet në burgun e Rrogozhinës,”tha Sufaj. Ai shtoi se ishin marrë masat për parandalimin e përhapjes së epidemisë mes të burgosurve, si ruajtja e distancës dhe përdorimi i maskave nga ana e stafit gjatë komunikimeve me ta.
Deri të hënën, nga ky burg ishin liruar me leje të përkohshme 54 të dënuar, ndërsa në të gjithë vendin kanë përfituar leje 3-mujore për të qëndruar në shtëpi 270 të dënuar.