Një propozim i qeverisë shqiptare për uljen e tatimit mbi dividentin nga viti i ardhshëm, por me efekt edhe për fitimet e viteve të shkuara, pritet t'i kursejë korporatave kryesore në vend disa dhjetëramilionë euro detyrime tatimore.
Qeveria shqiptare pritet të propozojë në Kuvendin e Shqipërisë uljen e tatimit mbi dividentin nga 15% që është aktualisht në vetëm 8%, me efekt jo vetëm për fitimet e realizuara dhe të shpërndara pas hyrjes në fuqi të ndryshimit ligjor, por edhe për fitimet e pashpërndara të viteve të mëparshme.
Një kopje e paketës fiskale të këtij viti, që aktualisht po diskutohet me grupet e interesit nga Ministria e Financave, tregon se dividentët do të tatohen në masën 8%. Të ardhurat e qeverisë nga tatimi i dividentëve janë aktualisht në rendin e pak milionë eurove dhe ulja nga 15 në 8% nuk pritet logjikisht të sjellë ndonjë ndikim të konsiderueshëm në të ardhurat e buxhetit të shtetit.
Por në një dispozitë kalimtare sugjeron se në fakt, me 8% nuk do të tatohen vetëm dividentët e realizuar pas hyrjes në fuqi të ndryshimit ligjor, por edhe fitimet e së shkuarës.
“Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe përfitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2017 e më parë, me kusht që këto fitime të mos jenë kapitalizuar”, shkruhet në projektligj.
Qeveria shqiptare prezantoi në programin e saj qeverisës në vitin 2017 një ulje të tatimit mbi dividentin, por supozimi ishte ulja e tatimit me efekt pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për shkak se ligji parashikon në mënyrë eksplicite se me 8% do të taksohen edhe fitimet e realizuara më herët por të pashpërndara dhe të mbajtura si “fitime të pashpërndara” në bilanc, atëherë ky ndryshim pritet të prekë disa qindramilionë euro të mbajtura nga korporatat kryesore në vend si të tilla.
Argumentet e dhëna nga Ministria e Financave për këtë ndërhyrje mbështeten në idenë se ulja e barrës fiskale do të rrisë eficencën e përdorimit të kapitalit në ekonomi si dhe në supozimin se tatimi mbi dividentin, i shoqëruar me tatimin mbi fitimin e korporatave është aktualisht në Shqipëri “i lartë”.
“Reduktimi i normës së dividendit nga 15 % në 8 %, prezantohet si një masë e cila do ulë ngarkesën fiskale të investitorëve, duke nxitur alokimin më të shpejtë të kapitalit në ekonomi apo shtimin e konsumit”, shkruhet në relacion.
“Aktualisht norma e tatimit mbi dividendin prej 15 %, duke u kombinuar me normën e tatimit mbi fitimin korporativ 15 %, prodhon një ngarkesë fiskale prej 27.75 %për investitorët. Ndryshimi i propozuar ul ngarkesën fiskale për investitorët në 21.8%, nivel ky i krahasueshëm me tatimin efektiv të pagave të larta” shkruhet më tej në relacion.
Përgjatë 20 viteve të fundit, korporatat me aktivitet në Shqipëri kanë ndjekur metodat e shmangies së detyrimeve tatimore që ndjekin zakonisht korporatat nëpër botë, të cilat përfshijnë mosshpërndarjen e fitimeve dhe mbajtjen e këtyre fitimeve si asete të investuara. Këto kompani në përgjithësi i kanë mbajtur fitimet e pashpërndara në formë investimesh në tituj borxhesh dhe depozita bankare ndërsa vlera e aseteve të tyre është rritur me kalimin e viteve.
Bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit janë korporatat që kanë në bilancet përkatëse fitime të mëdha të pashpërndara. Së paku njëra prej këtyre kompanive janë në proces shitjeje nga aksionerët e tyre, të cilët, nëse vendosin të tërheqin fitimet e pashpërndara, me tatimin e ri do të mund të kursejnë 7% të fitimeve të pashpërndara. Dy kompanitë celulare kryesore në vend, Vodafone dhe T-Mobile kishin në vitin 2017 fitime të pashpërndara në masën 60 miliardë lekë (rreth 500 milionë euro).
Koncesioni i Aeroportit të Tiranës ka gjithashtu në bilanc 2.5 miliardë lekë fitime të pashpërndara ndërsa Raiffeisen Bank ka 12 miliardë lekë fitime të pashpërndara.
Duke qenë se fitimet e pashpërndara të korporatave kryesore në vend janë në rendin e së paku 600 milionë eurove, një ulje nga 15 në 8% të tatimit mbi dividentin do t'i mundësojë aksionerëve të këtyre kompanive të kursejnë dhjetëramjilionë euro detyrime tatimore.
Duke shpjeguar këtë ndryshim, Ministria e Financave të Shqipërisë thotë:
“Krahas propozimit për aplikimin e tatimit të dividendit në shkallën 8 % , gjithashtu është propozuar që po kjo normë të aplikohet edhe për shpërndarjen e dividendëve që mund të bëjë shoqëria dhe që i përkasin fitimeve të viteve para se ky ndryshim të prodhojë efekte (fitimeve të viteve 2017 e me parë). Kjo, pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë gjykon se një incentivë e tillë do të ndikojë pozitivisht si në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ashtu edhe në rritjen e konsumit apo diversifikimit të kapitalit financiar në kompani të ndryshme”.
Duke qenë se të gjitha korporatat kryesore me fitime të pashpërndara janë në pronësi të huaj, nuk bëhet e qartë nëse Ministria e Financave dhe Ekonomisë synon të rrisë konsumin apo diversifikimin financiar në ekonominë shqiptare apo në ekonomitë respektive të aksionerëve të këtyre korporatave.