Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, deri në 25% të fondeve globale humbasin për shkak të korrupsionit. Me miliarda dollarë që shkojnë për vendet në zhvillim për të mbështetur përgjigjet e tyre ndaj COVID-19, ekziston një nevojë urgjente për t’u siguruar që paratë të shkojnë vërtet atje ku ato synohen.
COVID-19 është një bombë me sahat në Afrikë. Disa nga rreziqet janë të dokumentuara gjerësisht. Sistemet e kujdesit shëndetësor janë të dobëta dhe të mbingarkuara, me dhjetë vende afrikane që raportohet se nuk kanë fare respiratorë. Furnizimet ushqimore janë të paqëndrueshme dhe tashmë kanë pësuar ndërprerje të mëdha. Dhe mbi 18 milionë njerëz janë refugjatë ose të zhvendosur brenda vendit, gjë që i bën ata tepër të prekshëm. Por një tjetër pengesë kryesore për përgjigje efikase ndaj COVID-19 po anashkalohet. Kjo pengesë është korrupsion i përhapur.
Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të ndihmojë Afrikën të luftojë pandeminë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pezulluar pagesat e borxhit për 25 vende (kryesisht afrikane) për gjashtë muajt e ardhshëm. Grupi i Bankës Botërore po vë në dispozicion një paketë deri në 12 miliardë dollarë në mbështetje të menjëhershme për të ndihmuar vendet në zhvillim në përballimin e shpërthimit të virusit. Miliarda dollarë ndihmë do të ndahen në Afrikë.
Megjithatë, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, deri në 25% të fondeve globale të prokurimeve humbasin për shkak të korrupsionit. Humbje të tilla janë të përhapura në shumë vende afrikane, ku zyrtarë të lartë të qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërkombëtarë kanë përdorur politika dhe burime publike për t’u pasuruar.
Ilaçet e dhuruara që duhet t’u shpërndaheshin të varfërve janë vjedhur dhe janë shitur për fitim. Kontratat e prokurimeve qeveritare janë manipuluar dhe keqpërdorur. Ndihma e huaj është dërguar nëpër llogari bankare personale. Në fund të marsit, një ish-ministër shëndetësie në Republikën Demokratike të Kongos u dënua me pesë vjet punë të detyruar për përvetësimin e më shumë se 400,000 dollarëve nga fondet e DRC të caktuara për t’iu përgjigjur Ebolës.
Megjithatë, shumica e zyrtarëve të korruptuar dhe liderëve të biznesit nuk përfundojnë kurrë në burg. Për ta, vjedhja e parave të destinuara për popullatat e cenueshme është një punë e zakonshme dhe, duke pasur parasysh lidhjet e tyre të fuqishme, dënimi është shpesh gjëja e fundit që u kalon nëpër mend.
Kjo mund të jetë shumë më e vërtetë edhe gjatë krizës së COVID-19, sepse kufizimet e lëvizjes dhe mbyllja e zyrave kanë penguar punën kundër korrupsionit nga ana e organeve mbikëqyrëse, aktivistëve dhe shtypit. Nëse nuk merren masa së shpejti, shumë vende afrikane mund të përballen me një numër të lartë vdekjesh, jo vetëm nga COVID-19, por edhe nga mbështetje e pamjaftueshme ekonomike dhe mbrojtjeje sociale.
Shmangia e këtij rezultati varet nga kërcënimi i besueshëm për dënimin e kujtdo që kapet duke vjedhur fonde ose që dëmton përpjekjet për frenimin e COVID-19 për përfitimin e tyre. Për fat të mirë, tashmë ekzistojnë mekanizma për administrimin e dënimeve të tilla: një grup politikash financiare të provuara dhe të vërtetuara nga qeveritë, institucionet multilaterale dhe bankat në të gjithë botën.
Në Shtetet e Bashkuara, Akti Global Magnistky për Përgjegjësinë për të Drejtat e Njeriut i jep Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) të Departamentit të Thesarit autorizimin të vendosë sanksione për këdo që angazhohet në korrupsion në sektorin publik. Vjedhja, devijimi ose pengimi i burimeve të destinuara për përgjigjen ndaj COVID-19 do të binte në këtë kategori.
OFAC ka një qasje me të vërtetë globale: duke pasur parasysh epërsinë globale të dollarit amerikan, shumica e transaksioneve financiare ndërkombëtare prekin sistemin financiar amerikan. Si rezultat, OFAC mund të ndërpresë në mënyrë efektive njësitë ekonomike nga sistemi financiar ndërkombëtar.
Rrjeti i Mbikëqyrjes së Krimeve Financiare – Zyra e Departamentit të Thesarit e ngarkuar me luftimin e pastrimit të parave të vendit dhe ato ndërkombëtare, luftimin e financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare – gjithashtu ka një rol kryesor. Organet këshillimore të FinCEN u japin bankave udhëzime për përpilimin e raporteve të veprimtarisë së dyshimtë, të cilat njësitë e inteligjencës financiare mund t’i përdorin për të ndjekur hetimet e korrupsionit. Gjatë krizës COVID-19, FinCEN mund të lëshojë një raport këshillues kundër pastrimit të parave, duke paralajmëruar bankat në të gjithë botën që të përforcojnë kujdesin e duhur për transaksione të dyshimta financiare të lidhura me përgjigjet emergjente të shëndetit publik.
Po kështu, bankat që operojnë në Afrikë mund të rrisin në mënyrë të pavarur kuadrot e tyre të vlerësimit të rrezikut dhe ekzaminimin e transaksioneve, në mënyrë që të zbulojnë aktivitetin e dyshimtë përsa i takon fondeve të lidhura me pandeminë. Duke qenë se bankat tashmë kontrollojnë krimet financiare, ato thjesht do të duhet të zgjerojnë fokusin e tyre në aktivitete të dyshimta që përfshijnë zyrtarë të lartë të qeverisë, kompani në prokurimet e shëndetit publik dhe në sektorin më të gjerë shëndetësor.
Grupi Egmont i njësive globale të inteligjencës financiare, në të cilin FinCEN është anëtar, mund të bashkëpunojë për të hetuar devijime të financimit të shëndetit publik nga aktorë të korruptuar. Edhe pse këto para zakonisht dalin jashtë vendit, marrëveshjet për ndarjen e informacioneve të Grupit Egmont ndihmojnë në kapërcimin e kësaj pengesë, duke lehtësuar hetimet ndërkombëtare.
Ndërkohë, qeveritë dhe institucionet financiare duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur grupet afrikane të shoqërisë civile, bizneset përgjegjëse dhe zyrtarët e shqetësuar që ngrenë shqetësime dhe denoncojnë raste korrupsioni. Provat që mbledhin këta aktorë do të lehtësojnë veprimet ligjore kundër rrjeteve të zyrtarëve dhe biznesmenëve të korruptuar.
Këto zgjidhje nuk janë vetëm teorike. Ato janë përdorur në Sudanin e Jugut dhe Republikën Demokratike të Kongos, dhe kanë pasur rezultate inkurajuese. Tregtari izraelit i diamanteve, Dan Gertler, bëri miliona duke plaçkitur burimet natyrore të Republikës Demokratike të Kongos falë marrëveshjeve me zyrtarë të korruptuar dhe pastroi paratë përmes sistemit bankar ndërkombëtar. Por – të armatosur me dosje hetimore nga The Sentry (ku unë jam bashkëthemelues me George Clooney), raporte nga Global Ëitness dhe me punën e gazetarëve investigativë – SHBA-ja vendosi sanksione ndaj Gertler-it dhe rrjetit të tij global.
Në Sudanin e Jugut, organet këshillimore kundër pastrimit të parave nga qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe e kanë bërë shumë më të vështirë lëvizjen e të ardhurave nga korrupsioni nëpërmjet sistemit financiar ndërkombëtar. Në fakt, sanksionet e vendosura ndaj zyrtarëve kryesorë të qeverisë dhe ndërmjetësuesve të tregtarë në vend – të kombinuara me masat kundër pastrimit të parave – kanë ndihmuar në çuarjen e palëve ndërluftuese drejt paqes.
Gjatë një pandemie, ekziston një tundim për t’u përqendruar vetëm në mbrojtjen e shëndetit publik dhe nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike. Por dështimi për të vazhduar – madje edhe për ta intensifikuar – luftën kundër korrupsionit mund t’i dëmtojë ndejshëm ato përpjekje. Vetëm duke vënë në zbatim ndëshkime të besueshme për cënimim e përgjigjeve ndaj COVID-19, ne mund të sigurohemi që zyrtarët qeveritarë dhe elitat e biznesit do t’i përgjigjen nevojave urgjente të njerëzve, në vend që të përfitojnë nga mjerimi i tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Killer Corruption