Korrupsioni në gjyqësor, polici dhe shëndetësi, si dhe diskriminimi i grave dhe dhuna në familje mbetën problematikat kryesore të Shqipërisë sipas raportit më të fundit të DASH për Të Drejtat e Njeriut 2016.
Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për të Drejtat e Njeriut të publikuar në fillim të këtij muaji, u vlerësua se problemet më serioze të Shqipërisë mbeten ato të një viti më parë: korrupsioni, dhuna në familje dhe diskriminimi i grave.
Fjala “korrupsion” u përmend 33 herë në raportin që analizoi situatën në vend në lupën e të drejtave të njeriut përgjatë vitit 2016 dhe lidhej kryesisht me policinë, gjyqësorin dhe shëndetësinë.
Sipas raportit “Policia nuk e zbatoi gjithmonë në mënyrë të barabartë ligjin. Njohjet personale, lidhjet politike ose kriminale, infrastruktura e dobët, mungesa e pajisjeve ose mbikëqyrja e dobët shpesh ndikuan zbatimin e ligjeve.”
Burgjet, të cilat janë në varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, patën kushte nën standardin e pranuar në burgje dhe dhomat e paraburgimit, sidomos mbipopullim, infrastruktura të vjetra, dhe mungesë trajtimi mjekësor për të burgosurit. Thuhet policia dhe rojet e burgjeve në disa raste kanë rrahur dhe keqtrajtuar të dyshuarit dhe të burgosurit dhe me raste, kanë mbajtur personat përtej afateve të paraburgimit pa asnjë akuzë – thekson raporti.
Në analizën vjetore gjyqësori zuri një vend kryesor në qendër të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
“Megjithëse kushtetuta garanton gjyqësor të pavarur, trysnia politike, kërcënimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara hera-herës ndaluan gjyqësorin të vepronte i pavarur dhe në mënyrë efikase”, shkruhej në raport.
Mungesa e seancave të hapura gjyqësore për publikun në shumë raste, shpërfillja ndaj urdhrave të gjykatës, mos-zbatimi i masave disiplinorëve ndaj gjykatësve nga Ministria e Drejtësisë dhe ngurrimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’i zbatuar ato në rastet e lëshuara, qenë disa nga problemet e sistemit të drejtësisë.
“Gjykatësit organizuan shumë seanca dëgjimore në zyrat e tyre, gjë që tregoi mungesë profesionalizmi dhe ofroi mundësi për korrupsion” saktësoi raporti.
Korrupsioni gjithashtu dëmtoi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në kujdesin shëndetësor, ku përveç spitaleve problem mbeti trajtimi mjekësor për të burgosurit, personat me aftësi të kufizuar, grupet e margjinalizuara (komuniteti rom dhe egjiptian dhe LGBTI), siguria në punë dhe emigrantët.
Raporti “Të Drejtat e Njeriut 2016” e cilësoi pandëshkueshmërinë një problem, ku ndjekja penale, dhe veçanërisht prova e fajësisë, e zyrtarëve që kishin kryer abuzime mbetën sporadike dhe të paqëndrueshme.
“Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe ata me interesa të forta biznesi shpesh arritën të shmangnin ndjekjen penale” – thuhej në të.
Dhuna në familje
“Dhuna në familje kundër grave, përfshirë abuzimin bashkëshortor, mbeti problem serioz. Policia shpesh nuk kishte trajnimin ose kapacitetin për të shqyrtuar si duhet rastet e dhunës në familje” u theksua në raport.
Diskriminimi ndaj grave vazhdoi të ishte dëmtonte respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
DASH përmendi rastet e shumta të gratve që përjetuan diskriminim social bazuar në normat tradicionale sociale që i përshkruajnë gratë si të nënshtruara ndaj burrave, si dhe raportime për diskriminim gjinor në punësim.
Liria e shtypit
Raporti vlerësoi pikëpamjet e gjera të shprehura nga media e pavarur aktive në Shqipëri, ndonëse nënvijëzoi “disa përpjekje për të ushtruar trysni të drejtpërdrejtë ose jo, politike e ekonomike në media, përfshirë kërcënime dhe dhunë kundër gazetarëve që u përpoqën të hetonin histori krimi dhe korrupsioni”.
Qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikojnë median në mënyra të gabuara, dhe pati raportime të dhunës dhe kërcënimeve ndaj njerëzve të medias, ku u përmendën rastet e dhunës ndaj gazetarit sportiv Eduard Ilnica dhe shkarkimi nga puna i gazetares Alida Tota.
“Pavarësia e Autoritetit të Mediave Audiovizive, rregullatorit të tregut të mediave transmetuese, ka mbetur e diskutueshme”.
Raporti vjetori i Departamentit Amerikan të Shtetit mbulon gjendjen e të drejtave të njeriut në rreth 200 vende të botës me synimin që ligjvënësit të orientohen dhe të mbajnë përgjegjësi për fushat themelore të një jete të barabartë dhe të lirë.