Pasi Amnesty International i bëri thirrje Serbisë të ndalojë eksportin e armëve në Kamerun, Kosova e ka akuzuar Serbinë se po përdor armët për të mos i lejuar vendet të njohin pavarësinë e saj.
Ministria e Jashtme e Kosovës të dielën akuzoi Serbinë se po u shet – ose madje edhe dhuron- armë vendeve për t’u ndërruar atyre mendjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ministria tha se ishte “e shqetësuar” nga zbulimet e organizatave ndërkombëtare, si Amnesty International, se armët e prodhuara në Serbi po përfundojnë në shtetet afrikane të shkatërruara nga lufta dhe në duart e organizatës terroriste islamike Boko Haram.
Ministria tha se “publikimi i këtyre provave përforcon bindjen se Serbia ka përdorur dhe po përdor ende, shitjen ose dhurimin e armëve si një mjet diplomatik për të bindur disa vende për të mos njohur Kosovën”.
Amnesty International dhe Bellingcat deklaruan se kishin vërtetuar se një armë e parë në një video ekzekutimi në Kamerun e grave dhe fëmijëve të akuzuar se i përkisnin Boko Haramit ishte një Zastava M21 e prodhuar në Serbi.
Amnesty tha për BIRN se Kameruni kishte përdorur armë të prodhuara nga Serbia në një sërë “shkeljesh sistematike” të të drejtave të njeriut. Ai i ka bërë thirrje Serbisë të pezullojë eksportin e saj të armëve në shtetin afrikan.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por ka luftuar për të fituar njohje, sidomos në Afrikë dhe Azi, përkundër një sfondi armiqësie serbe. Nga 193 shtetet anëtare të OKB-së, rreth 110 e kanë njohur Kosovën. Megjithatë, ka kundërshtime për numrin e saktë, pasi Serbia pretendon se disa vende kanë tërhequr njohjen e tyre të mëparshme.