Një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës politike në Kosovë, policia arrestoi shumë aktivistë dhe anëtarë të Vetëvendosjes me justifikimin e disa ngjarjeve të ndodhura në vitin 2009.
Një ditë para një proteste të opozitës kundër qeverisë, Kosova arrestoi disa zyrtarë të opozitës nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke argumentuar se arrestimet lidhen me akuza të ngritura fillimisht në vitin 2009.
Mëngjesin e të martës, policia arrestoi deputetin Glauk Konjufca si dhe dy zyrtarë të tjerë, Skënder Mërturi dhe Kasim Uka. Zëdhënësi i Vetëvendosjes Frashër Krasniqi u arrestua natën e të hënës. Edhe 22 aktivistë të tjerë janë nën ndalimin e policisë.
Policia argumenton se arrestimet lidhen me disa aksione politike të Vetëvendosjes të kryera në vitin 2009, kur të dyshuarit përmbysën 28 automjete të misionit të BE-së EULEX në protestë ndaj rolit të këtij misioni në Kosovë.
Me përjashtim të njërit prej të dyshuarve, i cili sakaq kishte dalë në gjyq, pjesa tjetër akuzohen se nuk u paraqitën në shumicën e seancave, duke vonuar gjyqet dhe duke e shtyrë gjykatësin të lëshojë urdhërarreste për shumicën e tyre.
Arrestimet e fundit ndodhën vetëm një ditë para një proteste të njoftuar të opozitës dhe Vetëvendosje akuzoi se autoritetet i kryen arrestimet qëllimisht në këtë kohë për të sabotuar protestën.
“Sa më shumë afrohet protesta, aq më shumë panik shfaq estabilishmenti. Kjo nuk do të ndalojë opozitën dhe protesta do të jetë e madhe,” tha Vetëvendosje.
Opozita ka shpallur protestën e vet të mërkurën në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke bërë thirrje që qeveria e Isa Mustafës të dorëhiqet dhe vendi të zhvillojë zgjedhje të parakohëshme.
Partitë e opozitës kanë nisur një fushatë e cila në shumë raste është përshkallëzuar në dhunë si dhe kanë prishur punimet e kuvendit që nga tetori i kaluar.
Ata dëshirojnë që qeveria të mos miratojë marrëveshje të debatuara me Serbinë dhe Malin e Zi ose që së paku të mbajë një referendum për to.
Në veçanti, ata kundërshtojnë një marrëveshje me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke argumentuar se ky hap mund të destabilizojë Kosovën dhe ta fusë atë në rrugën e Bosnjës, ku Republika Srpska funksionon si shtet brenda shtetit dhe bllokon zhvillimin e vendit.
Arrestimet e opozitës kanë qenë të zakonshme në Kosovë gjatë viteve të fundit. Në fund të vitit 2015, 13 deputetë të opozitës u arrestuan pasi hodhën gaz lotsjellës në shumë seanca plenare të Kuvendit të Kosovës në përpjekje për të penguar vendimmarrjen e Kuvendit. Katër prej tyre janë aktualisht nën procedura gjyqësore.