Parlamenti i Kosovës të premten, siç pritej, miratoi tre projektligje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, duke i dhënë asaj atributet e një ushtrie.
Parlamenti i Kosovës të premten në një lexim të dytë miratoi tre projektligje për Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, duke zgjeruar kompetencat e saj dhe duke krijuar një bazë ligjore për transformimin e saj në një ushtri të rregullt.
Të tre projektligjet kanë të bëjnë njëri drejtpërdrejt me Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, një tjetër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe i treti me shërbimin në FSK.
Nga 120 deputetë, 106 mbështetën projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes dhe 105 mbështetën ligjin mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës. Projektligji për shërbimin në FSK u mbështet nga 107 vota.
“Që nga ky moment, ne kemi zyrtarisht ushtrinë e Kosovës,” tha kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, pas votimit.
Deputetët nga Lista Srpska e mbështetur nga Beogradi e bojkotuan seancën.
Gjatë seancës plenare kur u zhvillua votimi, në kuvend ishin të pranishëm edhe presidenti Hashim Thaçi dhe anëtarë të lartë të FSK-së.
Veseli e nisi seancën plenare me një minutë heshtje në nder të të gjithë brezave të të burgosurve politikë, lëvizjeve studentore, ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe të gjithë atyre që kishin kontribuar që Kosova të jetë në gjendje të votojë dhe të formojë ushtrinë e vet.
Duke miratuar ligje për ndryshimin e kompetencave të FSK-së, parlamenti anashkaloi nevojën për të miratuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për ta shndërruar FSK-në në një ushtri të rregullt, gjë të cilën Serbia e kundërshton.
Një detyrim kushtetues për këtë do të kërkonte një “shumicë të dyfishtë” – që do të thotë përkrahjen e dy të tretave të të 120 deputetëve dhe dy të tretat e 20 deputetëve joshqiptarë etnikë.
Deputetët serbë të Kosovës, të cilët kanë 10 nga 20 vendet në parlament të rezervuara për komunitetet joshqiptare, kanë bllokuar të gjitha nismat e tilla në të kaluarën.
Totali aktual i FSK-së numëron rreth 2,200 staf dhe është formuar në vitin 2009, e ngarkuar me kryerjen e detyrave jo ushtarake që nuk janë të përshtatshme për policinë, siç janë operacionet e kërkim-shpëtimit, lehtësimet nga përmbytjet dhe ofrimin e ndihmës humanitare.
NATO gjithashtu i ka bërë thirrje Kosovës të mos vazhdojë me një hap të tillë, duke e quajtur atë “të papërshtatshme”, dhe i bëri thirrje asaj të konsultohet më parë më NATO-n dhe të gjithë aktorët e tjerë në vend, që i referohet qartë komunitetit serb të Kosovës.