Buxheti i Kosovës për vitin 2019 i ka caktuar ministrisë së mbrojtjes 6 milionë euro shtesë për të ndihmuar në fillimin e procesit të ngadaltë të transformimit të Forcës së Sigurisë së vendit, FSK, në një ushtri të rregullt.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës do të ketë gjashtë milionë euro më shumë për të shpenzuar në buxhetin e vitit 2019 sesa vitin e kaluar – pasi parlamenti i vendit votoi për të zgjeruar kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, si edhe nisi transformimin e saj në një ushtri të rregullt.
Buxheti i planifikuar për mbrojtje në vitin 2019 është 58.7 milion euro; vitin e kaluar ai ishte 52.3 milion.
Nga totali, 54.5 milion euro janë të destinuara për FSK-në, e cila nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it për planet e investimeve ushtarake.
“Rreth 21.9 milion euro janë parashikuar për FSK-në për investime kapitale,” sqaroi për BIRN Ibrahim Shala i Ministrisë së Mbrojtjes.
Diferenca midis “investimeve kapitale” të FSK-së këtë vit dhe 2018 do të ishte rreth 3 milionë euro, sipas Shalës. Ai tha se ministria mori “mbi 17 milionë” për investime në 2018.
Qeveria planifikon të investojë gradualisht gjatë disa viteve në transformimin e FSK-së në një ushtri.
“Për të mos e shtrënguar buxhetin e shtetit gjatë procesit të transformimit, plani është të rritet buxheti për FSK-në me 5 milionë euro çdo vit,” tha Shala.
Parlamenti i Kosovës në dhjetor miratoi tre projektligje për FSK-në, duke zgjeruar kompetencat e saj dhe duke krijuar një bazë ligjore për transformimin e saj në një ushtri të rregullt.
Një ligj drejtpërdrejt ka të bëjë me FSK-në, një tjetër ka të bëjë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe një i tretë me shërbimin në FSK.
Duke miratuar ligje që thjesht ndryshuan situatën aktuale të FSK-së, parlamenti anashkaloi nevojën për të miratuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për krijimin e një ushtrie të rregullt – gjë të cilën Serbia e kundërshton.
Një detyrim kushtetues për këtë do të kërkonte një “shumicë të dyfishtë” – që do të thotë mbështetjen e e dy të tretave të të gjithë 120 deputetëve dhe dy të tretat e 20 deputetëve joshqiptarë.
Deputetët serbë të Kosovës, të cilët mbajnë 10 nga 20 vendet në parlament të rezervuara për komunitetet joshqiptare, kanë bllokuar të gjitha nismat e tilla në të kaluarën.
Kosova i miratoi ligjet pavarësisht paralajmërimeve nga NATO, e cila i kërkoi Kosovës që të konsultohet me NATO-n dhe të gjithë aktorët e tjerë relevantë në vend, që do të thotë kryesisht me minoritetin serb të Kosovës. NATO e quajti ndryshimin “të pavend”.
Një ekspert për çështjet ushtarake dhe sigurinë në Kosovë, Ramadan Qehaja, së fundmi tha për BIRN se votimi i ligjeve është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe të vështirë për transformimin e forcës aktuale në një ushtri.
Planifikimi i duhur, sipas Qehajës, është sfida kryesore me të cilën do të përballet forca.
“Ajo duhet të fillojë nga fillimi, nga presidenti deri te ushtari i fundit në rend,” tha ai. Dhënia përparësi e çështjeve për gatishmërinë operacionale ishte një tjetër sfidë që duhet të analizohet siç duhet, shtoi ai.
Një sfidë tjetër për procesin do të jetë çështje e buxhetit, sipas Qehajës. Kosova ka pak para për pajisje moderne të mbrojtjes.
“Kapacitetet do të përfundojnë gradualisht. Nuk mund të themi tani se çfarë do të kemi në aspektin e armatimeve apo automjeteve të blinduara,” pranoi ai.
Por ai sugjeroi që planifikimi mund të fillojë tani me shpërndarjen e armatimit që ka forca aktuale, pasuar nga ato që vendi do të marrë si donacione ose që do të blejë.