Lajm7 Jan 2021

Kosova cakton datën e zgjedhjeve mes debateve kushtetuese

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i hapi rrugën zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë në shkurt – ndërsa ngriti gjithashtu dilema nëse udhëheqësi i opozitës kryesore Albin Kurti është apo jo kandidat i vlefshëm për deputet.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Zgjedhjet në Kosovë të dielën. Foto: Atdhe Mulla.

Presidentja në Detyrë Vjosa Osmani shpërndau parlamentin të mërkurën dhe shpalli se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohen më 14 shkurt.

Vendimi erdhi pak orë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që koalicioni aktual qeverisës i kryeministrit Avdullah Hoti ishte i paligjshëm për shkak se ai u votua me ndihmën e një vote të pavlefshme të një deputeti që kishte dënim penal.

Ndërsa vendimi i hapi rrugën Presidentes në Detyrë të të shpallë zgjedhje, ai shkaktoi gjithashtu debate nëse udhëheqësi i opozitës kryesore, ish-kryeministri Albin Kurti i lëvizjes Vetëvendosje është apo jo i zgjedhshëm si deputet.

Në janar 2018 një gjykatë dënoi me burg me kusht katë deputetë të Vetëvendosjes – Kurtin, Donika Kadaj-Bujupin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin – sepse hodhën gaz lotsjellës në parlament.

Në atë kohë Vetëvendosja kundërshtonte marrëveshjen e qeverisë së atëhershme për demarkimin e kufirit me Malin e ZI dhe një marrëveshje tjetër e arritur me Serbinë si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në krijimin e asosacionit gjysmë-autonom të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarët e Vetëvendosjes thonë se Kurti do të jetë pjesë e listës së kandidatëve pavarësisht dënimit.

“Përpjepja për të krijuar rrethana jo-ekzistente, të pabaza dhe të pasakta është e papranueshme dhe e gabuar… Dita e zgjedhjeve do të jetë një manifestim solemn i demokracisë kur Vetëvendosje, me një listë të udhëhequr nga Albin Kurti, do të fitojë mbështetje të gjerë popullore,” deklaroi  Albulena Haxhiu, ish-ministre e Drejtësisë për Vetëvendosjen.

Gjithsesi, Faton Fetahu, një jurist që ka punuar me çështje të shqyrtuara në Gjykatën Kushtetuese, mendon se vendimi e ndalon Kurtin që të garojë në zgjedhje apo partinë e tij për të prezantuar Kurtin si kandidat për kryeministër.

“Gjykata Kushtetuese ka qartësuar se duhet të ketë figura të pastra në parlament, të padënuar për vepra penale,” i tha Fetahu BIRN.

Kurti fitoi gati 184,000 vota në zgjedhjet e vitit 2019, sondazhet e paraqesin atë si kandidat kryesor për kryeministër.

Ish anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Gjyljeta Mushkolaj tha se vendimi i ri i gjykatës “është më i komplikuar nga sa duket në pamje të parë. Është e rëndësishme që Gjykata ka kundërshtuar mandatin e një deputeti, i cili duhej ta kishte humbur mandatin më herët,” i tha ajo BIRN.

Por ajo sheh se ka debate dhe tensione mes ligjit dhe kushtetutës kur vjen puna te e drejta e njerëzve për të garuar në zgjedhje.

“Me këtë interpretim kam frikë se Gjykata Kushtetuese vetëm sa ka nisur një problem shumë serioz që mund të shkaktojë ankesa të tjera në gjykatë nga ata që janë ndaluar të garojnë si deputetë,” thaMushkolaj.

Kreshnik Gashi, kreu i programit “Drejtësi në Kosovë” të BIRN tha se vendimi ngre shumë pyetje, përfshirë për zgjedhjet lokale që pritet të zhvillohen më vonë këtë vit.

“Kjo do të vijojë të prodhojë kriza politike. Interpretimi i këtij vendimi do të shkaktojë kriza të tjera për shkak se ka shumë kandidatë për kryetarë komunash që kanë probleme me ligjin,” paralajmëroi Gashi.