Vrasja e liderit të partisë serbe të Kosovë, Oliver Ivanoviç, në janar 2018 është pasuar nga dy vjet shkëmbime akuzash midis Prishtinës dhe Beogradit, por sfondi i vrasjes vazhdon të mbetet i zhytur në mister.
Dy vjet pasi politikani serb Oliver Ivanoviç u qëllua për vdekje jashtë zyrës së partisë së tij në qytetin Mitrovicës në Kosovë më 16 janar 2018, gjashtë vetë do të gjykohen për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e tij.
Por kjo çështje ka ende shumë të panjohura – përfshirë edhe emrin e vrasësit – dhe marrëdhëniet e tensionuara midis Beogradit dhe Prishtinës e kanë komplikuar akoma më tej procesin e kërkimit të së vërtetës se kush fshihet pas vrasjes dhe çfarë i motivoi ata të vrisnin Ivanoviçin.
Fakti që Serbia nuk e njeh Kosovën si të pavarur e ka komplikuar akoma më shumë hetimin.
Ndërkohë, zyrtarë nga të dy vendet e kanë përdorur gjithashtu vrasjen në përpjekje për të fituar pikë në grindjet e tyre të përditshme politike, disa prej tyre duke bërë pretendime të rënda dhe të pabazuara në lidhje me faktin se kush fshihet pas vrasjes së politikanit 64-vjeçar.
Të dyshuarit kryesorë vazhdojnë të jenë të lirë
Në dhjetor 2019, pas pothuajse dy vjet hetime, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzoi gjashtë persona për pjesëmarrje ose organizim të një grupi kriminal, shpërdorim detyre, asistim në një vrasje, armëmbajtje të paligjshme, zbulim të sekreteve zyrtare dhe shpërdorim provash në lidhje për çështjen e vrasjes së Ivanoviçit. Aktakuzat që atëherë është përditësuar, por versioni i fundit i saj nuk është bërë ende publik.
Gjyqi i të dyshuarve në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë duhej të fillonte në të njëjtin muaj, por seanca u shty deri në shkurt.
Aktakuza fillestare përmendi gjithashtu dy serbë të njohur të Kosovës, Milan Radoiciç dhe Zvonko Veselinoviç, si drejtues të grupit kriminal përgjegjës për vrasjen.
Deri më tani, nuk është ndaluar asnjë nga këta të dy. Në nëntor 2018, oficerët e Forcës Speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, hynë në shtëpinë e Radoiciçit, i cili është nënkryetari i partisë serbe të Kosovës, Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, në përpjekje për ta arrestuar atë.
Ata nuk arritën ta arrestonin dot atë, pasi Radoiciç nuk ishte në shtëpi. Në fakt, ai tashmë ishte i sigurt në Serbi.
Jo shumë kohë para vdekjes së tij, Ivanoviçi e kishte përshkruar Radoiciçin, pronar i një kompanie kamionësh dhe mbledhës borxhesh, si figurën kyçe dhe mbajtësin e vërtetë të pushtetit në veriun me shumicë serbe të Kosovës. Partia Liri, Demokraci, Drejtësi e Ivanoviçit ishte në opozitë me Listën Serbe.
Ivanoviç tha gjithashtu disa herë para se të vritej se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime dhe kishte kërkuar ndihmë nga Kosova, Serbia dhe të tjerët, por pa asnjë përgjigje.
Menjëherë pas mësymjes së dështuar në shtëpinë e Radoiciçit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e etiketoi atë si të dyshuarin kryesor për vrasjen e Ivanoviçit dhe tha se i takonte Beogradit të ndërmerrte masa për ndalimin e tij.
“Të dyshuarit kryesorë janë në Beograd. Pra, Beogradi duhet të jetë bashkëpunues, duke mos i strehuar, por duke i dorëzuar ata, si dhe duhet të ndihmojë që të vendoset drejtësi. Kjo është përgjegjësi e Serbisë”, tha Thaçi.
Radoiciç ka mohuar çdo keqbërje dhe zyrtarë nga Partia Progresive të Serbisë, partia në pushtet, kanë qenë të prirur ta mbrojnë atë nga akuzat.
“Milan Radoiciç nuk është një lule, por ai nuk ka marrë pjesë në asnjë mënyrë në eliminimin e liderit të partisë Liri, Demokraci, Drejtësi, Oliver Ivanoviç”, këmbënguli presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një konferencë për shtyp në korrik 2019.
“Kjo është përcaktuar përmes metodave të ndryshme të kontrollit dhe monitorimit të Radoiciçit”, shtoi ai.
Në një deklaratë me shkrim, Radoiciç tha se ai nuk do të dorëzohej para autoriteteve të Kosovës, por se “me ftesë të shtetit tim, të Serbisë”, ai ishte gjithnjë i gatshëm të jepte një deklaratë.
Radoiciç më pas u mor në pyetje nga Ministria e Brendshme serbe në Beograd në nëntor 2019.
Kreu i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Djuriç, tha për mediat më pas se Radoiciç iu nënshtrua tetit poligrafik, i cili tregoi se ai nuk ishte fajtor për vrasjen – pavarësisht faktit se testet poligrafike nuk mund të përdoren si prova në gjykatat serbe, sipas ligjit.
Djuriç gjithashtu pohoi se autoritetet e Kosovës kishin kërkuar ta vrisnin Radoiciçin gjatë mësymjes në shtëpinë e tij.
“Jam shumë i bindur që ata donin ta vrisnin Radoiciçin dhe, nëse do të eliminohej, ai do të fajësohej përgjithmonë si fajtori i asaj vrasjeje”, tha Djuriç.
Në korrik 2019, prokurori special i Kosovës u tha mediave lokale se ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar për arrestimin e Radoiciçit, edhe pse emri i tij ende nuk është i listuar në faqen e internetit të Interpolit si i kërkuar.
Radoiciçi dhe i dyshuari tjetër i arratisur, Zvonko Veselinoviç, një biznesmen kontrovers i cili gjithashtu ka lidhje me partinë qeverisëse serbe, vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.
Ashtu si Ivanoviçi i vrarë, Veselinoviçi është një “ish-rojtar ure” – një nga serbët që monitoronin urën që ndan serbët dhe shqiptarët e Kosovës në qytetin e Mitrovicës, dhe ishte akuzuar për dhunë etnike.
Në kohën e vdekjes së tij, Ivanoviç po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në vitin 1999. Megjithatë, në periudhën e pas luftës, ai kishte evoluar në një politikan të moderuar, i cili mbronte bashkëjetesën midis pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare dhe kritikonte qeverinë e Beogradit.
Presidenti serb përmend një shqiptar të Kosovës si “autor të krimit”
Në korrik 2019, Vuçiç njoftoi se kishte një të dyshuar në çështjen Ivanovic – Florim Ejupi.
“Ne mendojmë se kemi emrin e vrasësit, të autorit. Shqiptarët nuk e kanë këtë emër, ata s’ia kanë idenë fare. Ne po përpiqemi të sigurojmë prova materiale dhe t’i bëjmë ato publike”, tha Vuçiç.
Ejupi më parë është liruar nga akuzat për bombardimin e një autobusi që transportonte pasagjerë serbë në kufirin Serbi-Kosovë në shkurt 2001, një sulm në të cilin vdiqën 12 persona.
Vuçiç përmendi edhe një të dyshuar tjetër të mundshëm. Ai e pyeti se çfarë bënte Nexhmedin Zekaj, një shqiptar i Kosovës për të cilin Vuçiç tha se ka ndryshuar emrin që atëherë dhe e ka bërë Lirim Zekaj, në kohën e vrasjes së Ivanoviçit në veriun e Kosovës.
Megjithatë, nga Beogradi që atëherë nuk është bërë publike asnjë provë që e lidh Ejupin apo Zekajn me vrasjen e Ivanoviçit.
Deklarata e Vuçiçit që akuzonte Ejupin u pasua me akuza shtesë nga kreu i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Djuric, i cili pretendoi se Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Abelard Tahiri, po mbronte vrasësit.
Djuriç i përshkroi autoritetet e Kosovës si “bashkë-ekzekutues” të Ivanoviçit. Tahiri u përgjigj duke akuzuar zyrtarët serbë se po abuzonin me pushtetin e tyre duke “u përpjekur të fshihnin një krim”.
Një tjetër pikë konflikti midis Beogradit dhe Prishtinës ishte roli i njërit prej të akuzuarve, oficerit të policisë serbe të Kosovës Dragisa Markoviç, i cili ishte personi i parë që shkoi në skenën e krimit, sipas aktakuzës së gjashtë të dyshuarve në gjykim.
Prokuroria Speciale e Kosovës pretendoi se Markoviç i zbuloi informacione nga skena e vrasjes Ivanoviçi një tjetër oficeri policie në Serbi. Gjatë një hetimi të telefonit të Markoviçit, policia vendosi se ai i kishte telefonuar tre herë një oficeri serb.
Megjithatë, këto tri telefonata nuk figuronin në një raport të operatorit të telefonisë celulare Telekom Srbija që iu kalua prokurorëve të Kosovës, sepse Beogradi u përpoq t’i fshihte ato, pretendon aktakuza.
Kamerat filmuan Markoviçin duke i dhënë udhëzime policit tjetër të pranishëm në vendin e ngjarjes, Zarko Jovanoviç, i cili mori një gëzhojë dhe e futi atë në xhep.
Një tjetër mosmarrëveshje përqendrohet te kamerat e vëzhgimit në selinë e partisë së Ivanoviçit, të cilat ishin fikur në kohën e vrasjes.
“Çfarë ndodhi me filmimet e mbledhura nga zyra e partisë, para së cilës u vra Ivanoviçi?” pyeti Vuçiç në korrik 2019.
Që atëherë, autoritetet e Kosovës kanë akuzuar sekretaren e Ivanoviçit, Silvana Arsoviç, duke pretenduar se ajo i ndezi përsëri kamerat pas vrasjes.
Sipas aktakuzës, kamerat nuk punonin nga 4 janari deri më 16 janar, kur Arsoviç ishte personi i vetëm i pranishëm në zyrën e partisë.
Një dëshmitar anonim në këtë çështje gjithashtu ka pohuar se disa nga policët serbë të Kosovës po operonin nën kontrollin e Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë dhe ishin përgjegjës për fshehjen e provave.
Sipas dëshmitarit, zyrtarët kontrolluan kamerat jo vetëm pranë vendit të ngjarjes, por edhe përgjatë rrugës që përshkoi makina e përdorur nga vrasësit, dhe ia fshehën këto pamje autoriteteve të Prishtinës.
Beogradi akuzon Prishtinën dhe anasjelltas
Që nga koha e vrasjes, Beogradi dhe Prishtina kanë vazhduar të shkëmbejnë akuza në lidhje me mungesën e bashkëpunimit të palës tjetër në hetim.
Vuçiç u ankua në korrik 2019 se autoritetet e Prishtinës nuk e pranuan kërkesën e Serbisë për të marrë pjesë në hetim.
“Pse institucionet e përkohshme në Prishtinë nuk e pranuan kërkesën e autoriteteve serbe për përfshirje të plotë në hetimin për vrasjen e Ivanoviçit?” pyeti ai.
Ndërkohë Albin Kurti, lideri i partisë opozitare të Kosovës Vetëvendosja, pohoi se vrasja e Ivanoviçit ishte një tjetër shembull i Serbisë që përpiqet të tregojë se ajo vazhdon të mbajë ende pushtetin në veriun me shumicë serbe të Kosovës.
“Nga njëra është shpjegimi që dëshiron të tregojë Serbia – që askush tjetër në Kosovë të mos mendojë ndryshe – se veriu me shumicë serbe i Kosovës nuk mund të jetë kurrë Kosovë dhe se ai është një vend ku Serbia jo vetëm sundon, sundojnë gjithashtu edhe strukturat e saj të sigurimit të shtetit, sepse është e qartë që vrasja është kryer në një mënyrë shumë profesionale”, tha Kurti për BIRN.
Vuçiç ndërkohë akuzoi Prishtinën se “ka punësuar një rrjet shërbimesh sekrete të huaja dhe bashkëpunëtorë të tyre në mënyrë që Serbia të akuzohet për krimin”.
Djuriç tha gjithashtu në mars 2019 se autoritetet serbe ishin “gjithnjë e më të sigurt se pas vrasjes fshiheshin presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i parlamentit, Kadri Veseli”.
Ai nuk ofroi asnjë provë për pretendimet e tij.