Lajm9 Feb 2018

Kosova dhe Serbia kritikohen se nderuan të dënuarit për krime lufte

Aktivistë të të drejtave të njeriut kritikuan Asamblenë e Kosovës për mbajtjen e një minute heshtje për të përkujtuar vdekjen e Haradinë Balës, të dënuarit të vetëm kosovar nga Gjykata e Hagës për krime lufte.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Haradin Bala në gjykatë në Hagë. Foto: ICTY.

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut i bëri të premten thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ndalojnë së nderuari të dënuarit për krime lufte, pas një përkujtimoreje që u mbajt në Asamblenë e Kosovës për të vetmin kosovar të dënuar nga Gjykata e Hagës dhe pasi një oficer i dënuar serb i Bosnjës mori pjesë në një event të sponsorizuar nga shteti në Beograd.

“Nuk ka asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që mund të sjellë paqe dhe zhvillim për të dyja shoqëritë, nëse si Kosova ashtu edhe Serbia nuk mbledhin forcë për të dënuar kriminelët e luftës nga shoqëritë e tyre dhe për të nderuar të gjitha viktimat e luftës.” tha YIHR në një deklaratë.

Anëtarët e Kuvendit të Kosovës mbajtën një minutë heshtje më 31 janar për të përkujtuar vdekjen e të dënuarit të vetëm kosovar nga Haga për krime lufte, Haradin Bala.

Bala, një ish-guerilas i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vdiq në moshën 60 vjeçare pasi u lirua para përfundimit të dënimit në fillim të vitit 2013.

Minuta heshtje u propozua nga deputeti Milaim Zeka nga partia e koalicionit qeverisës Nisma për Kosovën.

“Të gjithë njerëzit në botë do t’i nderonin vlerat e tyre, njerëzit e tyre, heronjtë e tyre. Mbrëmë ndërroi jetë një njeri i madh, një njeri që ka dhënë një kontribut të madh për këtë vend, këtë komb dhe falë tij, sot ne jemi ulur në parlamentin e Kosovës. E kam fjalën për Haradin Balën,” tha Zeka.

YIHR tha gjithashtu se pjesëmarrja e kohëve të fundit e ish-oficerit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Vinko Pandureviç, i cili u dënua për krime lufte në Srebrenicë, në një diskutim të sponsorizuar nga shteti në Beograd në lidhje me marrëdhëniet Serbi-Kosovë, ishte një fyerje për viktimat e luftërave të viteve 1990 .

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë të mos i nderojnë kriminelët e luftës dhe në vend të kësaj të përqendrohen në procesin e pajtimit,” tha YIHR.

Në nëntor 2005, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e shpalli Haradin Balën fajtor për torturim, trajtim çnjerëzor dhe vrasje dhe e dënoi me 13 vjet burg.

Bala u shpall përgjegjës për keqtrajtimin e të burgosurve në kapin e burgimit të Llapushnikut gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Vinko Pandureviç, një ish-komandant i Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 13 vjet burg për rolin e tij në masakrat e Srebrenicës. Ai u shpall fajtor për ndihmë dhe pjesëmarrje në krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Pas lirimit të tij në vitin 2015, ai tashmë jeton në Beograd me familjen e tij.