Analize11 Feb 2019

Kosova dhe Serbia përballen për Trepçën

Një përpjekje nga ana e Kosovës për të marrë kontroll të plotë mbi kompleksin e minierave të Trepçës kërcënon të komplikojë më tej përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Autor: Blerta Begisholli, Filip Rudic BIRN Prishtinë, Beograd
Printo

Minatorë në Trepçë. Foto: Fitim Selimi/Wikimedia

Duke vazhduar para me një plan për të marrë kontrollin e plotë të kompleksit dikur të fuqishëm të Trepçës të minierave të plumbit, zinkut dhe argjendit, Kosova është përplasur me Serbinë në lidhje me fatin e një ikone industriale të pretenduar nga të dyja palët.

Më 6 shkurt, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënshkroi në ligj vendimin e ligjvënësve për të miratuar Statutin e Trepçës, hapin e fundit në një përpjekje një vjeçare për të marrë kontrollin e plotë të minierave.

Serbia është zotuar se do ta kundërshtojë këtë lëvizje, ndërsa Bashkimi Europian ka thënë se pronësia e Trepçës duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje detyruese e negociuar në Bruksel dhe që synon të zgjidhë marrëdhëniet mes Serbisë dhe ish-krahinës së saj jugore, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Statuti i jep dritën jeshile transformimit të Trepçës nga një kompani shtetërore në një shoqëri aksionare, 80 për qind e mbajtur nga qeveria dhe 20 për qind nga punëtorët e saj.

Ndërkohë, Serbia është e zemëruar, duke pasur frikë se Prishtina mund të bllokojë llogaritë e pjesës serbe të kompleksit dhe të mos e lejojë atë të eksportojë.

Tensionet tashmë janë të larta. E zemëruar nga lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të saj në Interpol, Kosova në nëntor ngriti tarifat mbi produktet serbe dhe boshnjake në 100 për qind.

“Aktualisht, kjo po përdoret për qëllime politike,” tha gazetari dhe komentatori ekonomik serb Milan Culibrk.

“Ne po krijojmë komplikime të tjera, të cilat thjesht pakësojnë shanset për vazhdimin e dialogut.”

E mbushur me pretendime kreditorësh

Para se Jugosllavia socialiste të shpërbëhej, Trepça përbënte dy të tretat e të prodhimit ekonomik të Kosovës, por për vite me radhë ajo ka funksionuar në minimum, e ngarkuar me më shumë se një miliardë dollarë amerikanë borxhe të pretenduara nga kreditorë të ndryshëm.

Sipas të dhënave që BIRN siguroi nga Bordi i Mbikëqyrësve të Trepçës, rreth 85 për qind e burimeve të saj natyrore janë të vendosura në territorin e banuar nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa 15 për qind janë në një xhep verior ku jetojnë serbë etnikë dhe Serbia vazhdon të ketë një shkallë kontrolli.

Megjithatë, pjesa veriore, ajo që kontrollohet nga Serbia, prodhon dhe eksporton më shumë. Në jug janë të punësuar rreth 1,260 minatorë dhe personel tjetër, krahasuar me 3,000 që janë të punësuar në veri, ku pellgjet e minierave shtrihen përgjatë kufirit në Serbinë jugore. Në kulmin e saj, në kohën e Jugosllavisë, në Trepçë ishin të punësuar 20,000 njerëz.

Një nga fabrikat e Trepçës, pranë qytetit verior të Mitrovicës në Kosovë. Foto: Albanarexha1/Wikimedia.

Autoritetet serbe pretendojnë se vetëm pjesa veriore e Trepçës ka rezerva prej 51 milionë ton plumb dhe zink, me vlerë dhjetëra miliarda euro. Ekspertët, megjithatë, vënë në pikëpyetje koston e nxjerrjes së tyre nga toka.

Zëdhënësja e BE-së Maja Kocijanciç tha se fati i kompleksit duhet të vendoset si pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, por Kosova u indinjua.

“Përgjigjja e Kocijançiç për mediat serbe se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut me Serbinë është e pashembullt, e papranueshme dhe një shkelje e sovranitetit të Kosovës,” shkroi në Tëitter këtë javë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kreu i sindikatës së pavarur të Trepçës, Shyqyri Sadikhu, kërcënoi të mërkurën se do të organizojë protesta sindikale jashtë zyrave të BE-së në Prishtinë nëse Kocijanciç nuk e tërheq deklaratën e saj.

Kocijanciç u përgjigj se temat në tryezën e dialogut në Bruksel përcaktoheshin nga Beogradi dhe Prishtina, e jo nga BE-ja.

Menaxhuesit e pjesës së kontrolluar nga serbët janë të bindur se nuk do të përulet para vendimit të parlamentit të Kosovës dhe se nuk do të bashkëpunojnë me Bordin e Mbikëqyrësve të ngritur nga Prishtina.

“Mexhanimi i Trepçës (veriore) nuk e njeh autoritetin e Bordit të Mbikëqyrësve,” tha për BIRN menaxhimi serb.

Ndërmarrjet rivale të ndërthurura

Por ndërkohë që refuzon të njohë legjitimitetin e Bordit, pjesa veriore e Trepçës punon me të, megjithëse në mënyrë indirekte.

Është Bordi që miraton të gjitha marrëveshjet e eksportit dhe shitjeve, edhe pse ndërmarrja serbe komunikon me të nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës.

Aktualisht, kompania veriore është e regjistruar në regjistrin e biznesit serb si Kompleksi Minerar, Metalurgjik dhe Kimik i Trepçës, ose RMHK, por ka gjithashtu një subjekt juridik të regjistruar në Kosovë – Ndërmarrja Trepça dhe paguan taksa në Kosovë.

Raportet financiare të RMHK Trepça në regjistrin e biznesit në Serbi nuk tregojnë fitimet e subjektit juridik të regjistruar në Kosovë.

Por sipas lidershipit të saj, Ndërmarrja Trepça korr qindra milionë dollarë amerikanë në vit.

“Sa i përket prodhimit tonë vjetor, ai vlen rreth 200 milionë dollarë,” thanë drejtuesit e Trepçës serbe për BIRN.

Kjo bën të duket e ulët vlera e eksporteve të kompanisë jugore të plumbit dhe zinkut për vitin 2018, të cilat kishin një vlerë prej pak më shumë se 11.5 milionë euro. Trepça e drejtuar nga shqiptarët e Kosovë merr gjithashtu subvencione nga qeveria e Kosovës me prodhimin në rënie gjatë katër viteve të fundit.

Ardian Syla, drejtor i Bordit të Mbikëqyrësve, tha për BIRN se rreth tre milionë euro nga buxheti i shtetit i vitit 2019 ishin rezervuar për Trepçën, të ndara midis pagave dhe transfertave nga njëra anët dhe investimeve kapitale nga ana tjetër.

Syla tha se prodhimi kishte rënë, kryesisht për shkak të mungesës së punëtorëve të rinj. Mosha mesatare e punonjësve të Trepçës është 53 vjeç, tha ai, dhe Trepça ka pesë apo gjashtë vjet tashmë që nuk i ka zëvendësuar punëtorët e dalë në pension.

Beogradi ka thënë vazhdimisht se Trepça serbe nuk merr subvencione shtetërore dhe drejtuesit e saj thonë të njëjtën gjë.

Ekonomisti Miodrag Zeç tha se suksesi i ardhshëm i Trepçës mbështetej në gjetjen e një partneri të huaj për rikapitalizim.

“Derisa kushtet të normalizohen dhe xeherori dhe koncentrati mund të shfrytëzohen në të dyja anët e “vijës ndarëse”, Trepça nuk do të jetë në gjendje të bëjë biznes normalisht,” tha Zeç për BIRN.

Strukturë e zymtë pronësie

Objekti në Mitrovicë i parë nga lart. Foto: Arben Llapashtica/Wikimedia.

Kosova e bëri për herë të parë lëvizjen e saj për Trepçën në tetor 2016, duke votuar për ta kaluar atë nën kontrollin e qeverisë për të shmangur falimentimin.

Që nga lufta e viteve 1998-1999, kur Kosova u shkëput nga Beogradi, kompleksi i minierave ishte mbajtur në kujdes dhe zyrtarisht u përgatit për shitje nga Agjencia Kosovare e Privatizimit e krijuar nga Kombet e Bashkuara.

Struktura e saj e zymtë e pronësisë, megjithatë, ka përpjekje të gjata për të zgjidhur fatin e saj.

Bordi i Mbikëqyrësve të Trepçës u themelua nga Prishtina më 4 prill 2018, por kishte vetëm gjashtë nga nëntë anëtarë të planifikuar. Minierat e kontrolluara nga serbët nuk pranuan të plotësonin tre vendet e tjera.

“Ne i kemi ftuar drejtuesit e veriut në çdo takim që kemi pasur, por ata nuk i janë përgjigjur kërkesave tona,” tha Syla.

Tani, pas votimit mbi Statutin, Bordi i Mbikëqyrësve do të kryejë një studim fizibiliteti për të vlerësuar pasuritë dhe nevojat e Trepçës. Pala kosovare thotë se pret ende që drejtuesit serbë t’i bashkohen bordit.

Për të tërhequr investime të huaja, legjislacioni i ri e udhëzon qeverinë të shqyrtojë dhënien e aksioneve, duke vulosur një partneritet publik-privat ose duke kërkuar investime direkte ose përbashkëta private. Syla nuk dha afat kohor për një zgjidhje.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN.

Por ndihmës drejtori i saj, Petar Petkoviç, paralajmëroi të dielën për mundësinë që Kosova mund të bllokojë llogaritë e ndërmarrjes serbe.

“Kur krijohet një kompani e re, strukturat aktuale të menaxhimit dhe njësitë organizative pushojnë së ekzistuari,” tha ai për televizionin shtetëror të Serbisë, RTS. “Kjo mund të nënkuptojë se ata duan të bllokojnë llogaritë dhe të ndalojnë prodhimin dhe eksportin e koncentratit të plumbit dhe zinkut.”