Lajm14 Sep 2021

Kosova do të mbajë zgjedhjet vendore, pavarësisht shtimit të rasteve me COVID-19

Mes shtimit të rasteve me COVID-19, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe krerët e partive politike nuk mundën të binin dakord të pranonin një rekomandim të Institutit të Shëndetit Publik të vendit për të shtyrë zgjedhjet lokale të planifikuara të mbahen më 17 tetor.

Autor: Përparim Isufi BIRN Prishtinë
Printo

Foto ilustruese.

Presidentja Vjosa Osman tha për mediat të hënën në mbrëmje, pas takimit me krerët e partive politike të Kosovës, se për shkak të mungesës së konsensusit, procesi i zgjedhjeve lokale do të vazhdojë siç ishte planifikuar dhe zgjedhjet e 17 tetorit nuk do të shtyhen.

Votuesit e Kosovës do të dalin në votime pas një rritje të infektimeve nga COVID-19 në javët e fundit, gjë e cila ka bërë që Instituti i Shëndetit Publik të shprehë shqetësimin se tubimet publike të pritura gjatë fushatës mund ta përkeqësojnë situatën.

“Bazuar në situatën aktuale epidemiologjike… Instituti i Shëndetit Publik mendon se një proces zgjedhor që përfshin tubime publike paraqet rrezik që infektimet të përhapen dhe të shtohen, dhe, si pasojë, ekziston rreziku i një rritje të rasteve që përfshijnë vdekje”, tha Instituti i Shëndetit Publik në një letër dërguar presidentes Osmani javën e kaluar.

“Ne rekomandojmë shtyrjen e procesit zgjedhor – sidomos ndalimin e aktiviteteve publike dhe tubimeve të qytetarëve deri në vlerësimin tjetër epidemiologjik”, tha Instituti.

Por Osmani tha se partitë nuk ranë dakord për këtë.

“Pavarësisht rekomandimit, opinioni mbizotërues ishte se procesi zgjedhor nuk duhet të shtyhet. Unë respektoj të drejtën e partive”, tha ajo.

Vetëm kryeministri Albin Kurti, kreu i Vetëvendosjes në pushtet, dhe disa nga aleatët e tij nga partitë e pakicave etnike e mbështetën rekomandimin.

“Kemi një përmirësim të situatës epidemiologjike kohët e fundit dhe në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet, ne jemi për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Kurti.

Por rekomandimi nuk u prit mirë nga partitë opozitare.

“Qëndrimi ynë është që shëndeti i qytetarëve duhet të jetë prioritet, por edhe shëndeti i demokracisë”, tha Memli Krasniqi, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, për mediat pas takimit me Osmanin.

Një tjetër lider i opozitës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, gjithashtu kundërshtoi shtyrjen e zgjedhjeve, por premtoi se partia e tij do të jetë aktive vetëm për pesë ditë gjatë fushatës zgjedhore në vend të 30 ditëve të lejuara sipas Kodit Zgjedhor.

“Zgjedhjet nuk mund të shtyhen sepse kjo krijon një precedent. Unë i kam kërkuar secilit kandidat të LDK-së të respektojë masat dhe të mos kontribuojë në rritjen e infektimeve”, tha Abdixhiku.