Pasi qeveria e Kosovës shkarkoi një ministër etnik serb, i cili tha se shqiptarët kishin fabrikuar masakrat e fundit të viteve 1990, ajo ka vendosur ta cilësojë si vepër penale mohimin e krimeve të luftës.
Me propozimin e zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, qeveria e Kosovës miratoi të enjten një nismë për të kriminalizuar ata që mohojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës për pavarësi në fund të viteve 1990.
Hoxhaj tha se përfaqësuesit politikë serbë të Kosovës në partinë Lista Serbe të mbështetur nga Beogradi, si dhe zyrtarët shtetërorë në Serbi, kishin fshehur për shumë kohë të vërtetën dhe kishin mohuar krimet e vërtetuara të kryera nga Serbia në provincën e saj të mëparshme.
“Nga aspekti politik dhe moral ky është një krim i dyfishtë, prandaj mendoj se duhet të ndërmarrim një nismë ligjore dhe të ndërmarrim hapa konkretë për të ndëshkuar deklarata, qëndrime dhe individë që mohojnë krimet e Serbisë dhe gjenocidin në Kosovë,” tha Hoxhaj në mbledhjen e qeverisë.
Ai shtoi se shumica e vendeve perëndimore i trajtojnë mohimet e krimeve dhe gjenocidin si një krim dhe si fyerje ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe kombit që iu nënshtrua krimeve të tilla.
Vendimi vjen pasi kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin etnik serb të qeverisjes vendore, Ivan Teodosijeviç, pasi i përshkroi shqiptarët e Kosovës si terroristë dhe fabrikues të masakrave.
Të premten, ai emëroi kryetaren e Administratës Komunale të Mitrovicës së Veriut Adriana Hodziç si zëvendësuesen e Teodosijeviçit.
Duke hedhur poshtë “të ashtuquajturën katastrofë humanitare në Kosovë” në fund të viteve 1990, ai e quajti masakrën famëkeqe të Reçakut të vitit 1999 “të fabrikuar” dhe tha: “Terroristët shqiptarë janë ata që i bënë të gjitha këto dhe kryen krimet më të mëdha në Kosovë.”
Zyrtarët serbë e mbështetën fort ministrin e shkarkuar dhe përsëritën të njëjtin pretendim.
“Këta politikanë shqiptarë duhet të arrestohen për krimet e kryera gjatë viteve 1990-2004 dhe t’i përgjigjen pyetjeve se përse dëbuan 247,000 serbë nga Kosova,” tha Marko Djuriç, kreu i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, për televizionin publik serb RTS.
“Kur të arrestohen vetë, mund të pretendojnë të drejtën për të nxjerrë këdo tjetër në gjyq,” shtoi ai.
Në një njoftim për shtyp të nxjerrë nga Djuriç të enjten, ai gjithashtu përdori fjalën fyese “siptari” për shqiptarët, duke iu referuar vendimit të Kosovës si një “deklaratë cinike e terroristëve dhe kriminelëve shqiptarë”.
Zëdhënësja e BE-së për çështjet e jashtme, Maja Kocijanciç, tha se “nuk ka vend për mohimin apo relativizmin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak, Kosovë, në janar të vitit 1999”.
Ajo shtoi: “Duke respektuar viktimat, autoritetet duhet të tregojnë përmbajtje dhe të punojnë sinqerisht për një vlerësim të drejtë të së kaluarës. Rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.”
Shkarkimi i Teodosijeviçit erdhi pasi Haradinaj shkarkoi një tjetër zyrtare të qeverisë serbe të Kosovës më 25 mars.
Zv/ministrja e drejtësisë Vesna Mikiç u shkarkua se akuzoi NATO-n për “gjenocid” në 20 vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të aleancës ushtarake më 24 mars.
Fushata ajrore e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqte forcat e saj nga Kosova në vitin 1999 dhe krijoi bazat që Kosova të shpallte pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk është zotuar se nuk do ta njohë.