Lajm22 Dec 2020

Kosova drejt zgjedhjeve të reja pasi qeveria Hoti shpallet e paligjshme

Kosova do të mbajë zgjedhje të reja parlamentare pasi Gjykata Kushtetuese vendosi që qeveria është e paligjshme, sepse ajo u votua me një votë të pavlefshme nga një deputet i cili është dënuar për një krim.

Autor: Xhorxhina Bami BIRN Prishtinë
Printo

Avdullah Hoti. Foto: Facebook/Avdullah Hoti.

Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën se qeveria e kryeministrit Avdullah Hoti është e paligjshme sepse u votua me shumicë në Kuvendin e Kosovës ku përfshihej edhe vota e hedhur nga deputeti Etem Arifi, i cili ishte dënuar me burg për korrupsion.

“Një person i dënuar për një vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet ose të fitojë një mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Gjykata Kushtetuese.

Arifi u dënua me një vit e tre muaj burg më 20 gusht 2019. Ai mori mandatin e deputetit më pak se dy muaj më vonë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor 2019.

Duke qenë se vota e Arifit për qeverinë Hoti ishte e pavlefshme, “qeveria nuk mori shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Zgjedhjet e reja tani duhet të mbahen brenda dy muajve, sipas vendimit të gjykatës, dhe Kosova do të ketë qeverinë e saj të tretë brenda më pak se dy viteve.

Presidentja në detyrë Vjosa Osmani do të takohet me partitë politike të martën.

“Partitë politike do të ftohen nesër (e martë) nga presidentja në detyrë Osmani për të diskutuar datën e zgjedhjeve”, tha për BIRN këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, të hënën në mbrëmje.

Partia më e madhe e opozitës e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, e cila çoi ankesën në gjykatë, e mirëpriti vendimin në favor të saj.

“Ne e prisnim një vendim të tillë nga Gjykata Kushtetuese duke pasur parasysh që vetëm dhjetë ditë pasi u votua qeveria Hoti, Vetëvendosja arriti në përfundimin se një votë ishte e paligjshme”, tha për BIRN Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, një ish-ministre e drejtësisë.

Partia e Hotit, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, duket se e pranoi vendimin.

“Vendi po shkon në zgjedhje. Gjykata nuk lë hapësirë për komente”, tha për BIRN nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.

Qeveria e udhëhequr nga Hoti mori shumicën minimale prej 61 votash në Asamblenë me 120 vende kur u votua më 3 qershor.

Qeveria e Hotit u krijua pasi partia e tij, LDK, rrëzoi qeverinë e mëparshme të udhëhequr nga Albin Kurti  përmes një mocioni mosbesimi.

Shtatëmbëdhjetë deputetë të Vetëvendosjes nisën një ankesë se qeveria e udhëhequr nga Hoti ishte e paligjshme, e cila çoi në vendimin e së hënës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Disa minuta pas botimit të vendimit të së hënës, lindën pyetje nëse dënimet e disa deputetëve të Vetëvendosjes për hedhje gazi lotsjellës në një protestë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 do të bëjë që ata të mos mund të garojnë në zgjedhje.

Gjykata Themelore e Prishtinës në janar 2018 dha dënime me burg për katër deputetë të Vetëvendosjes – Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli.

Por eksperti ligjor i BIRN në Kosovë, Labinot Leposhtica, argumentoi se një dënim me kusht nuk është një dënim përfundimtar me burg dhe për këtë arsye vendimi i gjykatës nuk do të privojë të drejtën e deputetëve të Vetëvendosjes për të kandiduar për një vend në parlament.