Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton iu drejtua turmave të njerëzve që u mblodhën në Prishtinë për të festuar 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në fund të luftës.
Turma njerëzish u mblodhën në qendër të Prishtinës të mërkurën për të festuar 20-vjetorin e përfundimit të luftës dhe për të përshëndetur ish-presidentin e SHBA-së Bill Clinton dhe ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, të cilët ishin përkrahësit kryesorë të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s.
“Është një nder i madh për mua të kem qenë përkrahë jush kundër spastrimit etnik dhe lirisë,” tha Clinton për turmën në Sheshin Nënë Tereza, disa prej të cilëve valëvitnin flamuj amerikanë.
“Mos harroni kurrë, kur të mendoni për sfidat përpara jush, dhe ua them këtë liderëve tuaj ekzistues, ju keni bërë tashmë diçka të mahnitshme. U keni dhënë një brezi të tërë 20 vitet e para të jetës së tyre në paqe,” tha gjithashtu Clinton në fjalimin e tij.
Ish-komandanti i trupave të NATO-s në Europë, Wesley Clark, i cili udhëhoqi 78 ditët e sulmit ajror të aleancës ushtarake perëndimore kundër Jugosllavisë, gjë e cila e detyroi presidentin Sllobodan Millosheviç të tërhiqte forcat e tij nga Kosova, gjithashtu mori pjesë në festime.
Trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999 pasi fushata e saj e sulmeve ajrore përfundoi.
“12 qershori është data që na bashkon të gjithëve, është themelimi i identitetit tonë si qytetarë, si një komb, si Kosova. Këtë gjë (ndërhyrjen e NATO-s), nuk do ta harrojmë kurrë dhe do ta respektojmë gjithmonë,” tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ish-presidentit Clinton iu dha Urdhrin e Lirisë së Kosovës nga Thaçi të martën për rolin e tij në urdhërimin e bombardimeve të NATO-s.
Një statujë e Albright do të inaugurohet të mërkurën pasdite në Prishtinë, në qendrën e të cilët tashmë është edhe një statujë e ish-presidentit Clinton.
NATO nisi fushatën e saj të bombardimeve në vitin 1999 për t’i dhënë fund fushatës së represionit dhe pastrimit etnik të Millosheviçit kundër shqiptarëve të Kosovës.
Aleanca Perëndimore filloi bombardimin e Jugosllavisë pasi negociatat diplomatike në Rambuje në Francë dështuan kur Millosheviçi nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje paqeje sepse ajo parashikonte që forcat e NATO-s të vendoseshin në Kosovë, e cila ajo tha se do të bëhej një krahinë autonome brenda Jugosllavisë.
NATO e përshkroi fushatën e saj si një “ndërhyrje humanitare”. Aleanca nisi operacionin ushtarak pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi aleatja e Serbisë, Rusia, e kundërshtoi fuqimisht ndërhyrjen.
Human Rights Watch vlerëson se rreth 500 vetë u vranë gjatë fushatës së NATO-s, por qeveria serbe vlerëson se të paktën 2,500 njerëz vdiqën.
Rreth 13,500 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë luftës në Kosovë dhe rreth 1,2 milion u larguan nga shtëpitë e tyre.
Forca e NATO-s në Kosovë, KFOR, ka mbetur në vend që nga fundi i luftës.
Komandanti aktual i KFOR-it, gjeneral majori Lorenzo D’Addario, tha për BIRN në një intervistë përpara përvjetorit të së mërkurës se Kosova ka nevojë për “kohë, bindje, dialog dhe kompromis” për të krijuar paqe të qëndrueshme.