Kosova s’do të marrë më pjesë në bisedimet e udhëhequra nga BE-ja në Bruksel me Serbinë derisa Beogradi të ketë zbatuar plotësisht të gjashtë marrëveshjet, thuhet në një email të siguruar nga BIRN.
Në një email dërguar në Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Europian më 25 maj, Avni Arifi, i cili ka udhëhequr delegacionin e Kosovës në bisedimet e drejtuara nga BE-ja që nga janari, tha se Prishtina nuk do të marrë pjesë në bisedimet e normalizimit derisa Serbia të zbatojë plotësisht gjashtë marrëveshje që janë lënë pezull.
Në email, të cilin BIRN e ka siguruar, Arifi tha se Kosova pret që Serbia të zbatojë marrëveshjen për energjinë, lirinë e lëvizjes, njohjen reciproke të diplomave universitare, Menaxhimin e Integruar të Kufirit, IBM, përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe hapjen e urës në qytetin e ndarë të Mitrovicës në Kosovën veriore.
“Ne do të marrim pjesë në ftesën tuaj pasi të gjitha marrëveshjet e pazgjidhura të jenë zbatuar dhe të respektohen plotësisht,” shkroi Arifi.
Emaili erdhi si një përgjigje ndaj një ftese për të marrë pjesë në një takim në Bruksel më 7 dhe 8 qershor, ku fokusi duhej të ishte te Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, liria e lëvizjes, IBM dhe energjia elektrike.
Delegacioni i Kosovës ishte ftuar “të bënte një prezantim se në ç‘pikë janë ata me hartimin e statutit të Asociacion /Komunitet.”
Kosova dhe Serbia nisën bisedimet e normalizimit në vitin 2011 në Bruksel. Por nga 17 marrëveshjet e arritura, vetëm një pjesë të vogël janë zbatuar plotësisht.
Kryeministri i atëhershëm i Kosovës dhe ai i Serbisë, Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiç, nënshkruan katër marrëveshje kyçe në gusht 2015. Por vetëm një, për telekomunikacionin, e cila i mundësoi Kosovës të marrë prefiksin e saj ndërkombëtar, është zbatuar.
Siç njoftoi më herët BIRN, tre marrëveshjet e tjera – për energjinë, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe ura në Mitrovicën e ndarë – ende janë në pritje.
Beogradi këmbëngul që Prishtina duhet të vazhdojë para me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe për të përfaqësuar interesat e pakicës serbe të Kosovës.
Në përgjigjen e tij dërguar BE-së, Arifi e akuzoi BE-në se “po i shërben interesave serbe në krijimin e axhendës së tyre”, duke shtuar: “Për muaj të tërë ne me të drejtë kemi insistuar dhe kërkuar ndihmën tuaj në lehtësimin e implementimit të marrëveshjes për Energjinë the marrëveshjet tjera që janë në pritje.”
“Megjithatë, ju i keni injoruar në tërësi kërkesat tona të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme për t’u fokusuar në çështjen e energjisë, shkaku i të cilës është prishur i tërë tregu kontinental i energjisë, dhe e cila kërkon vetëm dy orë për t’u zgjidhur.”
“Ju kujtoj deklaratën e kreut të delegacionit serb: “Ne jemi këtu vetëm për zbatimin e Marrëveshjes së Asosacionit”. Me këtë ftesë, në thelb ju po thoni të njëjtën gjë,” shkroi Arifi.
Ai e kritikoi gjithashtu BE-në se – siç shkruan ai – “po hesht” për trajtimin e ekipeve sportive të Kosovës që janë penguar të marrin pjesë në garat ndërkombëtare në Serbi, për disa raste kur qytetarë të Kosovës janë mbajtur në kufirin serb dhe për ofensivën e freskët diplomatike të Serbisë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Marrëdhëniet Kosovë-Serbi gjatë muajve të fundit janë përballur me një sërë pengesash.
Pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviç në janar të këtij viti, Serbia njoftoi se nuk do të merrte pjesë në bisedimet e Brukselit.
Megjithatë, takimet rifilluan dhe u zhvilluan disa takime në nivel pune, ndërsa presidentët e Kosovës dhe Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi patën një takim të përbashkët me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, më 23 mars.
Megjithatë, të njëjtën ditë Beogradi anuloi ndeshjen e planifikuar mes ekipeve të hendbollit të vajzave nga Serbia dhe Kosova, mes tensioneve në rritje dhe frikës nga përplasjet midis tifozëve serbë dhe policisë.
Më 26 mars, autoritetet e Kosovës deportuan Marko Djuriçin, kreun e Zyrës së Serbisë për Kosovën, pasi policia e arrestoi atë në Mitrovicën e Veriut për hyrje të paligjshme në vend.
Ditë më vonë, duke protestuar për ndalimin dhe dëbimin nga Kosova të një zyrtari të lart serb, politikanët serbë të Kosovës lanë qeverinë e Kosovës dhe njoftuan se do të krijonin në mënyrë të njëanshme Asociacionin e Komunave Serbe pa përfshirjen e Prishtinës – një vendim që më vonë e bllokoi presidentit serb Vuçiç.
Më 7 maj, Federata e Futbollit e Kosovës refuzoi të lejojë klubin serb të futbollit “Red Star” të luajë një ndeshje humanitare në qytetin me shumicë serbe të Graçanicës.
Më 9 maj, ekipi i karatesë së Kosovës nuk u lejua të hynte në Serbi, duke mos e lejuar atë të merrte pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad.