Qeveria e Kosovës po kryen varrimin rishtas të luftëtarëve të vrarë të UÇK në një kompleks të ri përkujtimor – por ndërsa shumë familje e kanë mirëpritur këtë, procesi është shoqëruar me mosmarrëveshje për vendin e zhvendosjes së eshtrave të disave.
Gjatë dy dekadave të fundit, eshtrat e Sadik Kackinit janë varrosur tri herë dhe aktualisht emri i tij shfaqet në tre varre në tre vende të ndryshme.
Kackini vdiq më 5 mars 1998, në moshën 44 vjeçare, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prekaz dhe vranë atë dhe më shumë se 50 të afërm të tij, përfshirë gra dhe fëmijë.
Pesë vitet e para, trupi i tij ishte në Prekaz. Pastaj familja e tij vendosi t’i merrte eshtrat dhe t’i varroste në fshatin e tij Llaushe në komunën e Skenderajt.
Pas 14 vjetësh, eshtrat e Kackinit janë rigrumbulluar përsëri tani në një kompleks ‘të ri të martirëve’ që është ndërtuar në fshatin Marine, rreth dhjetë kilometra larg Skenderajt, pasi qeveria vendosi që luftëtarët e UÇK-së të vrarë gjatë luftës duhet të varrosen në një sërë vendesh përkujtimore kolektive.
“Çdo rivarrim ngjante si një vdekje tjetër. Është shumë e rëndë,” tha për BIRN e veja e tij Zelfije në një ditë me diell korriku pasi u kthye nga Gjermania dhe shkoi të vizitonte dhe pastronte varrin e tij.
Ditën kur Kackini u rivarros në kompleksin Marine, e veja e tij nuk mund të merrte pjesë sepse familja nuk ishte informuar. Pas një jave, ajo e pati të vështirë të gjente varrin e bashkëshortit për shkak të mungesës së emrave mbi gurë dhe rendit alfabetik të varrezave.
Varri i bashkëshortit të saj mban numrin 30, të shkruar me një stilolaps dhe guri i varrit është me baltë.
Pas pastrimit të pllakës, e veja vendos një varg lulesh plastike mbi të.
“Është më mirë që dëshmorët janë varrosur në të njëjtin vend, por duhet të kenë emrat e tyre në varret e renditura [për të treguar] se kush është aty”, thotë ajo.
600 rivarrime të planifikuara
Përveç Sadik Kackinit, eshtrat e 130 luftëtarëve të tjerë të UÇK-së nga Drenica, rajoni në të cilin rezistenca e armatosur e shqiptarëve të Kosovës ishte më e theksuar, janë rivarrosur në kompleksin Marine deri më tani.
Adnan Elshani, anëtar i këshillit qeveritar të ngarkuar me rivarrimin e guerrilasve të vdekur, thotë se rreth 600 nga më shumë se 2,500 luftëtarë të UÇK-së që vdiqën gjatë luftës do të rivarrosen në varreza kolektive.
Por ideja e qeverisë për të rivarrosur luftëtarët e vdekur të UÇK në një kompleks të vetëm është refuzuar nga shumë familjarë të tyre, të cilët nuk duan që të dashurit e tyre të rivarrosen. Këshilli qeveritar po mendon aktualisht për rivarrime në komunat e tyre përkatëse.
Procesi është vonuar gjithashtu nga një kërkesë tjetër e familjeve që të afërmit të rivarrosen pranë njëri-tjetrit.
Luljeta Shala nga Drenasi u vra në një dyluftim me forcat serbe së bashku me të fejuarin e saj, Hysen Bujupi, pranë kufirit me Shqipërinë ndërsa transportonin armë dhe municione në Kosovë.
“Si familje, kemi kërkuar nga komuna që Luljeta dhe Hyseni të varrosen pranë njëri-tjetrit sepse ata luftuan dhe vdiqën së bashku. Komuna e ka respektuar kërkesën tonë,” tha babai i Shalës, Jahiri.
Këto këmbëngulje e bënë këshillin të thyejë rregullin e rendit alfabetik që kishte parashikuar për varret.
Adnan Elshani, i cili përfaqëson Agjencinë qeveritare për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë, thotë se deri më tani janë rivarrosur luftëtarët e vdekur në tre nga shtatë zona operacionale të UÇK-së.
“Kemi planifikuar të rivarrosim më shumë se 600 dëshmorë. Dyqind e pesëdhjetë e shtatë në Marinë [në zonën e Drenicës], 168 afër Podujevës [në zonën e Llapit] dhe 114 në Koshare [afër kufirit shqiptar]. Presim rivarrimin e 64 eshtrave të tjera në komunën e Istogut “, tha Elshani për BIRN.
Ai shtoi se pritet që i gjithë procesi të përfundojë gjatë muajit gusht.
“Komplekset e Përkujtimit do të ruajnë vende për ata që janë në listat e dëshmorëve, por ende mungojnë,” shtoi ai.
Memorialet e vjetra të paprekura
Në pjesën më të madhe të zhvarrimeve, kompanitë e kontraktuara i lënë pllakat e varreve në vend dhe kanë marrë vetëm eshtrat. Si rezultat, disa luftëtarë të vdekur kanë tre varre të ndryshme.
“Pllakat ose monumentet e ngritura më herët, në vendet e tyre të lindjes apo në vendet ku u vranë, nuk do të preken”, shpjegoi Elshani.
Shoqatat e UÇK-së nuk kanë rënë ende dakord për rivarrimin e disa prej të vrarëve. Ata kanë kërkuar të paktën pesë vende përkujtimore në Kosovë.
“Nuk është ende e qartë se çfarë do të ndodhë me komplekset e reja përkujtimore. Mendoj se ideja e rivarrimit duhet të ishte planifikuar më mirë dhe duhet të ishte marrë miratimi i familjeve”, tha për BIRN Xhavit Jashari, kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.
Sipas Jasharit, ideja e rivarrosjes së të vdekurve në komunat e tyre është shumë e ndërlikuar.
“Nuk është ide e mirë nëse emri i një martiri mbetet në dy ose tre përkujtimore,” shtoi ai.
Listat e luftëtarëve të vdekur dhe të veteranëve të luftës kanë qenë një nga çështjet më të kontestuara në vitet e fundit në Kosovë, shoqëruar me pretendime se listat janë fryrë në mënyrë të paligjshme ose për qëllime politike ose për shkak të përpjekjeve të rreme për të kërkuar përfitimet e veteranëve.
Në kompleksin e ri përkujtimor në fshatin Marine, Zelfije Kackini shprehet se një gjë është më e rëndësishme se çdo mosmarrëveshje – të kujtohen ata që vdiqën duke luftuar për UÇK-në.
“Ata kanë rënë për të mirën e vendit të tyre dhe kjo duhet respektuar”, tha ajo.