Lajm13 Mar 2020

Kosova konfirmon dy rastet e para me koronavirus

Kosova të premten konfirmoi dy rastet e para me koronavirus - të dy të kthyerit së fundmi nga Italia.

Autor: Xhorxhina Bami BIRN Prishtinë
Printo

Koronavirusi. Foto: Pixabay,

Kosova të premten konfirmoi dy rastet e para të koronavirusit, ndërkohë që autoritetet po testojnë edhe shumë njerëz. Njoftimi është bërë në një konferencë të përbashkët për shtyp të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia. Ata thanë se dy nga 15 raste të dyshuara kishin rezultuar pozitive për virusin. Të dy kishin mbërritur kohët e fundit nga Italia, deri më tani vendi më i prekur në Europë.

E para ishte një 22-vjeçare italiane që qëndron në qytetin e Klinës dhe punon për organizatën humanitare Caritas, e cila mbërriti nga Italia vetëm pesë ditë më parë. I dyti ishte një 77-vjeçar nga Vitia që mbërriti nga Italia më 5 mars.

Institucionet përkatëse thanë se kishin filluar të karantinonin njerëzit me të cilët ata kishin qenë në kontakt. Drejtori i shëndetësisë në Klinë, dr Hekuran Sejdiu, tha se shtetasja italiane ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, QKUK, pasi tregoi simptoma, ku tani po merr mjekim.

“Së bashku me policinë, ne po vendosim në karantinë në shtëpitë e tyre njerëzit që kanë qenë në kontakt me pacientin”, tha dr. Sejdiu.

Drejtori i shëndetësisë në komunën e Vitisë, Basri Aliu, tha për BIRN se pacienti i dytë kishte mbërritur në Kosovë nga Italia më 5 mars dhe se kishte shkuar në qendrën e urgjencës në Vitia, ku mjekët dyshuan se ai kishte koronavirus dhe e dërguan në Gjilan.

Së bashku me Malin e Zi, Kosova kishte mbetur pa raste të raportuara koronavirusi deri të premten. Ministri i infrastrukturës Lumir Abdixhiku të premten pezulloi fluturimet nga Italia, Franca, Zvicra dhe Gjermania, ndërsa Shqipëria fqinje mbylli pikat e saj kufitare me Kosovën. Shkollat janë mbyllur deri më 27 mars. Një prind ka të drejtë të marrë leje dhe të qëndrojë në shtëpi, sipas një vendimi qeverie të shpallur të mërkurën.

Të mërkurën, programi televiziv i BIRN Jeta në Kosovë tha se spitalet e Kosovës ishin të papërgatitur për një krizë të madhe shëndetësore dhe se nuk kanë as gjërat sanitare më bazike, siç janë sapuni apo letra higjienike.