Në prag të një votimi historik për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një organ të ngjashëm me atributet e një ushtrie, ekspertët thonë se ky është thjesht fillimi i një procesi të gjatë.
Parlamenti i Kosovës do të votojë të premten për leximin e dytë të tre projektligjeve mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK-së, duke zgjeruar kompetencat e saj dhe duke shmangur nevojën për ndryshime kushtetuese të kërkuara për ta ndryshuar atë në një ushtri të rregullt.
Megjithatë, lëvizja për t’i dhënë FSK-së atribute të qarta ushtarake ende shihet si një hap i madh.
Një ekspert për çështjet ushtarake dhe sigurinë në Kosovë, Ramadan Qehaja, tha se votimi i projektligjeve është vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe të vështirë për transformimin e forcës aktuale në një ushtri.
“Si një ekspert ushtarak, shoh shumë punë, shumë detyra dhe shumë aktivitete që duhet të ndërmerren për të filluar dhënien e atributeve ushtarake kësaj force,” tha ai.
Planifikimi i duhur, sipas Qehajas, është sfida kryesore me të cilën forca do të ballafaqohet pas miratimit të mundshëm të ligjeve më 14 dhjetor.
“Ajo duhet të fillojë që nga fillimi, nga presidenti deri te ushtari i fundit në radhë,” tha ai.
Dhënia e përparësisë çështjeve për gatishmërinë operacionale ishte një tjetër sfidë që duhet të analizohet siç duhet, shtoi ai.
“Kjo ka të bëjë me atë që duhet të bëjmë ne tani që të kemi menjëherë një korpus njësish dhe komandash e kështu me radhë,” theksoi Qehaja.
Një sfidë tjetër për procesin do të jenë çështjet buxhetore, sipas Qehajas. Kosova ka pak para për të kursyer për pajisje moderne të mbrojtjes.
“Kapacitetet do të realizohen gradualisht. Nuk mund të themi tani se çfarë do të kemi në aspektin e armatimeve apo automjeteve të blinduara,” pranoi ai.
Por ai sugjeroi se planifikimi mund të fillojë tani me shpërndarjen e armatimeve që ka forca aktuale, pasuar nga ato që vendi do të marrë si dhurime ose që do të blejë.
Ajo që duhet të kihet parasysh “është doktrina jonë ushtarake që është një doktrinë mbrojtjeje”, tha ai.
Duke miratuar ligje për ndryshimin e kompetencave të FSK-së, parlamenti anashkalon nevojën për të miratuar ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të ndryshuar FSK-në në një ushtri të rregullt, gjë të cilën Serbia e kundërshton ashpër.
Një detyrim kushtetues për këtë do të kërkonte një “shumicë të dyfishtë” – që do të thotë mbështetjen e dy të tretave të të 120 deputetëve dhe dy të tretat e 20 deputetëve joshqiptarë.
Deputetët serbë të Kosovës, të cilët kanë 10 nga 20 vendet në parlament të rezervuara për komunitetet joshqiptare, kanë bllokuar të gjitha nismat e tilla.
Totali aktual i FSK-së numëron rreth 2,200 staf dhe është formuar në vitin 2009, e ngarkuar me kryerjen e detyrave jo ushtarake që nuk janë të përshtatshme për policinë, siç janë operacionet e kërkim-shpëtimit, lehtësimet nga përmbytjet dhe ofrimin e ndihmës humanitare.
Të tre projektligjet që zgjerojnë kompetencat e FSK-së kanë të bëjnë njëri drejtpërdrejtë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK, një tjetër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe një i tretë me shërbimin në FSK.
Lëvizjet për të krijuar një forcë të armatosur në Kosovë kanë ndarë rajonin dhe aleatët e Kosovës.
Serbia, e cila ende e pretendon Kosovën si një krahinë të vetën, e kundërshton qartë lëvizjen.
Aleati kryesor i Kosovës, Shtetet e Bashkuara, janë më mbështetëse. Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se nisma e një vendi sovran që të ketë ushtrinë e vet është një hap pozitiv dhe i natyrshëm.
Megjithatë, NATO-ja mbetet shumë më kritike, duke e parë lëvizjen si provokuese dhe në një kohë të gabuar.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka quajtur planin “të papërshtatshëm”, duke thënë se kjo “bie ndesh me këshillën e shumë aleatëve të NATO-s”.
NATO gjithashtu i ka bërë thirrje Kosovës të mos vazhdojë me një hap të tillë përpara se të konsultohet me aleancën dhe të gjithë aktorët e tjerë, që i referohet qartë komunitetit serb të Kosovës.