Lajm11 Jun 2019

Kosova nderon Bill Klintonin për ndërhyrjen e NATO-s në luftën e 1999

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton mori Urdhrin e Lirisë të Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi pasi mbërriti në Prishtinë për të përkujtuar 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Ish-presidenti amerikan Bill Klinton dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: BIRN.

Kosova nderoi të martën Bill Klintonin për rolin e tij në urdhërimin e bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, që çoi në përfundimin e luftës 20 vjet më parë.

“Ju falënderojmë për vendimin e drejtë për të ndaluar gjenocidin serb gjatë vitit 1999. Ne jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e SHBA-së për Kosovën. Historia e Kosovës është një histori suksesi të përbashkët. Ju jeni heroi ynë,” i tha presidenti Hashim Thaçi Klintonit.

“Unë do të jem gjithmonë krenar për faktin se isha presidenti i Shteteve të Bashkuara kur ju kishit nevojë që dikush të ngrihej dhe të thoshte mjaft më me spastrim etnik, mjaft më me njerëz që largohen nga shtëpitë e tyre, mjaft më me vrasje civilësh të pafajshëm, duhet të ketë një mënyrë tjetër,” u përgjigj Klinton.

Ish-presidenti amerikan mbërriti në Kosovë përpara përkujtimoreve që dp të mbahen të mërkurën me rastin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në vend.

Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Madlen Ollbrajt është gjithashtu në Kosovë, ku një statujë e saj do të inaugurohet në Prishtinë të mërkurën.

NATO nisi fushatën 78-ditore të sulmeve ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 në një përpjekje për të detyruar presidentin e atëhershëm Sllobodan Millosheviç të pranonte kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund fushatës së tij ushtarake kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila përfshinte spastrime dhe vrasje të gjera etnike të civilë shqiptarë të Kosovës.

Pas tërheqjes së trupave të Millosheviçit në qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në vend. Forca e NATO-s në Kosovë, KFOR, është vendosur në vend që nga ajo kohë.