Kosova nderoi shefin e shtabit të Forcave Ajrore Amerikane David Goldfein, i cili ishte pilot gjatë bombardimeve të NATO-s të Jugosllavisë në vitin 1999, me medaljen “Urdhri i Lirisë”.
Komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, në emër të presidentit Hashim Thaçi, i dha të premten shefit të shtabit të Forcave Ajrore të SHBA-së, David Goldfein, medaljen “Urdhri i Lirisë” për përfshirjen e tij në fushatën e sulmeve ajrore që ndihmuan në përfundimin e luftës së Kosovës në vitin 1999.
Gjenerali Rama “falënderoi gjeneralin Goldfein për sakrificën e tij në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe humane gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thuhej në një deklaratë nga Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Rama tha gjithashtu se populli i Kosovës do t’i ishte gjithmonë mirënjohës popullit amerikan dhe forcave të armatosura.
Goldfein ishte një pilot që kishte marrë pjesë në bombardimet e NATO-s, që synonin t’i jepnin fund fushatës ushtarake të presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç në Kosovë.
Aeroplani i tij luftarak F-16 u rrëzua nga Ushtria Jugosllave në maj 1999 dhe ra në Serbinë perëndimore, por ai mbijetoi dhe u shpëtua nga forcat e NATO-s.
NATO nisi sulmet ajrore pas dështimit të bisedimeve për paqe me Millosheviçin.
Gjatë bombardimeve, forcat jugosllave zhvilluan një fushatë të gjerë në Kosovë, që rezultoi në dëbimin e shumicës së popullsisë shqiptare të Kosovës.
Gjykata e Hagës më vonë e akuzoi Millosheviçin dhe gjashtë zyrtarë të tjerë të lartë të Beogradit për krime lufte në Kosovë, edhe pse ish-lideri vdiqa para se të merrej një vendim.
Bombardimi përfundoi më 10 qershor 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës dhe miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u pasua me tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake jugosllave nga Kosova dhe ardhjen e 36,000 paqeruajtësve ndërkombëtarë.
Qeveria serbe vlerëson se të paktën 2,500 persona vdiqën dhe 12,500 të tjerë u plagosën gjatë fushatës ushtarake 78-ditore të NATO-s.
Ministria e mbrojtjes e Serbisë thotë se forcat e NATO-s vranë 631 anëtarë të forcave të armatosura serbe.
Por numri total i viktimave mbetet i paqartë. Grupi Human Rights Watch shprehet se numri i civilëve të vdekur është rreth 500.
NATO s’i ka bërë kurrë publike humbjet e saj.
Në një përvjetor përkujtimor në mars të këtij viti, kryeministri i atëhershëm i Serbisë Aleksandër Vuçiç e quajti fushatën e NATO-s “një nga agresionet më brutale në historinë e luftës”.
Por kryeministri i atëhershëm i Kosovës Isa Mustafa e përshkroi përvjetorin e nisjes së bombardimeve si “një ditë historike për Kosovën dhe NATO-n, por edhe për konceptin e lirisë dhe të nevojës për mbrojtjen e saj nga regjimet kriminale”.