Kosova nxori disa njësi speciale të policisë ndërsa serbët bllokuan rrugët pranë pikave të kalimit kufitar me Serbinë, pasi qeveria e Prishtinës vendosi rregulla të reja duke i detyruar ata të përdorin targa të përkohshme të Kosovës kur hyjnë në vend.
Të hënën në mëngjes autoritetet vendosën njësi speciale në disa pika në veriun me shumicë serbe të Kosovës, pasi qindra serbë bllokuan rrugët pranë pikës kufitare të Jarinjes dhe në komunën e Zubin Potokut në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për t'i detyruar ata të përdorin targa të Kosovës në vend të targave serbe.
Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla shkroi në Facebook se vendimi “obligon sigurimin e targave të përkohshme për të gjitha automjetet që kanë targa serbe dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës në të gjitha pikat e kalimit kufitar”.
Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti këmbënguli se masat e reja “nuk janë të drejtuara kundër komunitetit serb”.
“Asgjë e jashtëzakonshme apo diskriminuese nuk po ndodh sot. Ne sapo kemi filluar të zbatojmë një marrëveshje për të cilën Serbia dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord”, u tha Kurti deputetëve në seancën e parlamentit të së hënës.
“Veprimet e sotme të ndërmarra nga institucionet përkatëse … nuk kanë për qëllim të cenojnë të drejtën e qytetarëve serbë për lëvizje të lirë ose të provokojnë ndonjë destabilizim”, shtoi ai.
Mes tensioneve në rritje, presidenti serb Aleksandër Vuçiç caktoi një seancë urgjente të Këshillit të tij të Sigurisë Kombëtare të martën në mëngjes, në të cilin tema kryesore do të jenë ngjarjet në Kosovë, njoftoi agjencia e lajmeve Tanjug.
Goran Rakiç, kryetari i Listës Serbe, i bëri thirrje Vuçiçit t'i përgjigjet vendimit të qeverisë së Prishtinës.
“Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit që po shqetësohen se si do t'u sigurojnë bukë fëmijëve të tyre. Ne gjithashtu kemi informuar të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Kosovën, Miroslav Lajçak, dhe kemi kërkuar ndihmë nga BE-ja. Dhe i bëj thirrje presidentit Vuçiç: ‘Vuçiç, reago'”, tha Rakiç në pikën kufitare të Jarinjes, raportoi Tanjug.
Vendimi i qeverisë së Kosovës imponon një parim reciprociteti duke kërkuar heqjen e targave serbe dhe zëvendësimin e tyre me targa të përkohshme të Kosovës. Tashmë prej dy dekadash, njerëzit që përdorin makina me targa të Kosovës janë detyruar të bëjnë të njëjtën gjë kur hyjnë në Serbi. Ata gjithashtu duhet të paguajnë një tarifë siguracioni. Kosova gjithashtu vendosi një tarifë siguracioni në kufi të hënën, raportoi N1 TV.
Serbia nuk njeh as Kosovën dhe as targat me shkronjat RKS, për Republikën e Kosovës.
Vendimi për të kërkuar reciprocitet erdhi pasi zv/kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi njoftoi më 9 shtator se Prishtina nuk do të vazhdojë me marrëveshjen e saj ekzistuese për targat me Beogradin, e cila u nënshkrua në 2011.
Sipas marrëveshjes, e cila skadoi më 15 shtator, automjetet me targa KS mund të hynin lirisht në Serbi, ndërsa ato me targa RKS duhej t'i ndryshonin ato në kufi dhe të merrnin targa të përkohshme letre. Automjetet me targa serbe mund të hyjnë lirshëm në Kosovë, pa procedura shtesë.
Në Kosovë ka dy lloje targash. Ato që fillojnë me KS (për Kosovën) dhe RKS (për Republikën e Kosovës). Targat me shkronjat KS janë lëshuar nën administrimin e mëparshëm të OKB-së në Kosovë.
Qeveria e mëparshme e Kosovës nxori një vendim në mes të shtatorit 2020 për të ndaluar dhënien e targave të reja KS dhe Svecla tha të hënën se që nga 15 shtatori, targat me shkronjat KS nuk janë më në qarkullim në Kosovë.
Që kur erdhi në detyrë këtë vit, kryeministri Kurti është zotuar vazhdimisht se qeveria e tij do të kërkojë reciprocitet në të gjitha fushat nga Serbia.