Lajm3 May 2016

Kosova pret votimin për anëtarësimin në UEFA

Federata e Futbollit të Kosovës është drejtuar për në Budapest ku një votë pozitive do të çonte në konkurrimin e kombëtares kosovare në Kupën Botërore 2018 në Rusi.

Autor: Adelina Ahmeti BIRN Prishtinë
Printo

Skuadra kombëtare e futbollit të Kosovës. Foto: Federata Kosovare e Futbollit.

Skuadra kombëtare e futbollit të Kosovës. Foto: Federata Kosovare e Futbollit.

Pikërisht 30 vjet pasi nënshkroi një kontratë profesionale për të luajtur me një nga ekipet më të shquara serbe të futbollit, Fadil Vokrri iu drejtua Budapestit të hënën për të dëshmuar një votim që mund t’i japë njohje klubit të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Anëtarët e Shoqatës së Futbollit Europian, UEFA, pritet të votojnë nesër mbi aplikimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim.

Votimi vjen 14 muaj pasi federata paraqiti aplikimin e saj. Për të marrë anëtarësim, Kosova ka nevojë për 28 vota nga 54 anëtarët e UEFA-s.

Një legjendë e futbollit në Kosovë, Vokrri filloi karrierën e tij  në klubin e futbollit të qytetit të lindjes, Llapi, përpara se të kalonte me Prishtinën, Partizanin Nimmesin e Francës dhe Fenerbahçen e Turqisë. Sot, Vokrri është president i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Shpresojmë se do të marrim shumicën e votave dhe të hapim një rrugë për rininë. Nuk kemi reshtur kurrë së punuari për anëtarësimin në UEFA,” tha Vokrri gjatë një takimi të javës së shkuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Skuadrat kosovare të futbollit aktualisht nuk mund të konkurrojnë në fushë ndërkombëtare, por dy vite më parë FIFA ra dakord të lejojë skuadrën kombëtare të Kosovës të luajë “miqësore” me vendet e tjera në kushte të veçanta. Një prej tyre është se fjala “Kosovë” duhet të përmbajë një yllth (*) nga mbrapa fanellave.

Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Tomislav Karaxhiç, president i lidhjes së futbollit në Serbi, FSS, thotë se Serbia ka luftuar të ndalojë anëtarësimin e Kosovës që nga 2012.

“Ne ia kemi dalë, me një përpjekje të madhe, të heqim kërkesën për pranim nga axhenda dhe të parandalojmë kryerjen e një padrejtësie katër herë,” tha Karaxhiç.

Në Kosovë, votimi shihet si një shpresë për klubet kosovare të futbollit dhe skuadrat e tjera kombëtare.

“Pas 25 vitesh izolim, Kosova tani do të jetë pjesë e familjes së futbollit të Europës dhe botës,” tha Thaçi.

Nëse pranohet, Kosova pritet të konkurrojë në Kupën Botërore të FIFA në vitin 2018, e cila do të mbahet në Rusi.