Qeveria e Kosovës po bën një përpjekje të dytë për të themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, por ekspertët janë skeptikë për shkak të dështimit, prej dy dekadash të autoriteteve kosovarë për të dokumentuar siç duhet mizoritë e luftës.
Ministria e Drejtësisë e Kosovës javën e kaluar vendosi të krijojë një ekip përgatitor për të bërë një analizë për themelimin e Institutit të ri për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, pasi një përpjekje e mëparshme e nisur nëntë vjet më parë u përmbys duke mbyllur institutin me arsyetimin se nuk dha rezultate aq të rëndësishme.
Ministria e Drejtësisë ka ngarkuar një ekip prej 15 personash, përfshirë zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesorë universiteti, që deri në shtator të këtij viti të hartojnë një raport mbi mënyrën se si duhet të funksionojë ky institucioni i ri.
Në vitin 2011, qeveria themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, për të mbledhur, përpunuar, klasifikuar dhe arkivuar informacionet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Megjithatë, instituti u akuzua se nuk arriti të përmbushte mandatin e tij, edhe pse zyrtarët që punuan në këtë institut thonë se po kishte rezultate, pavarësisht mungesës serioze të fondeve dhe stafit.
Instituti u shpërbë në vitin 2018 me urdhër të kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj. Vendimi thoshte se në vend të institutit, do të krijohej një Departament i Drejtësisë Tranzicionale si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Por kjo nuk ndodhi kurrë.
Ministria e Drejtësisë tani thotë se instituti i ri do të jetë ndryshe, po duke mos dhënë ndonjë informacion të detajuar në lidhje me planet për të.
“Sigurisht, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës do të ndryshojë në format dhe përmbajtje nga instituti i mëparshëm. Por kjo do të jetë pjesë e një analize më të gjerë nga ekipi përgatitor”, tha ministria për BIRN në një përgjigje me email.
Ismet Salihu, një profesor në pension i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, që udhëhoqi Institutin e mëparshëm për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, tha se vendimi për shpërbërjen e tij ishte një gabim i ish-guerilëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbanin poste të larta.
Paradoksalisht, politikanët e Kosovës kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë për gjenocid dhe kanë kërcënuar me padi në gjykatat ndërkombëtare, por deri më tani nuk kanë arritur të sigurohen që krimet për të cilat akuzojnë forcat e Beogradit të jenë të dokumentuara siç duhet.
“Kosova nuk ka arritur të hulumtojë dhe dokumentojë krimet e luftës. Mbyllja e institutit është prova më e madhe e këtij dështimi paradoksal. Kjo do të thotë se do të duhen të paktën 30 vjet (nga fundi i luftës në 1999) që krimet e luftës të hulumtohen dhe dokumentohen”, tha Salihu për BIRN.
Kur Salihu drejtonte Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, stafi i tij përbëhej nga vetëm gjashtë anëtarë, “një ekip tepër i vogël për të kryer një detyrë kaq të madhe”, thotë ai.
“Na mungonin njerëzit për të punuar në terren. Si mund të hulumtojmë dhe sigurojmë prova në lidhje me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë pa njerëz që mund ta bëjnë këtë në terren?” pyeti ai.
Gjatë mandatit të tij, Instituti i mëparshëm për Hulumtimin e Krimeve të Luftës publikoi nëntë monografi mbi shkallën e vrasjeve gjatë luftës, personat e zhdukur, dëmet ekonomike dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.
Salihu tha se Ministria e Drejtësisë duhet të mësojë nga vende si Gjermania apo Bosnia, që kanë mekanizma të tillë si pjesë e qeverisë. “Para së gjithash, ky institut duhet të ketë personel dhe të financohet siç duhet. Ai duhet të funksionojë si një institut me ekspertë nga fusha të ndryshme jo si strehë për aktivistë të partive politike të cilët duan vende pune pavarësisht mungesës së ekspertizës përkatëse”, argumentoi ai.
“Është detyra jonë të hedhim dritë mbi të vërtetën”
Viktimat e luftës dhe të afërmit e të zhdukurve presin të shohin krimet e dokumentuara siç duhet.
“Ky institut duhet të dokumentojë të gjitha krimet në mënyrë profesionale dhe të pavarur”, tha Agron Limani, kreu i Shoqatës për Kërkimin e Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur “26 Marsi”.
“Fokusi kryesor i këtij instituti duhet të jetë hulumtimi dhe dokumentimi i masakrave në Kosovë, si edhe lista e viktimave dhe autorëve të krimeve”, shtoi ai.
Aktualisht lista e vetme e besueshme e të vrarëve në luftë është ajo e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi. Ata kanë verifikuar identitetin dhe rrethanat e vdekjes të më shumë se 13,500 viktimave dhe gjithashtu po mbledhin informacione shtesë për mijëra viktima që u vranë menjëherë pas luftës në Kosovë.
Limani tha se gjetjet e institutit të ri duhet të përbëjnë bazën për një version të paanshëm të historisë që nuk “përjetëson paragjykimet etnike” dhe nuk përdoret për pikë politike.
“Instituti duhet të hetojë të gjitha krimet e kryera kundër të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe të mos funksionojë si një mekanizëm ushqyes për konsumin e përditshëm politik”, tha ai.
Por mbyllja e institutit të parë ka ngritur pikëpyetje në lidhje me aftësinë e qeverisë për të krijuar një mekanizëm të përgatitur për të hulumtuar dhe dokumentuar siç duhet krimet e luftës.
Nora Ahmetaj, një hulumtuese e drejtësisë tranzicionale, njësoj si Limani, argumenton se instituti i ri duhet të shqyrtojë të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht se cilit grup etnik i përkasin viktimat.
Ajo thotë se nismat e mëparshme të ngjashme nuk kanë qenë shumë të suksesshme sepse ato filluan mbi premisa të gabuara
“Fokusi kryesor i këtij instituti duhet të jetë hedhja dritë mbi çështjet e pazbuluara të luftës. Nëse ai përqendrohet vetëm në dokumentimin e krimeve të kryera kundër shqiptarëve gjatë luftës së viteve 1998-1999, atëherë ai nuk do të ketë ndonjë rëndësi. Por druhem se kjo nismë do të dështojë si të tjerat para saj”, tha Ahmetaj për BIRN.
“Unë mendoj se qeveria duhet të rishikojë atë që është bërë më parë në këtë fushë. Fillimisht, ata duhet të kenë një strategji dhe një plan pune për krimet që do të dokumentojë ky institut”, shton ajo.
Për Salihun, dokumentimi i krimeve të luftës mbetet një çështje me rëndësi jetike dhe një obligim në respekt të atyre që u vranë: “Viktimat nuk mund të flasin vetë. Prandaj, është detyra jonë të hedhim dritë mbi të vërtetën”, tha ai.