Reportazh6 Aug 2021

Kosova shpreson që gjykimet në mungesë do të shtojnë dënimet për krime lufte

Në mungesë të bashkëpunimit ligjor me Serbinë, Kosova ka ndryshuar legjislacionin e saj për ta bërë më të lehtë gjykimin e të dyshuarve në mungesë të tyre, por skeptikët thonë se kjo jo domosdoshmërish nënkupton se më shumë kriminelë lufte do të shkojnë në burg.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë
Printo

Ndërtesa e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë. Foto: Europol.

Lulzim Ademi, një shqiptar etnik nga qyteti verior i Mitrovicës u akuzua në vitin 1999 për krime lufte kundër civilëve, gjatë kohës që ai ishte një luftëtar paraushtarak, duke vepruar në bashkëpunim me trupat e Ushtrisë Jugosllave, policinë serbe dhe paraushtarakët serbët.

Ademi u akuzua për përfshirje në largimin me detyrim të shqiptarëve etnikë nga shtëpitë e tyre dhe vrasjen e të paktën 12 personave. Ai u arrestua dhe u mbajt në paraburgim deri në shkurt 2000, kur u arratis.

Gjykata vendosi ta gjykojë atë në mungesë. Pas apelit kundër vendimit, Gjykata Supreme vendosi që gjykimi mund të vazhdonte në mungesë të të pandehurit dhe Ademi u dënua me 20 vjet burg.

Në një tjetër rast që daton nga viti 1999, Bozur Bisevaç, një serb nga Mitrovica, u akuzua se i vuri zjarrin shtëpive, qëlloi ndaj fshatarëve dhe i detyroi ata të largohen nga shtëpitë e tyre. Në gusht 2000, Bisevaç u arratis gjithashtu nga burgu, por gjykata vazhdoi duke e gjykuar atë në mungesë.

Por më pas në janar 2001, kreu i misionit të OKB -së në Kosovë, UNMIK, i cili në atë kohë kishte pushtet ekzekutiv dhe legjislativ në vend, miratoi një rregullore që ndalonte gjykimet në mungesë “për shkelje serioze të së drejtës humanitare ndërkombëtare”. Pasi legjislacioni hyri në fuqi, gjykata e la ndjekjen penale të Bisevaçit.

Ademi u burgos dhe Bisevaçi nuk u arrestua më kurrë.

Rregullorja e UNMIK -ut 2001/1 thoshte se “asnjë person nuk mund të gjykohet në mungesë, siç përcaktohet në Kodin Penal të Jugosllavisë në fuqi ose Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare” që është botuar në korrik 1998.

Pas vitit 2009, pothuajse të gjitha rregulloret e UNMIK -ut u shfuqizuan ose u zëvendësuan me ligjet e duhura, por gjykimet në mungesë nuk u përfshinë në kuadrin ligjor të Kosovës.

Pastaj në vitin 2019, në një përpjekje për të shtuar ndjekjet penale të krimeve të luftës, Kuvendi i Kosovës miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale për të lejuar gjykimet në mungesë në raste që përfshijnë veprat kundër të drejtës humanitare ndërkombëtare dhe të drejtës penale ndërkombëtare, të kryera midis janarit 1990 dhe qershorit 1999.

Këto ishin vite në të cilat shqiptarët e Kosovës po luftonin për çlirimin nga sundimi serb dhe ndryshimet kishin për qëllim kryesisht të trajtonin rastet e krimeve të luftës të kryera në Kosovë gjatë konfliktit të armatosur 1998-1999.

Pavarësisht ndryshimeve, në dy vitet që pasuan, askush nuk u ndoq penalisht apo dënua dhe së fundmi, Kuvendi i Kosovës e ndryshoi përsëri Kodin e Procedurës Penale.

Në qershor të këtij viti, Komisioni i Venecias, një organ këshillimor i Këshillit të Evropës mbi të drejtën kushtetuese, tha se dispozitat e reja “janë kryesisht në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, siç interpretohet nga gjykata e Strasburgut dhe standardet ndërkombëtare”.

Bazuar në ndryshimet e reja, nuk është e nevojshme që një i pandehur të kërkohet në shtetin ku besohet se ai/ajo është para se ai apo ajo të nxirret në gjyq. Thirrja për marrjen në pyetje të një të dyshuari që mungon gjithashtu nuk do të duhet të dërgohet pesë herë para se çështja të vazhdojë më tej.

Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ishte një viktimë përdhunimi gjatë kohës së luftës dhe e cila u bë deputete këtë vit, beson se ndryshimet do të ndihmojnë në shtimin e ndjekjeve penale të rasteve të dhunës seksuale të kohës së luftës.

“Mendoj se ndjekja penale dhe dënimi në mungesë mund të jetë një mundësi e mirë për të konfirmuar përmes një gjykimi në gjykatë se ka ndodhur përdhunimi si krim lufte. Procedura të tilla (gjykimi në mungesë) janë gjithashtu në përputhje me ligjin pozitiv evropian”, tha Krasniqi Goodman për BIRN.

“Përdhunimi është krimi më i pagjykuar në Kosovë dhe gjykimet në mungesë do të inkurajonin viktimat të bëjnë para dhe të flasin”, shtoi ajo.

Ngërçi Kosovë-Serbi pengon drejtësinë

Billboard kushtuar ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli, në autostradën Prishtinë-Pejë. Foto: BIRN.

Gjykimet në mungesë përdoren nga disa vende të BE -së, por jo nga shtetet e tjera evropiane që konsiderojnë se procedura të tilla janë shkelje e të drejtës së të pandehurit për të qenë i pranishëm për t’iu përgjigjur akuzave kundër tij/saj. Shumica e gjykatave ndërkombëtare kanë kërkuar që i pandehuri të jetë i pranishëm, edhe pse të dyshuarit janë gjykuar në mungesë në Gjykatën e Posaçme për Libanin.

Megjithatë, Kosova ka problemin specifik se shumë nga ata që kërkohen për t’u gjykuar për krime lufte jetojnë në Serbi, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës ose sistemin ligjor të saj, dhe nuk i ekstradon të dyshuarit që ata të mund të dalin në gjyq. Kjo do të thotë se çdo serb që është akuzuar për krime të tilla nuk ka gjasa të sillet në gjykatë, nëse ai/ajo është në Serbi.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili ka kaluar vite të tëra duke dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës, theksoi nevojën për të krijuar një bashkëpunim ligjor me Serbinë në mënyrë që çështjet të dalin në gjyq.

Alija tha se ky problem duhet të adresohet brenda kontekstit të negociatave të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria e Kosovës duhet të këmbëngulë që të përfshijë bashkëpunimin ligjor në axhendën e negociatave me Serbinë, sepse ky është kushti kryesor për ndjekjen penale efikase të krimeve të luftës dhe për ofrimin e drejtësisë për viktimat”, tha ai për BIRN.

“Me ndryshimet e reja ligjore për gjykimin e të pandehurve në mungesë të tyre, mudn të ketë më shumë akuza për individë të cilët do të jenë të paarritshëm për autoritetet gjyqësore të Kosovës. Por nuk do të ketë asnjë ndryshim pozitiv në vuajtjen e dënimeve nga njerëz që janë dënuar në mungesë”, vuri në dukje ai.

Lars-Gunnar Wigemark, kreu i misionit të sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, EULEX, e përshëndeti ndryshimin ligjor.

“Gjykimet në mungesë do t’i lejojnë autoritetet e Kosovës të çojnë përpara hetimet e shumta të kryera nga EULEX për krimet e luftës të dyshuara të kryera nga individë që janë ende në arrati, përfshirë të dyshuarit që dihet se jetojnë në Serbi”, tha Wigemark.

Por ai shtoi se ato duhet të lejohen vetëm nëse sigurohet e drejta e të pandehurit për një gjykim të drejtë.

“Gjykimet në mungesë, sipas legjislacionit të ri të Kosovës, duhet të lejohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe me kusht që të ketë masa mbrojtëse procedurale efektive për të pandehurit”, tha ai.

Islam Qerimi, profesor në fakultetin juridik të Universitetit të Mitrovicës, tha gjithashtu se ai mendonte se gjykimet në mungesë ishin të pranueshme vetëm në rrethana shumë specifike.

“Një gjykim në mungesë është i lejueshëm në një rast në të cilin i akuzuari po e ndërpret vazhdimisht gjykimin, ose gjatë seancës dëgjimore në të cilën konfirmohen akuzat”, tha Qerimi për BIRN.

Në Serbi, Prokuroria e Krimeve të Luftës ka përdorur gjykimet në mungesë për të ndjekur penalisht ish-guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke dënuar disa prej tyre për terrorizëm në mungesë së tyre.

Por pa ndonjë bashkëpunim ligjor ose marrëveshje reciproke për ekstradim midis Prishtinës dhe Beogradit, shumë autorë të tjerë ka gjasa të mbeten të padënuar dhe të pandëshkuar.

“Pa bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë, do të ketë vështirësi të mëdha në ndjekjen penale me sukses të rasteve të krimeve të luftës”, tha Drita Hajdari, shefe e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *