Prokuroria e Kosovës tha se po heton dy të dyshuar të tjerë në hetimin e saj për vrasjen e kreut të partisë politike serbe Oliver Ivanoviç në janar të vitit 2018.
Syle Hoxha, prokurori që po punon për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviçit, tha për BIRN të martën se hetimi është zgjeruar për të përfshirë dy të dyshuar të tjerë, me lidhje të mundshme me krimin e organizuar.
“Ne e kemi zgjeruar hetimin me dy persona të tjerë. Jemi në fazën fillestare në të cilën ata dyshohen për krim të organizuar,” tha Hoxha.
Të dy të dyshuarit e rinj nuk janë përmendur me emra.
Ivanoviç, kryetari i partisë Liri, Demokraci dhe Drejtësi, u qëllua përpara zyrës së partisë së tij në qytetin e Mitrovicës veriore në Kosovë, më 16 janar 2018.
Autoritetet e Kosovës arrestuan katër persona në lidhje me këtë rast në nëntor 2018. Dy prej tyre janë ende në paraburgim.
Autoritetet gjithashtu përmendën Milan Radoiciç, nënkryetar i partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, si një të dyshuar.
Radoiciç, një biznesmen, shihet gjerësisht si mbajtësi i vërtetë i pushtetit në Kosovën veriore me shumicë serbe.
Ai shmangu arrestimin më 23 nëntor dhe u larguar për në Serbi, ku autoritetet kanë pohuar se ai është i pafajshëm. Ai mohon përfshirjen në vrasjen e Ivanoviçit.
Ministri i Brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç tha në janar se vetë hetimi i Serbisë për këtë rast po shqyrtonte lëvizjet e “individëve të caktuar” që ishin shfaqur në Kosovë, më pas ishin larguar drejt një vendi të paspecifikuar të Europës Perëndimore.
Dikur shihej si një nacionalist i vijës së ashpër, Ivanoviç u bë një politikan i moderuar i cili mbështeste bashkëjetesën mes pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.
Ai gjithashtu u bë një zë kryesor në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.
Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai e kishte deklaruar veten të pafajshëm.