Shkrimtari prestigjioz kosovar Jeton Neziraj thotë se marrja e një çmimi të lartë nga BE-ja, ndërkohë që i mohohet dhënia e një vize për në BE, nxjerr në pah politikat absurde të kësaj të fundit kundrejt vendit të tij.
Çasti “nga hero në zero” i skenaristit kosovar Jeton Neziraj ka nxjerrë në pah politikat e papërshtatshme dhe të çuditshme të Bashkimit Europian ndaj Kosovës, thotë ai.
Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e Kosovës për sigurimin e një regjimi pa viza me BE-në, duke plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara, thotë Neziraj në një intervistë për BIRN.
Javën e kaluar Komisioni Europian rekomandoi vazhdimin e liberalizimit të vizave, të cilën Kosova pret ta marrë çdo ditë që kalon.
Neziraj, 41 vjeç, ka shkruar më shumë se 20 vepra që janë përkthyer në më shumë se 20 gjuhë.
Në “Ditën e Europës”, më 9 maj, të cilën Kosova ka bërë festë kombëtare, Neziraj mori çmimin “Europiani i Vitit”, nënshkruar nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhënë atij për “promovimin e idesë dhe vlerave europiane në Kosovë”.
Megjithatë, rreth të njëjtës kohë, Neziraj dhe ekipi i tij morën një tronditje të ashpër kur u ftuan të merrnin pjesë në një festival teatri në Timisoara të Rumanisë.
Kur ata trokitën në dyert e ambasadave të BE-së në Prishtinë për të marrë vizat, i gjetën ato të mbyllura. Aplikimet e tyre për vizë u refuzuan.
“Odisea” për të siguruar viza përfundon në dështim
Neziraj është vetëm një nga shumë artistë, ekspertë, biznesmenë dhe profesionistë të tjerë kosovarë të cilëve u është mohuar hyrja në BE për shkak të kufizimeve aktuale të vizave.
“Kur mora çmimin, thashë se ndihesha i nderuar. Vazhdoj të ndihem ende njësoj, përndryshe, do të dukesha arrogant dhe cinik. Por unë thashë se e shoh këtë çmim si mbështetje kundër qasjes së padrejtë që shpesh vjen nga ambasadat europiane në Kosovë sa herë që duhet të aplikojmë për viza,” thotë Neziraj.
“Ekipi im përjetoi një odise të vërtetë duke u përpjekur për të siguruar viza për të shkuar në festival dhe në fund udhëtimi u anulua, sepse nuk mundëm të merrnim viza,” thotë ai.
Ai e quajti ironike që BE-ja i dha atij një çmim të tillë prestigjioz ndërkohë që i mohon atij të drejtën për të udhëtuar në Europë.
Ironia ishte edhe më e madhe pasi BE-ja financon më shumë se 90 për qind të aktiviteteve të OJQ-së kulturore Qendra Multimedia me qendër në Prishtinë, që Neziraj drejton.
Neziraj reagoi ndaj mohimit të vizave me postime të zemëruara në rrjetet sociale, të cilat kumbuan në të gjithë Kosovën, por edhe në Bruksel dhe në disa kryeqytete të tjera europiane.
“Për ne, kosovarët, regjimi i vizave është shndërruar në një gogol që synon të na përulë, poshtërojë dhe dehumanizojë. Nuk mund të rrija i qetë me kurorën e “Europianit të Vitit”, sepse mendoj se do të isha tepër oportunist. Reagimi im është më e pakta që mund të bëj,” thotë ai.
“Nuk mund të ngrija gishtin ndaj një ambasade specifike, sepse midis tyre kishte disa zyrtarë dhe ambasadorë që u përpoqën të na ndihmonin, kështu që bëra një akuzë të përgjithshme, duke sulmuar fenomenin dhe qasjen raciste,” shton ai.
“Ky shembull tregon se sa absurde është Europa aktuale. Ne konsiderohemi “europianë të mirë” vetëm duke qëndruar në Kosovë. Duket se ideja që ne të emigrojmë diku në Europë i tmerron burokratët e ambasadave në Kosovë,” thotë ai.
Për të iluminuar këtë situatë, Neziraj citon fjalët e shkrimtarit dhe dramaturgut polak Witold Gombrowicz, i cili dikur ka thënë: “Një artist na kujton një fëmijë që është i mrekulluar nga bota pa interes.”
“Unë do të thosha që artistët e Kosovës janë të mrekulluar nga Europa pa interes dhe kjo frikë europiane nga ne është e paarsyeshme,” thotë ai, duke shtuar se, pavarësisht problemeve, gjatë 15 viteve të fundit, ai ka udhëtuar nëpër Europë me shfaqjet e tij në festivale dhe teatro të ndryshme.
“Disi, ngadalë, filluam të mësohemi me rregullat absurde dhe kërkesat lidhur me procedurat e aplikimit për vizë. Megjithatë, në dy vitet e fundit, gjërat kanë ndryshuar për keq,” vazhdon ai.
“Procedurat janë bërë më të ashpra dhe më të ndërlikuara, ndërsa arroganca e zyrtarëve të ambasadës është rritur.
“Për mua kjo është shqetësuese, sepse nuk ka asnjë kuptim në angazhimin tonë për të ashtuquajturat vlera europiane, të cilat unë mendoj se ne i promovojmë me punën dhe me shfaqjet tona, për të cilat ne ftojmë shumicën e diplomatëve europianë në Kosovë,” thotë Neziraj.
Arti duhet të rrëzojë mitet e historisë
Neziraj thotë se postimet e tij të zemëruara së fundmi në rrjetet sociale ku ai kritikon rregulloret e vizave të BE-së janë më shumë sesa thjesht një shfryrje e frustrimit të tij personal.
Sipas mendimit të tij, arti duhet të shërbejë të vërtetën dhe të shkatërrojë mitet e historisë, pa marrë parasysh sa janë të vjetra apo të reja janë ato.
Ai i sheh deklaratat e tij publike – kundër zyrtarëve të BE-së dhe politikanëve vendas – si pjesë e kontributit të tij drejt një të ardhmeje më të mirë, e cila duhet të përfshijë hyrjen pa viza në vendet e BE-së për qytetarët e Kosovës.
“Thënia e të vërtetës ndonjëherë kërkon kurajë dhe gatishmëri për të paguar çmimin. Në vend të së vërtetës, ne shpesh krijojmë dhe besojmë gjysmë të vërteta ose gënjeshtra, sepse besojmë se po i shërbejmë një kauze më të madhe kombëtare,” thotë ai.
“Por mohimi i së vërtetës nuk shërben për të tashmen dhe të ardhmen e ndonjë kauze. Në këtë mënyrë, ne prodhojmë mite dhe mite si opiumi, i cili na mban në një situatë ku nuk jemi në gjendje të ndiejmë plagët dhe të kuptojmë mjerimin ku kemi ngecur,” shton Neziraj.
Në Kosovën e pasluftës, festimet masive pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 tani ngjajnë si një kujtim i largët, ndërsa vendin e ka zaptuar një varfëri e madhe.
“Pas luftës, njerëzit kishin pritshmëri të mëdha, por ato shpresa dhe ajo eufori u zhdukën kur u përballën me realitetin. Optimizmi ynë, ndër më të lartët në Europë, filloi të zvogëlohej,” kujton Neziraj.
Drita në fund të tunelit nuk është shfaqur ende, pasi vendi ende ka një nga nivelet më të larta të papunësisë në Europë.
Neziraj është gjithashtu shumë kritik edhe për vetë elitën politike të Kosovës. “Kosova ende qeveriset nga një kast politikanësh të korruptuar, shumica e tyre ish-komandantë, të cilët u bënë të pasur pas luftës,” thotë ai.
“Është një kast politikanësh që dikur ndihmuan në çlirimin e Kosovës, por sot e mbajnë peng me grykësinë e tyre për pushtet dhe plaçkitje,” shton Neziraj.
Në gusht të vitit 2017, kur ai vuri në skenë veprën e tij “Bordel Balkan” në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, ai mori kërcënime me vdekje nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, UÇK, që pretendonin se vepra shpifte për forcën guerilase të kohës së luftës.
Ata “kërkuan anulimin e veprës sepse, sipas tyre, ajo ofendonte vlerat e luftës çlirimtare”. Ata më kërcënuan me jetë, por s’e mendova kurrë të tërhiqesha,” thotë ai.
“Ne luftuam me vendosmëri, i gjithë ekipi, për të vënë në skenë veprën. Dhe e bëmë këtë, megjithëse nën mbrojtje të fortë të policisë,” kujton Neziraj.
Në një moment, veteranët e luftës i kërkuan gjithashtu Nezirajt t’u tregonte skenarin e veprës, të cilën ai gjithashtu nuk pranoi të bënte.
Shfaqja, me regji të regjisorit nga Serbia Andras Urban, bazohet në një dramë të Eskilit, por e zhvendosur në një kontekst bashkëkohor ballkanas dhe trajton shkeljet morale dhe besimet e rreme.
“Përveç kërcënimeve me vdekje, disa veteranë protestuan përpara teatrit ditën kur u shfaq vepra dhe premiera u mbajt nën masa të forta policore,” thekson ai.
Por deklaratat kundër procedurave të BE-së ose vënia në skenë e një vepre nën mbrojtjen e policisë nuk është asgjë e re për të.
“Prania e policisë ka qenë e nevojshme për pothuajse çdo vepër që kemi vënë në skenë në pesë apo gjashtë vitet e fundit në Kosovë apo Serbi. E kemi marrë shumë seriozisht çështjen e sigurisë,” thotë ai.
“S’e kam menduar kurrë të tërhiqem dhe të shkoj të punoj në një ‘fushë të lehtë’ – absolutisht jo. Kërcënimet, debatet, kritikat, zhurma dhe përpjekjet për censurë kanë treguar vetëm se sa e rëndësishme është puna që po bëjmë. Ato kanë treguar se teatri ende ka rëndësi,” thotë ai.
Dhe pavarësisht nga kërcënimet që ai dhe kolegët e tij kanë përjetuar, Neziraj thotë se mund të shohë disa ndryshime pozitive kur vjen fjala te liria për të krijuar.
“Unë i mat ndryshimet me lirinë që kam si shkrimtar, gjë e cila është përmirësuar nga viti në vit. Por nuk është zgjeruar vetë. Kam qenë i detyruar të luftoj, në kuptimin e vërtetë të fjalës,” thotë ai.
Ndërkohë, ai kurrë nuk e ka humbur frymën e optimizmit. “Unë jam si një daullexhi qe motivon ushtarët në një betejë dhe që vdes i fundit,” përfundon Neziraj.