Ekspertët e zhvillimit kanë matur përherë kostot njerëzore të martesave në fëmijëri, por të dhënat e reja hedhin dritë në ndikimin ekonomik të praktikës. Teksa vendet punojnë për të ndaluar martesën në fëmijëri, ekonomitë e përparuara kryesuar nga G7 – mund të ndihmojnë duke financuar programe që luftojnë një nga problemet kryesore sociale të vendeve në zhvillim.
Kostot njerëzore të martesave në fëmijëri janë të njohura; kudo në botë nuset fëmijë janë mesatarisht më pak të arsimuara, më të varfra dhe më të rrezikuara nga dhuna seksuale krahasuar me gratë që martohen më vonë në jetë. Por kur ndikimi ekonomik i martesës në fëmijëri i shtohet këtij realiteti të zymtë, fatura është edhe më e madhe.
Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Kërkim për Gratë dhe Bankës Botërore, dhënia fund e praktikës së martesave në fëmijëri do të kursente miliarda dollarë në shpenzimet vjetore të mirëqenies, duke rezultuar në kursime globale të më shumë se 4 trilionë dollarëve deri në vitin 2030. E thënë thjesht, bota nuk mund të përballojë lejimin e martesave në fëmijëri.
Shumë qeveri e kanë pranuar këtë. Në Indonezi, për shembull, ku ndikimi ekonomik i martesave në fëmijëri prek negativisht parashikimet e rritjes afatgjatë, presidenti Joko Uidodo është betuar të cilësojë të paligjshme praktikën, një angazhim i rëndësishëm në një vend ku 14% e vajzave martohen para ditëlindjes së 18.
Por në shumicën e vendeve ku martesat e fëmijëve prevalojnë, ndryshimi nuk po ndodh mjaftueshëm shpejt. Ndërsa strategjitë janë diskutuar nga Bangladeshi dhe Zambia, financimi i programeve që ndikojnë në uljen e normave, si aksesi i vajzave në shëndetësi, arsimim dhe trajnime pune – mbetet jo i duhuri. Nëse dhënia fund e martesave në fëmijëri duhet të jetë më shumë se debat politik, strategjitë duhet të ndiqen nga angazhime financiare.
Sigurisht, martesa në fëmijëri është një sfidë e madhe. Sot, afërsisht një nga pesë vajza në mbarë botën martohet ose është në një bashkim informal përpara moshës 18-vjeçare dhe shumica e këtyre vajzave bëhen nëna përpara se të arrijnë pjekurinë. Në Nigeri, që ka normën më të lartë botërore të martesave të fëmijëve, 76% e vajzave martohen përpara se të mund të votojnë. Dhe kur ndodh martesa në fëmijëri, vajzave zor se u dëgjohet zëri.
Lajmi i mirë është se nuk ka pasur një kohë më të mirë për të zgjidhur këtë problem global. Me kostot ekonomike të martesave të fëmijëve që janë tashmë të qarta, qeveritë në botën në zhvillim po fillojnë të adresojnë problemin me më shumë urgjencë. Për të përmbysur fenomenin sigurisht që duhen përfshirë dhe vendet e pasura dhe mundësia e tyre për të bashkëpunuar po afrohet së shpejti.
Më 31 maj, ministrat e financës dhe zhvillimit të G7 do të mbajnë takimin e parë në Kanada për të diskutuar si zhvillimi ekonomik mund të ndahet më barabartë. Këto takime do të hapin rrugën për diskutime më të gjera në javën pasuese, ku kryeministri Justin Trudeau të mbajë samitin e plotë G7.
Trudeau është angazhuar tashmë për ta bërë barazinë gjinore temën kyçe të takimit të këtij viti dhe ne sigurisht e mirëpresim fokusin e tij. Por gjithashtu dimë që nëse ministrat e G7 nuk i plotësojnë fjalët e tyre me financim të dedikuar, angazhimet e ndërmarra në samit do të bien dhe fëmijët kudo do të vazhdojnë të vuajnë padrejtësinë e martesës së hershme.
Dhënia fund e martesës në fëmijëri do të kërkojë ambicie, kreativitet dhe para. Por ky është vetëm një fillim; zgjidhjet specifike janë thelbësore. Ndërsa arsimimi është kritik për të ardhmen e vajzave, ndërtimi i shkollave dhe pagesa e mësuesve nuk do të mjaftojë. Për t’u fuqizuar plotësisht vajzat duhet të kenë akses në arsim të sigurt dhe cilësor që do t’i japë atyre besimin dhe aftësitë për t’ia dalë. Arritja e kësaj kërkon angazhim afatgjatë.
Nëse vendet më të pasura në botë do ta bënin këtë çështje prioritet të lartë, përfitimet do të ishin të larta. Për shembull, Banka Botërore vlerëson se nëse Nigeria do ta ndalonte martesën në fëmijëri, kjo do të sillte kursime në mirëqenie me vlerë 1.7 miliardë dollarë. Bangladeshi mund të gjeneronte 4.8 miliardë dollarë në fitime vjetore dhe produktivitet dhe kursimet e mirëqenies në Nigeri do të arrinin në një total prej 7.6 miliardë dollarë.
Qeveritë po fillojnë të bëjnë përpjekje për të pakësuar normat e martesave në fëmijëri; në fakt, numri i vajzave të martuara në fëmijëri çdo vit po bie. Për fat të keq, ndryshimi po ndodh shumë ngadalë. Nëse bota nuk e përshpejton progresin dhe nuk i shton investimet, rritja e shpejtë e popullsisë do t’i përmbysë aspektet pozitive dhe numri i nuseve fëmijë do të rritet sërish.
Vajzat mund të ndryshojnë botën, por aktualisht rrethanat e pakontrollueshme prej tyre po e kufizojnë potencialin e tyre. Kur ministrat e G7 të takohen në qershor, një temë do të jetë diskutimi i “investimit në rritjen që funksionon për këdo”. Nga perspektiva jonë, mënyra më e mirë për ta përkthyer këtë synim në realitet është duke zgjidhur një problem social që gjeneron kosto të mëdha – dhe jo vetëm për vajzat.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The Cost of Child Marriage