Analize20 Apr 2017

Kostoja e ulët e zhdukjes së varfërisë

Sa para do të nevojiteshin për t’i dhënë fund varfërisë në shkallë globale? Bjorn Lomborg arsyeton se për herë të parë në histori njerëzimi mund ta përballojë ekonomikisht nxjerrjen nga varfëria të çdo personi në planet.

Autor: Bjorn Lomborg Project Syndicate Çikago
Printo

Një grua ushqen foshnjen e saj me një biberon në rrugët e Tiranës, ndërsa qëndron me në sfond Statujën e Lirisë, simbolin amerikan të një jete më të mirë. Foto: Ivana Dervishi/BIRN. 4 prill 2017

Varfëria është vuajtja më mizore e njerëzimit. Nëse je jashtëzakonisht i varfër, nuk mund të përballosh as edhe sëmundjet më të lehta për t’u kuruar, që shkaktojnë një në çdo gjashtë vdekje te njeriu. Mushkëritë tuaja mund të jenë të mbushura me ndotës të ajrit në ambientin e brendshëm sepse, ashtu si 2.7 miliardë të tjerë, ju gatuani dhe vazhdoni të ngroheni me dru apo pleh – me të njëjtin pasojë në shëndet sa tymosja e dy paketave cigare çdo ditë. Një dietë jo e mirë i bën fëmijët tuaj të rriten pa u zhvilluar fizikisht dhe kufizon zhvillimin e tyre konjitiv, duke ulur me 4 deri në 8 pikë zgjuarsinë nga mesatarja. Privime të tilla çojnë në stres dhe dëshpërim, duke e bërë të vështirë sjelljen në mënyra që përmirësojnë jetën.

Sigurisht, bota ka bërë progres të madh në luftën kundër varfërisë. Në 1820, nëntë nga dhjetë njerëz jetonin në varfëri ekstreme. Banka Botërore vlerëson se për herë të parë në historinë njerëzore, norma globale e varfërisë ra në shifra teke në vitin 2015. Sot 9.1% e popullatës botërore, ose thuajse 700 milionë njerëz jetojnë me më pak se 1.90$ në ditë (ose me 1 dollarë siç llogaritej në 1985).

Ky prag 1.90$ nga varfëria ekstreme është një limit shumë i ngushtë: nuk është shifër me të cilën një turist i pasur mund të blinte në një vend në zhvillim, me kosto të ulët. Është ajo që një amerikan mund të blinte në SHBA për 1.90$. niveli është përshtatur me fuqinë e barasvlershme blerëse në monedhën vendase.

Ekonomisti Anthony Clunies Ross bëri një përpjekje fillestare për të të llogaritur koston e zgjidhjes së problemit të varfërisë përgjithmonë, duke vlerësuar se sa para do të duheshin për të nxjerrë çdo njeri në botë nga varfëria.

Le ta përditësojmë qasjen e tij (një praktikë e kryer së fundmi edhe nga Brookings Institution). Ne mund të fillojmë duke parë për shembull Indonezinë – ku banojnë 257 milionë njerëz, vendi i katërt më i populluar në botë. 20 vite më parë, rreth gjysma e indonezianëve ishin të varfër, ndërsa në 2014 (vlerësimet më të fundit) tregojnë se mbi 8 për qind ose 21 milionë njerëz jetojnë poshtë pragut 1.90$ në ditë. Mesatarisht, këta indonezianë janë 29 cent poshtë 1.90$; pra 21 milionë njerëz duan 29 cent më shumë çdo ditë – ose 6 milionë dollarë në total – për të dalë nga varfëria ekstreme. Për një vit kjo shifër shkon në 2.2 miliardë dollarë.

Meqënëse kjo është bazuar në atë që amerikanët mund të blejnë për 2.2 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, kostoja reale e rupias indoneziane do të ishte më e ulët. Kostoja e këmbyer do të ishte 700 milionë dollarë.

Me 268 milionë njerëz në varfëri ekstreme në sondazhin e fundit të 2011, India është shtëpi e numrit më të madh të të varfërve në planet. Secili është mesatarisht 38 centë në ditë poshtë vijës së varfërisë ekstreme. Për Indinë, kostoja shkon më thuajse 11 miliardë dollarë të këmbyer.

Vendet më të shtrenjta për t’i dhënë fund varfërisë do të ishin Republika Demokratike e Kongos dhe Nigeria. Në të parën, 77% e popullatës është jashtëzakonisht e varfër dhe mesatarisht është një dollar më pak vijës së varfërisë. Të marra bashkë me normën e ulët të këmbimit, kostoja për RDK kalon në më shumë se 12 miliardë dollarë.

Duke pasur parasysh mungesën e të dhënave për shtete si Koreja e Veriut, Jemeni dhe Zimbabve, kostoja totale e zhdukjes së varfërisë bazuar te të dhënat e fundit është diku te më pak se 100 miliardë dollarë. Brookings ka llogaritur trende të mëparshme dhe të dhëna nga vende të tjera në rajon dhe ka zbuluar se në 2015 kostoja do të ishte 75 miliardë dollarë në vit. Për ta vënë këtë shifër në kontekst, bota shpenzon 140 miliardë dollarë për ndihmë zhvillimi çdo vit.

Sigurisht, ky është një ushtrim me mendje i cili ka kufizime. Në jetën reale, nuk do të ishte e mundur të identifikoheshin të gjithë të varfrit në botë dhe t’i shpendahej 29 cent apo 38 cent pa pasur kosto më të mëdha. Por kjo na lejon të identifikojmë shkallën e problemit më të madh në botë.

Pritet që do të ketë më pak se 400 milionë të varfër në vitin 2030 dhe rritja e të ardhurave duhet të zhdukë varfërinë thuajse plotësisht në 2060. Bazuar në këtë informacion, mund të vlerësojmë koston e grumbulluar të së ardhshmes për të zhdukur varfërinë në rreth 1.5 trilionë dollarë. Nëse lëmë mënjanë para tani në një fond (i cili do të gjenerojë interes për 45 vitet e ardhshme), do të na duhej më pak se 1 trilion për ta zhdukur varfërinë te njeriu një herë e përgjithmonë.

Një trilion dollarë duken si shumë. Në fakt janë të barasvlershme me 1% të PBB-së vjetore globale, 18 muaj shpenzime ushtarake të SHBA-së ose 1/20 e borxhit kombëtar të SHBA-së. Është gjithashtu e barasvlershme me koston e zbatimit të vetëm një viti të marrëveshjes klimatike të Parisit, që premton – nëse vazhdojmë të paguajmë 1 trilion çdo vit – për të kontrolluar rritjet e temperaturave me 0.17°C në 2100.

Tragjedia reale është se zgjidhja më e mirë e varfërisë nuk do të kushtonte asgjë. Rritja e gjerë ekonomike ka qenë gjithnjë mënyra më efektive për të pakësuar varfërinë: gjatë 30 viteve, rritja ekonomike nxorri nga varfëria një numër të paprecedentë njerëzish prej 680 milionë. Një marrëveshje globale e tregtisë së lirë – si një përmbyllje me sukses e Raundit të Zhvillimit Doha i cili ka ngecur – do të nxirrte 160 milionë të tjerë nga varfëria.

Skepticizmi global rreth tregtisë së lirë nga ana e presidentit amerikan Donald Trump dhe të tjerëve nënkupton se ne po humbim një mundësi jashtëzakonisht të rëndësishme. Ndërkohë, duhet të përkrahim investimet më të fuqishme të zhvillimit: shpenzimin për ushqimin e fëmijëve, imunizimin dhe arsimin e hershëm në fëmijëri, si dhe bursat për vajzat që mund të çojnë në përmirësime të niveleve shëndetësore dhe të të ardhurave.

Por ne duhet të kuptojmë gjithashtu se, për herë të parë, një fund i varfërisë është vërtet brenda mundësive financiare të njerëzimit. Dhe ne duhet të sfidojmë liderët tanë politikë të lënë mënjanë politikat e shtrenjta që arrijnë shumë më pak.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Low Cost of Ending Poverty