Lajm23 Jun 2020

Kostot sociale të HEC-eve të vogla në Shqipëri

Një studim i kryer prej organizatave mjedisore Eco Albania dhe WWF Adria analizoi kostot e hidrocentraleve  të vogla në Shqipëri të cilat krahasuar me benefitet socialo-ekonomike të komunitetit nuk vlejnë mjaftueshëm për sakrifikimin e pasurisë ujore dhe mjedisore shqiptare.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Banorë te komunitetit protestojnë kundra ngritjes së HEC-eve në parkun e Zall-Gjocaj_Foto_Sami Curri

Paraditen e së martës, stafi i WWF Adria në bashkëpunim me EcoAlbania prezantuan studimin e titulluar “Impakti Ekonomik i HEC-eve të vogla në Shqipëri”, qëllimi i të cilit është të zbulojë sa të leverdishme janë hidrocentralet e vegjël në Shqipëri, duke bërë një krahasim të kostove të ndërtimit të tyre me përfitimet socialo-ekonomike që ato sjellin.

Gjithashtu nëpërmjet këtij studimi, i cili do të vijojë në të ardhmen edhe me një fushatë ndërgjegjësuese, dy organizatat në mbrojtje të mjedisit synojnë të arrijnë heqjen e subvencionimeve dhe sistemin e incentivave për hidrocentralet e vogla në Ballkan.

Ngritja e hidrocentraleve sjell një dëmtim të mjedisit dhe të komuniteteve që jetojnë në zonat ku ato ngrihen, por mbetet për t’u parë nëse përfitimet ekonomike të këtyre HEC-eve arrijnë të kapërcejnë këto dëme.

“Mungesa e konsultimit me publikun, abuzimi me të drejtat e njeriut në disa raste të veçanta të ngritjes së HEC-ve, si edhe këndvështrimi ekonomik përsa i përket pagesës që kryejnë taksapaguesit shqiptarë për hidrocentralet që shkatërrojnë lumenjtë, janë disa çështje në fokus të studimit,” tha Rea Nepravishta, nga organizata mjedisore WWF Adria.

Ngjashëm u shpreh dhe drejtori ekzekutiv i Eco Albania, Olsi Nika, i cili theksoi se qëllimi i këtij studimi është të shohë se sa leverdi ka ngritja e hidrocentraleve në vendin tonë kundrejt sakrifikimit të natyrës shqiptare.

“Qëllimi kryesor është të shohim se sa në të vërtetë i kushtojnë këto HEC-e shoqërisë sonë apo shtetit shqiptar, dhe se si është paraqitur situata energjetike në Shqipëri gjatë viteve të fundit”, tha z.Nika.

Ekspertët u shprehën se Shqipëria ka pasur në të vërtetë një pozicion deficitar përsa i përket prodhimit të energjisë elektrike, pasi  përveç viteve 2016 dhe 2018 ku situata paraqitet sufiçitare deri ne 8%, vendi ynë është gjendur në një situate ku është detyruar të importojë energji nga vendet fqinje për të përmbushur nevojat.

Gjithashtu, gjatë viteve të fundit në Shqipëri ka pasur një valë protestash nga banorët vendas kundër ndërtimit të hidrocentraleve në zonat rurale të Shqipërisë, ku mjedisi apo lumenjtë janë dëmtuar së tepërmi.

Eco Albania së bashku me WWF Adria analizuan  të dhënat e 182 prej këtyre hidrocentraleve të vogla që i përkasin 124 kompanive , duke u  bazuar në informacionet e mbledhura gjatë vitit 2019 dhe duke studiuar kontratat e këtyre HEC-eve.

“Për aq kohë sa kostoja në buxhetin financiar në krahasim me përfitimin është më e madhe, atëherë kjo çon në konflikt social, siç ka ndodhur në shumë raste deri tani”, u shpreh Olsi Nika në lidhje me analizën e kostove të ngritjes së hidrocentraleve të vogla në Shqipëri.

Ekspertët pranojnë se ekzistojnë edhe disa impakte pozitive që vijnë nga ngritja e HEC-eve, të tilla si ato të vitit 2018, kur situata energjetike paraqitet më e favorshmja ndër vite.

“Sigurisht një anë pozitive është injektimi i investimeve në ekonominë shqiptare. Gjithashtu ekziston një kohezion social përsa i përket komunitetit në fazën e ndërtimit të HEC-eve për punësimin e vendasve, por kjo zgjat shumë pak”, theksoi i Nika, duke mos harruar të përmendë faktin se një punësim afatshkurtër shpeshherë krijon më shumë një boshllëk sesa një zgjidhje për familjet e zonave rurale.

I pyetur nga BIRN në lidhje me kontributin në aftësitë profesionale që ngritja e HEC-eve dhe punësimi sezonal mund të sjellë në familjet rurale, drejtori i Eco Albania tha se bazuar në studimet e tyre nuk rezulton asnjë rast trajnimi apo zhvillimi i aftësive profesionale për punëtorët e pakualifikuar të punësuar prej kompanive që ndërtojnë HEC-et.

“Në dijeninë time 70-80% e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore konsistojnë në personel të kualifikuar, pra të tillë si ekonomistë, inxhinierë, etj. Ndërsa pjesa e punëtoreve të pakualifikuar që punësohen nga komuniteti janë kryesisht punëtorë krahu vetëm gjatë fazës së ndërtimit”, tha për BIRN Olsi Nika.

Ekspertët pranuan se këto HEC-e të vogla kryesisht sjellin përfitime vetëm për kompanitë që i ndërtojnë ato, sepse edhe nga analizat e thelluara duket se në buxhetin e shtetit në terma afat-mesëm apo afat-gjatë nuk sjellin ndonjë ndryshim të madh, e për të mos folur më tej për përfitimet komunitare.

“Gjeneza e konflikteve komunitare që lindin konsiston gjithashtu në mospërcaktimin e së drejtës së përdorimit të ujit, ku roli arbitrar duhet luajtur nga shteti, pasi shumë banorë autoktonë të zonave e konsiderojnë veten pronarë të ujit apo lumenjve të zonave ku ata jetojnë. Këta banorë  nuk marrin asnjë përfitim nga ngritja e këtyre HEC-ve”, shpjegoi Nika mbi kundërshtimet e shumta  të banorëve që janë vënë re ndër vite.

Nga studimi rezulton se vetëm gjatë vitit 2019 janë ngritur 29 HEC-e të tjera, por në të njëjtën kohë vihet re se këto HEC-e nuk kanë ndryshuar situatën e sigurisë energjetike kombëtare, pasi ajo vijon të mbetet e pasigurt dhe e varur nga ndjeshmëria e ndryshimit të klimës.

Gjithashtu, ekspertët kanë konstatuar se sektori i hidroenergjetikes është akoma i varur nga sistemi i subvencionimeve.

“Tarifat e incentivave të prezantuara për promovimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim në terma socialë apo mjedisorë, përveç rritjes së konfliktit social ndërmjet autoriteteve lokale, banorëve, kompanive, dhe shoqërisë civile”, shkruhet në raportin e prezantuar prej organizatave mjedisore Eco Albania dhe WWF Adria.

“Ky sistem vijon të ketë komunitete të largëta si nga qeveria dhe nga qeverisja”, përfundoi drejtori ekzekutiv i Eco Albania.