Analize7 Nov 2018

KPA konfirmoi mes debateve procedurën e shkarkimit të ish-gjyqtarit Fatmir Hoxha

Shumica e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit i dha të drejtë KPK-së për shkarkimin e Fatmir Hoxhës, duke konsideruar vendimin të argumentuar ligjërisht dhe gjetjet e hetimit si shkarkuese dhe procedurën të zbatuar, në përputhje me ligjin. Gjyqtarja Ina Rama në pakicë arsyetoi se vendimi kishte shkelur të drejtat e ish-gjykatësit kushtetues.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Natasha Mulaj, relatorja, Rezarta Schuetz dhe anëtarët, Sokol Como, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, gjatë një seance të KPA. Ilustruese| Foto:LSA.

Ashtu si në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, u nda në vendimin për shkarkimin, tani përfundimtar, të ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha. KPA vendosi me 4 vota në favor të shkarkimit, ndër të cilat, një nga gjykatëset dha mendim paralel, ndërsa relatorja e çështjes Ina Rama votoi kundër, dhe arsyetoi se Hoxha duhej të konfirmohej.

Në ankim, gjykatësi i shkarkuar kërkoi prishjen e vendimit të KPK-së ndërsa thotë se “Komisioni nuk ka kuptuar qëllimin dhe rregullimin e jashtëzakonshëm të ligjit nr. 84/2016”.  Në ankimin e tij, subjekti i rivlerësimit “kundërshton standardin e arsyetimit të vendimit nga ana e Komisionit”, pretendon “cënimin e standardit për një proces të rregullt, shkeljen e parimit të barazisë së armëve”.

Trupa gjykuese, e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, vendosi në dhomë këshillimi me shumicë votash që të linte në fuqi vendimin e KPK-së.

Në vendimin e arsyetuar shumica pasi shqyrtoi një nga një çështjet e ngritura në ankimin e Hoxhës, i rrëzoi ato të gjitha duke i dhënë të drejtë në të gjitha rastet Komisionit dhe duke lënë të pacënuar vendimin e këtij të fundit për shkarkimin e gjykatësit. Më parë KPA kishte marrë vendim në dhomë këshillimi të mos e kalonte çështjen në seancë publike dhe të mos pranonte prova të reja.

Shumica arsyetoi se ai kishte kryer “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”, ndërsa cilësoi si arsye mospërfshirjen e huasë 28.500 euro si burim i krijimit  të pasurisë në deklaratën veting, mosprovimin e ligjshmërisë së të ardhurave të personit që ishte marr huaja, mospërputhjen e të ardhurave me shpenzimet në vlerë 1.7 milionë në vitin 2011 dhe fshehjen e “shumës prej 330.000 lekësh, gjendje në llogarinë depozitë të bashkëshortes pranë BKT, në deklaratën periodike vjetore të vitit 2003”.

Ndërkohë Ina Rama, e cila votoi në pakicë kundër shkarkimit, arsyeton se KPK nuk kishte zbatuar si duhet procedurën dhe se Komisioni duhej të kishte hetuar më shumë sa i përket ligjshmërisë së burimeve financiare të gjykatësit Hoxha.

“Kam konstatuar se gjatë procedurës administrative të zhvilluar nga Komisioni ka pasur shkelje të rëndësishme të të drejtave të subjektit lidhur me dhënien e së drejtës për t’u njohur me rezultatet e hetimit, si edhe me shkaqet që prezumonin vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra”, shkruan Rama.

Në vendim po ashtu ka një mendim paralel të gjykatëses Rezarta Schuetz, e cila ndryshe nga 3 anëtarët e tjerë të shumicës, interpreton se mosdeklarimi i llogarisë bankare në vitin 2003 dhe deklarimi i saj në vitin 2004 nuk duhej të përfshihej në shkaqet e shkarkimit. Schuetz megjithatë u bashkua me vendimin e shumicës në favor të shkarkimit të Hoxhës, për shkeljet e tjera që iu gjetën atij.

Lexo edhe:

Zbardhja e vendimit të KPK, Fatmir Hoxha fshehu huanë për shtëpi nga kunati 

Gjyqtari Fatmir Hoxha shkarkohet nga detyra për mosjustifikim të pasurisë

Procedura dhe vlerësimi i provave

Rasti i Hoxhës ka qenë i rëndësishëm për të përcaktuar, siç del nga vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, se çfarë gjykohet procedurialisht në rregull. Në ankim Hoxha kishte pretenduar se KPK nuk kishte zbatuar procedurë të drejtë dhe nuk i kishte mundësuar atij “barazi armësh”, duke lënë të kuptohej se nuk kishte pasur mundësi të paraqiste provat për të provuar ligjshmërinë e pasurisë.

Ai paraqiti një sërë aktesh shkresore, që sipas tij kishin qenë të  “pamundura për t’u marrë më parë, por janë të rëndësishme për të provuar aktivitetin tregtar”, të personit të lidhur.

Po ashtu edhe gjykatësja Ina Rama në mendimin e pakicës arsyeton se procedura e ndjekur nga KPK rezultonte me shkelje të të drejtave të Hoxhës. Rama arsyeton se KPA duhej të merrte provat e reja dhe se KPK në anën tjetër nuk e kishte vënë në dijeni Hoxhën gjatë hetimit se me mungesën e tyre mund të penalizohej.

Sipas saj mos zbatimi i procedurave kishte sjellë “zhvillimin e një procesi të parregullt e në shkelje të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Liritë Themelore të Njeriut, duke afektuar në këtë mënyrë, ndër të tjera, në thelb, vendimmarrjen e Komisionit”.

Por shumica arsyetoi ndryshe. Katër gjykatësit vlerësuan se nuk kishte pasur pengesë të arsyeshme që provat e sjella në KPA të mos ishin paraqitur më herët në KPK. Në një vendim të ndërmjetëm ata thanë se provat e reja nuk do të merreshin parasysh.

Ndërkohë pretendimi se nuk ishte dhënë mundësia për t’i paraqitur këto prova dhe se subjekti apo personi i lidhur nuk mund t’i merrnin ato, u rrëzua vetë faktin se dokumentet ishin marrë po nga subjekti.  “Shkresat e sipërcituara, ato janë kërkuar në organet shtetërore apo te personat fizikë dhe juridikë vendas nga personi tjetër i   lidhur me subjektin e rivlerësimit, pasi është marrë vendimi nga Komisioni, duke provuar në këtë mënyrë plotësisht mundësinë e tij për t’i paraqitur ato gjatë procesit të rivlerësimit në Komision, pavarësisht pretendimeve të parashtruara prej tij për të kundërtën”, thuhet në arsyetimin e shumicës.

Në të njëjtën pikë, shumica vlerësoi se edhe nëse merreshin në konsideratë provat e reja, ato nuk do kishin efekt mbi vendimin përfundimtar dhe nuk ndryshonin fatin e gjykatësit. Po ashtu shumica vendosi se nuk ishte nevoja për kalim të çështjes në seancë publike, pasi ajo mund të gjykohej me provat e mbledhura nga KPK dhe se nuk rezultoi që Komisioni të kishte shkelur procedurat, duke rrëzuar pretendimin për një proces të parregullt.

Aty bëhet me dije se Hoxha ishte në dijeni që duhej të provonte ligjshmërinë e të ardhurave të personit të lidhur, pasi KPK i kishte dërguar pyetje rreth kësaj çështjeje dhe se po ashtu i ishin kërkuar prova për këtë.

“Trupi gjykues vlerëson se pretendimi i subjektit të rivlerësimit për cenim të standardit për një proces të rregullt, shkeljen e parimit të barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit në proces, pasi nuk i është njoftuar në mënyrë të shprehur me rezultatet e hetimit paraprak mosprovueshmëria me dokumentacion e burimit të krijimit të huas 28.500 euro nga huadhënësi {***}, është i pabazuar”, thuhet në arsyetimin e shumicës.

Përndryshe Ina Rama ka gjetur mangësi në këtë pikë. Ajo arsyeton se Hoxhës i duhej t’i ishte bërë me dije qartësisht se gjetjet e Komisionit çonin në shkarkimin e tij dhe se nisur nga kjo, ai duhej të provonte të kundërtën, gjë që sipas gjyqtares në pakicë nuk është bërë.

Në ankimim Hoxha po ashtu shprehej se arsyetimi i dhënë nga Komisioni për shkarkimin e tij nuk ishte i argumentuar mjaftueshëm.

“Arsyetimi i vendimit nuk rezulton të ketë një analizë të provave dhe fakteve të administruara në proces, në funksion të një interpretimi që u duhej bërë normave kushtetuese dhe ligjore mbi të cilat bazohet vendimmarrja”, thuhet në ankim.

Edhe ky pretendim u rrëzua nga shumica e Kolegjit të Apelimit, ndërsa u arsyetua se vendimi i dhënë nga KPK ishte i argumentuar.

“Argumentet e dhëna nga Komisioni janë të mjaftueshme për të mbështetur përfundimet e arritura, ndërsa subjekti i rivlerësimit nuk parashtron se cilat pjesë të arsyetimit janë të paargumentuara me ligj dhe në fakte”, thuhet në vendim.

Debati mbi huanë dhe pasurinë

Shumica në KPA po ashtu arsyetoi se Hoxha duhej të kishte deklaruar në veting si burim pasurie huanë e marrë nga i afërmi i tij edhe pse kjo ishte shlyer në vitin 2014. Në këtë pikë shumica arsyetoi ashtu si KPK se megjithëse huaja ishte shlyer më herët, ajo kishte qenë mjet për krijimin e pasurisë e për pasojë duhej të ishte deklaruar nga Hoxha.

KPA ka arsyetuar se sipas ligit Hoxha duhej të deklaronte jo vetëm pasurinë, por edhe mënyrën se si ajo ishte vënë. Ndryshe nga sa pretendon ish-gjykatësi KPA thotë se problemi në këtë rast nuk ishte vetëm te mosdeklarimi i kësaj huaje, por fakti që nuk ishte dhënë asnjë dokument që huaja kishte ekzistuar dhe që ishte shlyer siç pretendonte Hoxha.

“Argumentimi nga subjekti i rivlerësimit se ai nuk e ka përfshirë këtë hua si burim të krijimit të pasurisë së tij, për arsye se në momentin e plotësimit të deklaratës së pasurisë “vetting” ajo ishte e shlyer me të ardhurat e tij, dhe tashmë paga apo të ardhurat e tij janë burimi i krijimit të kësaj pasurie, është i gabuar dhe për më tepër nuk përkon në kohë”, thuhet në arsyetim.

Përndryshe, pakica dhe vetë Hoxha argumentuan se mosdeklarimi i huasë nuk duhej të ishte konsideruar si pasaktësi dhe se nuk duhej të ishte ndëshkuar për këtë. “Komisioni, sipas ankuesit, nuk bën dallim midis “pasurisë” dhe “burimit të krijimit të saj” në kuptim të detyrimeve për deklarim të subjektit të rivlerësimit dhe se Komisioni ka gabuar kur barazon “pasurinë” dhe pasaktësinë e deklarimit të saj me “burimin e krijimit” për të cilin ligji vendos detyrimin e subjektit të rivlerësimit për të dhënë një shpjegim bindës”, thuhet në përshkrimin e ankimit.

Rama nga ana e saj në pakicë arsyetoi se Hoxha nuk mund të mbahej përgjegjës për mosdeklarimin e huasë në deklaratën veting, sa kohë huaja ishte deklaruar në deklarimet periodike dhe po ashtu ishte deklaruar statusi i saj dhe pagesat e kryera për të.

“Në bindjen time, mosdeklarimi i kësaj të dhëne si një burim për krijimin e pasurisë, ka ndodhur për shkak të kuptimit të ligjit në drejtimin e përshkruar më lartë si për shkak të këndvështrimit personal të subjektit, ashtu edhe për shkak të mungesës së qartësisë në dispozitat ligjore të kësaj kërkese”, thuhet në mendimin e pakicës.

Pjesë tjetër e rëndësishme në vendimin e KPA rezulton ligjshmëria e pasurisë së personit të lidhur. KPA këtu është ndarë si për procedurë ashtu edhe në arsyetim. Rama në pakicë argumenton se të ardhurat e personit të lidhur duhej të konsideroheshin të ligjshme, sa kohë ato ishin marrë nga llogari bankare, për to ishte paguar doganë dhe se ligji nuk e kishte kontrolluar deri vonë tregun e makinave.

Nga ana tjetër KPA aresyetoi se pasuria nuk mund të konsiderohej e ligjshme për sa kohë për të nuk ishin paguar detyrimet tatimore. Sipas KPA provimi i faktit se personi i lidhur kishte aktivitet tregtar, nuk provon ligjshmërinë e pasurisë së tij.

Vlerësimi i mosdeklarimit të llogarisë bankare

Interesant është debati në Kolegj mbi vlerësimin si mosdeklarim nga KPK të një llogarie bankare në deklaratën e vitit 2003. Komisioni zbuloi se bashkëshortja e Hoxhës kishte zotëruar një shumë prej 330 mijë lekësh në një llogari bankare, të cilën nuk e kishte deklaruar në vitin 2003, por më pas në vitin 2004. Komisioni e cilësoi këtë fshehje pasurie.

Hoxha e cilësoi këtë si arsyetim jo të drejtë. “Subjekti i rivlerësimit pretendon se rezulton i provuar tej çdo dyshimi fakti se kemi të bëjmë me një lapsus e harresë materiale në deklarimin e vitit përkatës”, thuhet në përshkrimin e ankimit.

Në këtë rast gjyqtares Rama në pakicë i është bashkuar edhe Rezarta Schuetz. Të dyja arsyetojnë se mosdeklarimi dhe deklarimi në vitin pasaradhës nuk mund të konsideroheshin fshehje pasurie.  “Në kontekstin e rivlerësimit, një korrigjim vullnetar nga vetë subjektet, duhet të vlerësohej pozitivisht”, thuhet në mendimin paralel që Schuetz ka dhënë.

Megjithatë tre anëtarët e tjerë e cilësuan të drejtë vendimin e Komisionit. Duke rrëzuar ankimin shumica arsyeton se për KPK nuk kishte rëndësi dashja apo qëllimi i subjektit. “Dispozitat kushtetuese dhe ligjore për procesin e rivlerësimit për kriterin e pasurisë, në asnjë rast nuk e lidhin pamjaftueshmërinë e deklarimit me elementet subjektive të dashjes apo qëllimit”, thuhet në vendim.

Vendimi i shumicës në këtë rast duket se mund të ndikojë edhe në vendime të tjera pasi KPK ka vlersuar ndryshe siç del nga ankimet e Komisionerit Publik, disa raste të konsideruara si harresa apo gabime faktike të paqëllimta. KPA në shumicë po ashtu nuk ka marrë në konsideratë as shumën prej vetëm 330 mijë lekësh.

PNë të njëjtën frymë KPA ka rrëzuar me katër vota argumentimet e Hoxhës sa i përket shumave të fituara nga shitja e mobilejeve të përdorura të shtëpisë. Pavarësisht pretendimit të ish-gjykatësit se nuk kishte pasur detyrim të paguante tatim mbi këto shitje, pasi për to tatimi ishte paguar gjatë blerjes, KPA arsyetoi se të dhënat e tij ishin kontradiktore dhe se nuk mund të provoheshin.

Edhe pse nuk ishte përfshirë në pjesën shkarkuese, por ishte pjesë e ankimit të Hoxhës, KPA nuk e rrëzoi arsyetimin e Komisionit sa i përket nivelit të profesionalizmit të cilësuar aty si “minimal”.

Në fund KPA la në fuqi me katër vota vendimin e KPK-së, duke cilësuar të provuara gjetjet e Komisionit. Fatmir Hoxha është një ndër tre ish-gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, shkarkimi i të cilit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është bërë përfundimtarë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Apeli deri tani nuk ka ndryshuar asnjë vendim të KPK-së. Ai ka shqyrtuar vetëm ankime nga gjyqtarë të shkarkuar, ndërsa priten në Nëntor seancat e para publike bazuar mbi ankimet e Komisionerit Publik.