Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi në mënyrë unanime të rrëzojë ankimin e Hasnezirit kundër vendimit të Komisionit për shkarkimin e tij.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 28 korrik të rrëzojë ankimin e ish-gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin e tij nga detyra.
Hasneziri u shkarkua nga Komisioni më 26 qershor të vitit 2019, me argumentin se nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të pronës së vetme të paluajtshme që zotëronte, një apartamenti me vlerë 5.9 milionë lekë, si dhe për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë. Sipas KPK-së, ish-gjyqtari kishte dhënë tre alternativa të ndryshme të shlyerjes së çmimit të apartamentit.
Në njoftimin e KPA-së sqarohet se trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ardian Hajdari, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Albana Shtyllën, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomon, pasi shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e Hasnezirit, në mënyrë unanime vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin e tij.
Hasneziri e filloi karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës dhe më pas në Vlorë. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005 dhe e mbajti këtë pozicion për gati 15 vite. Hasneziri ishte gjithashtu një nga kandidatët në garë për Gjykatën Kushtetuese.