Lajm16 Sep 2019

KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Bujar Hoti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit të Apelit Durrës, Bujar Hoti

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Seanca e prokurorit Bujar Hoti në KPK | Foto nga : Besar Likmeta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, vendosi të hënën më 16 shtator të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Apelit Durrës, Bujar Hoti.

KPA njoftoi se trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Luan Daci, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, anëtarë, shpalli vendimin lidhur me ankimin e prokurorit Bujar Hoti kundër vendimit nr. 64, datë 10 shtator 2018 të KPK.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja ‘a’ e ligjit nr.84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, vendosi në mënyre unanime: Lënien në fuqi të vendimit nr.64, datë 10.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Bujar Hoti”, thuhet në njoftimin e vendimit të KPA.

Treshja e Komisionit të Pavarur i Kualifikimit, e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komici, konstatuan në total gjatë hetimit administrative 19 shkelje të Hotit përfshi fshehje pasurie, fiktivitete kontratash e mosdeklarime. Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së, rezulton se problemi kryesor i ish-prokurorit të Apelit ishin një sërë kontratash noteriale të ndryshme nga sa kishte deklaruar për KPK-në, apo edhe më herët për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

Hoti, i cili prej vitit 1986 kishte filluar punë si hetues në Lushnjë dhe më pas vijoi karrierën si prokuror, kishte përfituar 4 mijë metra katrorë tokë arë si ish-punonjës i ndërmarrjes Bujqësore Bisht-Kamëz të regjistruar në vitin 1996. KPK vlerësoi se ai në këtë rast kishte kryer veprime të paligjshme që “cënonin figurën e prokurorit”, ndërsa rrëzoi disa justifikime që paraqiti, përfshi faktin që kishte punuar si stazhier i ndërmarrjes bujqësore për 10 muaj në vitet 1981-1982.

Hoti u përfshi në listën e subjekteve prioritare për shkak se ishte kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai u mbrojt duke i justifikuar problemet si pasaktësi.