Lajm15 Oct 2019

KPA lë në fuqi shkarkimin nga detyra të prokurorit Artur Selmani

Kolegji ka mbajtur në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të prokurorit, Artur Selmani.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Artur Selmani në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të hënën se trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ardian Hajdari, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz anëtarë, shpallën vendimin për ankimin e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Artur Selmani, kundër vendimit Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për  shkarkimin e tij nga detyra.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa ‘a’ të ligjit nr.84/2016, ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, në mënyre unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 82, datë 26.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Artur Selmani’, citohet në njoftimin e KPA-së, ku shtohet se ky vendim është përfundimtar me efekt të menjëhershëm.

Rezultatet e hetimit administrativ zbuluan probleme në të tre kriteret e rivlerësimit për Selmanin ku u evidentua edhe përfshirja e tij në lojërat e fatit, prej nga pretendonte se kishte fituar një vlerë prej 10 mijë dollarësh.

Në vendimin e zbardhur të KPK-së thuhet se Selmani nuk provoi se i kishte fituar paratë në baste sportive dhe u gjet se kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Në shpjegimet e tij para Komisionit ish-prokurori Artur Selmani pretendoi se vetëm kur filloi procesi i vlerësimit kalimtar kuptoi se pjesëmarrja e tij në baste sportive cënonte integritetin e prokurorit në sytë e publikut.

Në arsyetimin e KPK thuhet se Selmani nuk tregoi se sa kishte humbur nga llotaritë sportive dhe nuk solli asnjë provë që 10 mijë dollarët ishin përfituar prej tyre. Komisioni arsyeton se një problem themelor me bastet sportive nga ana e lojtarit në përgjithësi është humbja e parave në mënyrë periodike, për shkak se është e pamundur të parashikohet çdo ndeshje dhe të fitohet gjithmonë.

Gjithashtu, Selmani u gjet me pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurive, kryesisht dhuratave nga e motra.

Komisioni identifikoi si problematikë të Selmanit mënyrën se si ai kishte përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Lartë në lidhje me çështjen e njohur si “Masakra e Çoles”. Tre të rinj u vranë në vitin 2015 pas një përplasje me armë. Prokuroria dhe Gjykata e Faktit e Apelit në Vlorë cilësuan fajtorë të akuzuarit. Një prej tyre u dënua me burg përjetë i konvertuar në 35 vjet, ndërsa dy të tjerë me 22 vjet burg.

Selmani mori përfaqësimin e akuzës në Gjykatën e Lartë dhe kërkoi ndryshimin e veprave penale, që do të sillte njëkohësisht ulje të dënimeve. Familjarët e dy viktimave u ankuan pranë Prokurorit të Përgjithshëm, ndërsa Gjykata e Lartë në këtë rast nuk e mori parasysh kërkesën e Selmanit dhe avokatëve të të akuzuarve duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë. Mbi këtë vendim të Selmanit ndaj tij u nisën dy herë hetime, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm vendosi pezullimin nga detyra për tre muaj.

Selmani kandidoi rreth dy vite më parë për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.